Lajmet e Radio-Kosova e Lirë më 21 qershor të vitit 1999 (Arkivi III)

Lajmet e Radios-Kosova e Lirë më 21 qershor të vitit 1999 (Arkivi III)

Sot është 21 qershori i vitit 1999. Burime të ndryshme informative kanë bërë të ditur se trupat policore ushtarake e paraushtarake serbe, definitivishtë janë larguar nga Kosova, ashtu sikurse ka qenë paraparë me marrëveshjen e 10 qershorit, në Kumanovë.

 Dje, komandanti i përgjithshëm i NATO-s, V. Klark, e ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj aleance veriatlantike, z. Havier Solana mbi përfundimin e procesit të largimit të të gjithave forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova. Sipas këtij njoftimi, të gjithë trupat pushtuese janë larguar nga territori i Kosovës, 11 orë para afatit të ultimatumit. Si rezultat i këtij procesi, sekretari Solana urdhëroi ndalimin e sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, të cilat ishin pezulluar 11 ditë më parë. Njëkohësisht kontrollin mbi tërë Kosovën e kanë marrë trupat paqeruajtëse të NATO-s e të vendeve të tjera, anëtare të OKB-së.

 Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalimin e tij në përmbyllje të samitit jubilar të NATO-s, ka deklaruar se fitorja kundër Jugosllavisë është imperativ moral i NATO-s. Lufta në Kosovë promovoi strategjinë e re të Aleancës Veriatlantike, nga se të gjithë folësit në Samit, Kosovën e quajtën sprovë për të ardhmen.

 Dje, ministrat e BE miratuan njëzëri vendimin për embargon e naftës ndaj Jugosllavisë. Përveç kësaj i shpallën sanksione të reja ekonomike, duke i ngrirë të gjitha pasuritë në bankat e vendeve të Unionit. Njëkohësisht u mor edhe masa e ndalimit të udhëtimit në këto vende për Millosheviqin, familjen e tij dhe kastën e tij udhëheqëse.

 Burimet tona nga tereni bëjnë të ditur se në fshatin Dragaçinë të Komunës së Suharekës, në pusin shtëpiak të Shahin Trollit, po nga ky fshat është zbuluar një vendvarrim ku mendohet se janë hedhur 10 shqiptarë të vrarë e të masakruar paraprakisht nga bandat serbe. Ekipi i ushtarëve gjermanë, ka arritur të nxjerrë nga pusi njërin nga të viktimizuari. Ata po punojnë për të nxjerrë të gjitha kufomat e gjymtuara e të sakatosura.

 Vazhdon me ritëm të pandërprerë riatdhesimi i të dëbuarve, që muaj me parë ishin vendosur në Shqipëri e Maqedoni. Vetëm gjatë ditës së djeshme, burimet shqiptare të informimit kanë konfirmuar hyrjen në Kosovë të 6000 shqiptarëve të shpërngulur, të cilët kanë kaluar nëpër Qafë të Morinës. Edhe në pikën kufitare të Bllacës në Maqedoni, vargu i të riatdhesuarve dje shtrihej në një kolon dy kilometërshe.

 Gazetarët e radios franceze RFI, që kanë qëndruar në Pejë, kanë konstatuar se ky qytet shqiptarë ka pësuar më së shumti nga shkatërrimet dhe rrënimet. Po thuajse tërë qyteti është djegur, plaçkitur, ndërsa të vetmet shtëpi që nuk kanë pësuar dëme janë ato të serbëve e të malazezëve

 Burimet shqiptare të informimit bëjnë të ditur se, qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës që kishin depërtuar, nga Shqipëria në Itali, kanë filluar të kthehen fillimisht drejt Durrësit, për të vazhduar më pas rrugën e kthimit në Kosovë, në vatrat e tyre nga ku tre muaj më parë janë dëbuar me dhunë nga policia e ushtria okupatore serbe.

  

Të nderuar dëgjues të Radios-Kosova e Lirë! Misioni i kësaj Radioje ka qenë i lidhur ngushtë me luftën çlirimtare që është zhvilluar në Kosovë që nga nëntori i vitit 1997 e deri tani. Ne, redaksia e radios mendojmë se misioni ynë, si zëdhënës i luftës çlirimtare është përmbushur. Vazhdimi i mëtejmë i transmetimit të programit në kushte e rrethana të reja, do të nënkuptojë një koncept të ri të politikës redaktuese. Po ashtu konsiderojmë se, i kemi përmbushur detyrat dhe obligimin tonë kombëtar, në kuadër të funksionimit të valëve të zërit të “Kosovës së Lirë” e cila qysh sot do të pushojë veprimtarinë, derisa të krijohen kushte e rrethana të reja, për të realizuar konceptin e ri programor, që kërkon e ardhmja, nga “Kosova e lirë”.

Mesazhi ynë për popullin tonë të shumë vuajtur dhe për UÇK-n, e cila mori përsipër, organizoi e udhëhoqi me sukses luftën kundër okupatorit serb, konsiston në ruajtjen e unitetit gjithëkombëtar, në kthimin e riatdhesimin e të gjithë të dëbuarve dhe në fillimin e funksionimit sa më të shpejt të jetës së organizuar politike, shoqërore e qytetare në Kosovën e re, të lirë e demokratike.

 Mirë u dëgjofshim në Kosovën e fitoreve të reja.

Forcat serbe janë dëbuar definitivisht nga vendi ynë, pasojat kanë mbetur

Është bërë i njohur lajmi për largimin definitiv të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Së bashku me ushtrinë kriminale po largohen edhe shumë serbë, sidomos ata që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve.

Kësaj radhe serbët e kanë realizuar çdo pikë të Marrëveshjes për tërheqje e cila është realizuar dy ditë më parë, por sot është zyrtarizuar. Forcat franceze kanë zënë Mitrovicën ndërsa një pjesë e madhe e serbëve është ndalur në pjesën veriore të qytetit. Edhe forcat ruse janë stacionuar në Fushë Kosovë dhe në Aeroportin e Prishtinës. Po flitet se forcat ruse do të inkuadrohen në radhët e KFOR-it. Në Kosovë tanimë kanë depërtuar forcat amerikane, gjermane, austriake e të tjerë.

Sot morëm edhe një lajm të hidhur. Në përpjekje për të deminuar vendin në orborrin e Shkollës, në Lagjen e Bytyçve, në fshatin Arllat  kanë rënë dy luftëtarë të lirisë, dy ushtarë anglezë dhe një rojtar i shkollës. Me rastin e largimit të minave, njërit prej  ushtarëve anglezë i ka shpëtuar bomba kasetë nga dora dhe nga shpërthimi kanë gjetur vdekjen të gjithë. Barbarët janë larguar por prapa kanë lënë gjurmët e sodomisë së tyre kriminale. Në mesin e ushtarëve të rënë janë Sami Gashi, Osman Krasniqi dhe Milazim Gashi. Emrat e ushtarëve anglezë nuk kemi arritur t i mësojmë.

Sot kemi paralajmëruar ditën e fundit të transmetimit të emisionit në majen e Pallanikut. Përmes një shënimi  i kemi bërë të ditur emrat dhe mbiemrat e anëtarëve të stafit dhe punën që kanë kryer gjatë kësaj periudhe  afër gjashtëmujore.

Ndërprerja e programit pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova ka  simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitorës qysh më 4 janar kishte qenë një hap tejet i guximshëm, por tani i bërë realitet.

Radio-Kosova e Lirë ka kryer misionin që ka caktuar vetvetës dhe sot po e përmbyll kapitullin më të rëndë por edhe më të lavdishëm të ekzistencës së vet. Ishte radioja e vetme e luftës në Kosovë që së bashku me agjencinë Kosovapres, u bënë jehonë e vërtetë e luftës çlirimtare. Me radion tonë kanë bashkëpunuar qindra liridashës nga mbarë trevat e përfshira në luftime. Në fushën e nderit ka rënë Xhavit Bajraktari anëtar i stafit në terren. Në mbrojtje të Rrafshnaltës dhe të pozicioneve tona nga ku kemi transmetuar prej 1 prillit deri më 2 maj 1999 kanë rënë  11 dëshmorë të lirisë.

Në Brigadën 121, të Zonës Operative të Pashtrikut, ku e ka shtrirë aktivitetin transmetues Radioja Kosova e Lirë dhe Agjencia kosovapres kanë rënë 65 dëshmorë, në mesin e tyre edhe Ismet Jashari -Komandant Kumanova.(21.6.1999 Radio Kosova e lirë)

Radio “Kosova e lirë”, ka filluar transmetimin e emisioneve, më 4 janar të vitit 1999. Fillimisht kemi transmetuar 15 deri 30 minuta program provues informativ. Pa vonuar ka filluar zgjerimi i programit ditor me emisione të ndryshme, si, reportazhe, intervista, biseda me ushtarë e eprorë të UÇK-së, biseda me familje të dëshmorëve e të tjera. Përveç informatave burimore nga terreni, kemi dhënë edhe komente të vazhdueshme në të cilat është pasqyruar qëndrimi politik i SHP të UÇK-së, lidhur me rrjedhat dhe zhvillimin e ngjarjeve, gjatë kësaj periudhe kohore.

Një vend të rëndësishëm në kuadër të programit tonë ditor, kanë zënë edhe shkrimet e ndryshme tematike, për dëshmorët, shënime përvjetorësh të luftës sonë për liri e pavarësi, pastaj emisioni i muzikës së zgjedhur popullore. Në kuadër të emisioneve tona informative janë transmetuar edhe komunikata e informata të tjera të SHP të UÇK-së si komunikata e deklarata të komandave të zonave operative nga terreni.

Emisionet kanë qenë kreative, aq sa kanë lejuar kushtet e rrethanat në territorin që e kishte nën kontroll ushtria jonë çlirimtare. Jemi ballafaquar me pengesa të ndryshme të natyrës objektive, me mungesë të kuadrit, me mungesë të shprehur të mjeteve e pajisjeve më se të nevojshme, por, megjithatë kemi vazhduar punën me këmbëngulje, përkushtim e sakrificë.

Ekipin e radios “Kosova e lirë” e përbëjnë tetë anëtar të përhershëm:

Ahmet Qeriqi, përgjegjës i radios, redaktor dhe hartues i shkrimeve të ndryshme tematike.

Nezir Myrtaj, komentator, hartues dhe redaktor i rubrikës ditore informative.

Martin Çuni, gazetar, redaktor dhe realizues i programit ditor.

Nustret Pllana, spiker, zgjedhës i muzikës dhe pjesëmarrës në realizimin e programit ditor.

Habib Zogaj, Gazetar, bashkëpunëtor nga terreni.

Valdet Hoti, teknik i zërit dhe realizues i programit ditor.

Rizah Berisha, teknik, vozitës dhe furnizues.

Fatmir Dugolli, teknik i radios dhe mirëmbajtës i pajisjeve elektronike.

Gjatë gjithë kohës së funksionimit të deritanishëm, ekipi i radios ka qëndruar në fshatin Berishë. Stabilimentin e transmetimit, antena, transmetuesit, po ashtu kanë qenë të vendosura në pikat strategjike malore të këtij fshati.

(21.6.1999 Radio Kosova e lirë)

Apel  i Sektorit për Shëndetësi të SHP të UÇK-së

Në një thirrje të sektorit për shëndetësi të SHP të UÇK-së ndër të tjera thuhet: Me angazhimin mbinjerëzor të personelit mjekësor, që ishte i pamjaftueshëm në zonat e luftës dhe me ndihmën e UÇK-së, u arrit të kurorëzohet me sukses  edhe kjo periudhë e rëndë, por e lavdishme e punës kombëtare, profesionale dhe humanitare e mjekëve tanë.

Tani jemi në një periudhë tjetër kohore, që karakterizohet me lirimin e tërë hapësirës së Kosovës, pra edhe të objekteve spitalore.

Për të evituar gjendjen e katastrofës humanitare, në të cilën gjendet populli ynë, ftojmë personelin mjekësor që të kthehet në atdhe dhe në vendet e punës.

Edhe pse objektet shëndetësore janë të demoluara dhe të shkatërruara nga barbarët serb, me ndihmën e asociacioneve humanitare ndërkombëtare ato do të kompletohen me pajisje moderne.

Mos prania me kohë e personalit mjekësor le të mbetet në ndërgjegjen e secilit person.

Shfrytëzojmë rastin ti bëjmë thirrje edhe popullsisë së zhvendosur, e cila një kohë të gjatë ka qëndruar jashtë vendbanimeve, që kthimin në vatrat e tyre ta bëjnë në mënyrë të organizuar dhe të kontrolluar nga njësitë e UÇK-së. Vetëm atëherë, kur ato paraprakisht ta kenë kontrolluar terrenin nga minat, bombat dhe lëndët tjera shpërthyese, të instaluara nga kriminelët serb, paraqesin rrezik permanent për jetën e qytetarëve, popullsia mund të kthehet pa frikë në vatrat e veta,-thuhet në thirrjen e Sektorit për Shëndetësi të SHP të UÇK-së.

(21.6.1999 Radio Kosova e lirë)

Kontrolloni gjithashtu

Dokumente: Raport mbi punën e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vërtetimin e deformimeve dhe keqperdorimin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Kosovë, 1 nëntor 1966 (8)

Dokumente: Raport mbi punën e Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës në vërtetimin e deformimeve dhe keqperdorimin e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror në Kosovë, 1 nëntor 1966 (8)

T: Policia dhunonte gratë të praqitura si palë! Moto: Mt:Mallevrizimet me mallin e kontrabanduar dhe …