leoni

Labinot Dervishaj: Në Ditën e Flamurit...

Labinot Dervishaj: Përdhosja e flamurit kombëtar, një alarm i dhimbshëm për ndërgjegjen kolektive shqiptare

Në një video të publikuar në media, u shfaqën disa të rinj duke përdhosur flamurin kombëtar shqiptar. Një pamje që nuk trondit vetëm ndjenjat patriotike, por ngre pikëpyetje të thella mbi nivelin e edukimit, vlerat dhe drejtimin që po marrin brezat e rinj në shoqërinë tonë. Ky akt nuk është thjesht një shfaqje e papjekurisë rinore. Është një pasqyrë e qartë e krizës së vlerave—një simptomë e një sëmundjeje sociale që po përhapet me shpejtësi, në formën e mungesës absolute të respektit për simbolet, për historinë, për vetë identitetin tonë kombëtar.

Jemi përballë një konkluzioni të dhimbshëm: prindërimi si proces është në krizë të thellë. Edukimi duket se ka ndalur mu në pragun e derës. Paradoksale apo jo, kjo është një e vërtetë e hidhur. Në cilin moment prindërit ndaluan së foluri me fëmijët e tyre për vlerat, historinë dhe simbolet kombëtare? Kur u zëvendësua biseda për historinë e kombit me heshtje, shpërqendrim, apo me një ekran telefoni që ndriçon fytyrën e fëmijës por errëson shpirtin e tij?

Kjo heshtje edukative ka pasoja të rënda. Ajo shkakton zinxhir problemesh psikologjike, duke ndikuar në sjellje destruktive, në përdorimin e një fjalori të dytë, në modelimin e veprimeve vulgare dhe të pacezuruara. Këto ndikojnë negativisht në formimin e karakterit dhe në rritjen ideale të fëmijës.

Fëmijët nuk lindin me ndjenjën e respektit, ajo mësohet, kultivohet, përforcohet. Dhe nëse shtëpia nuk është më vendi bazë ku mësohet dinjiteti, atëherë çfarë mund të presim nga shkolla, nga rruga apo nga mediat? Prindërit nuk janë thjesht kujdestarë fizikë. Ata janë arkitektët e karakterit të fëmijëve të tyre. Dhe kur arkitektura shpirtërore ndërtohet pa themele, çdo stuhi e jetës e shemb pa mëshirë.

Nga ana tjetër, shkolla ka një rol të pazëvendësueshëm në formimin e brezave, por ajo nuk mund të kompensojë mungesën e edukimit emocional dhe moral që duhet të vijë nga familja. Mësuesit mund të japin njohuri, por nuk mund të injektojnë ndjenjën e përkatësisë në një zemër që nuk ka njohur kurrë respektin. Shoqëria jonë ka nevojë për një riformatim të prioriteteve edukative. Nuk mjafton të flasim për sukses akademik, për nota, për diploma. Duhet të flasim për karakter, për ndjenjë, për respekt, për identitet.

Flamuri kombëtar shqiptar nuk është thjesht një shenjë grafike me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjë të zezë. Ai është testamenti i gjakut të derdhur, i mijëra dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë, për dinjitetin, për të drejtën që ne sot të flasim shqip, të jetojmë si shqiptarë, të kemi një tokë që e quajmë atdhe. Çdo përdhosje e flamurit është një përdhosje e kujtesës kolektive. Është një fyerje ndaj historisë, ndaj sakrificës, ndaj gjeneratave që luftuan me shpirt për atë që ne sot shpesh e marrim si të mirëqenë.

Si psikolog shkollor, e shoh këtë akt jo thjesht si një shkelje morale, por si një shenjë alarmi për mungesën e ndjenjës së përkatësisë. Të rinjtë që nuk ndihen pjesë e një komuniteti, që nuk e kuptojnë historinë e tyre, që nuk ndjejnë krenari për simbolet e kombit, janë të cenueshëm ndaj sjelljeve destruktive, ndaj rebelimit pa kauzë, ndaj boshllëkut identitar. Kjo nuk është thjesht çështje disipline. Është çështje psikologjike, sociale dhe kulturore. Dhe nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë vonë.

Ky incident duhet të shërbejë si pikë kthese. Duhet të na zgjojë nga gjumi i rehatisë dhe të na shtyjë drejt një mobilizimi të përgjithshëm edukativ. Prindërit, shkollat, institucionet, mediat, të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë për të rikthyer respektin, ndjenjën e përkatësisë dhe edukimin moral në qendër të vëmendjes. Le të mos e lëmë flamurin të përdhosen më. Le ta mbrojmë jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, duke mbrojtur vlerat që ai përfaqëson.

 

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

RKL: A duhet të krenohet shteti me të hyrat e ATK-së, apo të ndihet fajtor për humbjet milionëshe nga BE?

Administrata Tatimore e Kosovës, ka shënuar rezultate mbresëlënëse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. …