Leart Kola: Kundra kujt kanë luftuar Zogu, Mid’hati, Deva?! Ku i kanë bustet dhe shtëpitë ata? Turpi me historinë!

Prej kohësh, sidomos në vendet e lindjes, ka një plan për rehabilitimin e figurave që kanë bashkëpunuar me nazizmin, sigurisht që ky huazim nga e shkuara bëhet për të justifikuar politikat aspak demokratike dhe populiste të së tashmes.

Kështu veprojnë sot politikanët në Hungari, Poloni, Sllovaki, apo Çeki. Rehabilitimi historik i këtyre figurave ndodh në sfondin e rritjes së racizmit, ksenofobisë e cila reflektohet jo vetëm në hostilitetin e heshtur të ligjeve të këtyre vendeve kundra “të huajit”, qoftë ky si i një kombësie tjetër apo si “tjetri” homoseksual, liberal etj, por dhe në atë të zhurmëshëm të mureve përreth qyteteve për të mbrojtur “rracën e pastër ariane” nga devijancat e ndryshme, nënteksti është i qartë: “pushtet absolut për liderin dhe relativizimin e të drejtave të njeriut”.

Nga kjo sëmundje nuk mund të shpëtonte as Ballkani, vend në të cilin e ardhmja nuk vjen kurrë, mjafton të kujtojmë rehabilitimin dhe aktivizmin publik në Kroaci pro-Ustashëve (varianti nazist në Jugosllavi gjatë Luftë së Dytë Botërore) formacion ushtarak i cili ka operuar zyrtarisht nën urdhërat e nazizmit.

Kroacia sot po përballet me këtë peshë në debatin publik, por siç ka lajme të keqia si manifestimet pro-Ustashëve, ka dhe lajme të mira, si ai i kryetarit të bashkise se Zagrebit Tomasevic, i cili merr vendimin që në përkutjimoren e masakrës së 1991-shit të shtoj emrat e një familje serbe e cila ishte lënë jashtë, duke deklaruar që “të kujtojmë në mënyrë që kurrë më njerëzit mos të vriten vetëm pse i përkasin një kombësi të ndryshme nga njëri-tjetri”. Aty ku nuk ka asnjëherë lajme të mira është Shqipëria, e cila jo vetëm që nuk ka asnjë debat publik apo privat për kohën e zogizëm-fashizëm-nazizëm por operon nëpërmjet spontanitetit duke shpërndarë medalje majtas-djathtas pa asnjë kriter, shtatore vend e pa vend dhe rrjedhimisht në këtë formë duke mirëmbajtur mitet e rreme, që gjithësecili pa asnjë lloj kritike dhe asnjë lloj dije që “babgjyshi injorant” shpalos në hapësirën publike.

Historia na mëson se injoranca është terreni më i shkëlqyer për idetë e mbrapshta të racizmit. E ku ka më mirë se në trysninë e frustrimit të mungesës së një të ardhmeje ekonomike dhe sociale, ne ti kthehemi miteve të së shkuarës, fundja dhe nazizmi në Gjermani prodhim i kësaj situate ishte.

Prej vitesh tashmë pa dallim partiak në Shqipëtari ka një përpjekje për të rehabilituar duke nderuar figura të diskretituara historike; në Tiranë kemi një Bulevard Zogu I, i përuruar nga e djathta aso kohe në pushtet.

Ahmet Zogu si figurë historike e kohëve moderne nuk mund të ketë asnjë ekuivok sepse ka dokumente për aktivitetin e tij. Ai erdhi në pushtet me anë të forcave serbe, duke shitur një pjesë të tokave të vendit të tij vazhdoi duke instaluar një diktaturë e duke shpallur veten e tij mbret. Më pas sundoi duke e venë Shqipërinë në dispozicion të Italisë fashiste e në fund vodhi pasurinë e përbashkët dhe u arratis duke jetuar lart e poshtë gjithë jetën e tij.

Me dokumente dhe me fakte historike Zogu I  është një hajdut ordiner, i cili nga nevoja për pushtet dhe para u bë dhe tradhtar. Kaq. Socialistët pasi erdhën në pushtet vendosën të bëjnë një bust dhe për gruan e tij, e cila ishte thjesht dhe vetem gruaja e një hajduti.

E megjithatë, pavarsisht këtyre gjërave kemi një maternitet me emrin e gruas së tij dhe një bulevard me emrin e tij. Me këtë standart vlerësimi, kjo qeveri, duhet që të ndërroj emrin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe të vendosë emrin “Ilir Meta”, nuk kemi pse presim dhe humbim kohë, ai dhe e shoqja e kanë jëtëshkrimin të përshtatshëm për të zbukurar me emrat e tyre atë boulevard.

Po nëse Zogu I ishte i orientuar drejt plaçkitjes, nderimet që Kryeminsitri i Shqipërisë i bëri Mid’hat Frashërit apo ajo që Ministria e Kulturës së Kosovës  po bën duke restauruar për muze shtëpinë e Xhaferr Devës janë shumë më problematike, sepse po nderojmë njerëz të cilit ishin ideologjikisht të përfshirë në krime kundra njerëzimit.

E sidomos ky i fundit tek i cili do të ndalem pak më gjatë, sepse është Xhaferr Deva, që përmban brenda vetes së tij gjithë problematiken e miteve të ndërtuara për kohën e pushtimit nazist në Ballkan. Xhaferr Deva, njihet për historinë e shkurtër dhe kohën më të errët të terrorit nazist në Shqipëri, ku ka qenë Ministër i Brendshëm në vitin 1944 në pranverën e po atij viti ai ngarkon Bedri Pejanin me detyrën për të ndërtuar divizionin “SS SKENDERBEG”, i cili duhet të merrej me gjetjen dhe shfarosjen e hebrenjve në Shqipëri.

Ai njihet gjithashtu si ideatori dhe autori i “Masakrës së 4 Shkurtit” në Tiranë ku 84 të rinj u pushkatuan në rrugët e qytetit.

Së pari, jam i tronditur, se si ky rehabilitim i kësaj figure bëhet përgjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, kjo jo vetëm për faktin që VV besohej të ishte e vetmja parti e majtë në sferën shqiptare (anëtare e Internacionales Socialiste dhe Aleancës Progresive) por dhe sepse shumica e drejtuesve janë deklarativisht të majtë dhe njohës të mirë të historisë, sidomos të asaj të Luftës së Dytë Botërore. Aq më shumë është problematike, pasi bëhet pikërisht kur në krye të ministrisë qëndron një djalë intelektual si Hajrulla Çeku, i cili paradoksalisht për disa vite ka qenë dhe zëvendësministër kulture në Shqipëri.

Jam i sigurt që Hajrullau ka kaluar kushedi sa herë në qendër të Tiranës ku është dhe rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, e cila mban emrin pikërisht të atyre të masakruar nga Xhaferr Deva, gjithashtu me gjasë disa prej pasardhësve të atyre që janë masakruar, nëpërmjet taksave kanë paguar rrogën zëvendësministrit Çeku!

Po kundra kujt kanë luftuar Zogu I, Mid’hati, Deva?! Kundër Xhemal Kadës e Asim Vokshit, Petro Markos, Skënder Luarasit etj, të cilët e luftuan fashizmin në Gjakovë, Pejë, Elbasan, Preshevë, Tiranë para se të kishte një Parti Komuniste në këto vise, vetëm me besimin e një çështje humaniste! Ku i kanë shtëpitë e bustet këta?

Sot ata janë krenaria e Shqipërisë si vullnetarë të lirisë në Luftën e Spanjës, Xhemal Kada u regjistrua në brigadën Garibaldine, sepse kur i thanë je jugosllav, ai deklaroj që Lufta e Spanjës nuk ishte vetëm për çlirimin ndaj fashizmit por dhe për vetëvendosjen e popujve, a ka simbolikë më të bukur se të nderosh atë prej të cilit ke marrë emrin e partisë?!

E në vend të kësaj, ne i restaurojmë shtëpinë turpit më të madh, që i ka ndodhur ndonjëherë historisë shqiptare, krijuesit të Brigadës SS apo kreut të Ballit, e me të njëjtën fytyrë bredhim botën e themi se ne kemi shpëtuar hebrenjtë dhe marrim meritat për këtë. Mirë që në atë kohë nuk ishin këta të kësaj kohe, se jo vetëm që do turpëroheshim pa kthim, po as Shqipëri dhe as Kosovë nuk do kishte, sepse do ishim rreshtuar në anën e gabuar të historisë.

Nazizmi nuk debatohet por vetëm dënohet! Megjithatë sot e gjithë ditën mite të ndryshme artikulohen pa teklif në hapësirën publike. Një prej tyre është që në kohën e nazizmit ka pasur Shqipëri të Madhe. Si t’ua shpjegosh trutharëve, që në kohën e nazimit nuk ka pasur as Shqipëri, as Greqi, as Jugosllavi, as Francë, sepse harta ishte një zonë me kryq të thyer, për pasojë nuk ka pasur një Shqipëri të Madhe por shqiptarë të pushtuar.

Miti tjetër është, që në Kosovë u hapën shkolla shqipe gjatë asaj periudhe. Dua kësaj ti përgjigjem ashtu siç Fatos Lubonja ju përgjigj një majtisti në Zvicër kur gjatë një konference i tha që komunizmi kishte zhdukur analfabetizmin.

Ai i tha: – ‘nëse zhvillimi i arsimit bëhet për të shplarë trutë e njerëzve atëherë ai nuk është zhvillim arsimi, por një mekanizëm më shumë në dorë të pushtetit për të kontrolluar mendjet e njerëzve’. Pra, nëse nazizmi ka hapur shkolla shqipe, që idetë raciste të shpërndaheshin më shpejt ndër shqiptarët, kjo është pjesë e së keqes. Jo diçka për t’u mburrur, por diçka për t’u fshehur sa më shumë dhe ishalla nuk na dëgjon njeri.

Meqënëse shumicës së atyre, që e quajnë veten nacionalist i pëlqen të bëjnë një përthyrje jo të logjikshme të historisë duke thenë së krimet e nazizmit justifikohen sepse e pamë, që komunizmi gjithashtu bëri krime, ky është prap një mendim budalla.

Nuk mundet, që krimet të justifikohen në retrospective. Ata nuk vranë atëherë se e dinin ça do ndodhte në të ardhmen, përveç faktit që ky është një argument, që mund të përdoret për çdo rast, sepse dhe ata që kanë ushtruar krime në komunizëm mund të thonë, që e bëmë këtë për të shmangur demokracinë, që do prodhonte viktima në 97-ën etj.

Arsyeja pse bota sot e dënon specifikisht nazizmin është sepse krimet e tij nuk ndodhnin vetëm si kundërveprim të një aktiviteti politik kundërshtues, por përveç kësaj ishin racistë dhe synonin shfarosjen e racave të tjera në mitin absurd të rracës së pastër.

Kjo na çon tek miti tjetër i shqiptarëve për atë kohë, ku thonë se Hitleri i donte shqiptarët se ishin rracë e pastër. Kjo jo vetëm, që është e gabuar historikisht, genetikisht, faktikisht, por është dhe një turp i madh që njeriu nuk duhet ta mendojë edhe jo më ta thotë me zë të lartë, kështu që këtij qendrimi duhet t’i përgjigjemi vetëm me një: “turp të të vijë”.

Është e trishtë, që pas gjithë kësaj kohe pas gjithë këtyre fakteve dhe pas gjithë kësaj mundësie që teknologjia ka ofruar për të verifikuar faktet të përballemi më këtë lloj gjëndjeje. Të ngecur në disa diskutime, që duhet të dënohen dhe kaq.

Ato ishin qeverisje kriminale atëherë dhe mbeten kriminale edhe sot. Eshtë e trishtë, që e majta si këtu dhe në Kosovë vazhdon flirton me ose pa dashje me populizma të kësaj natyre.

Standardi, që vendosim sot do përcaktojë të ardhmen, mënyra se kë nderojmë sot do na përkufizojë si shoqëri, me bustet e Zogut, Mid’hatit apo Xhaferr Devës dhe pse sot duken si aktivitete pa rëndësi, po i hapim rrugën një lloji të ri të populizmit të djathtë racist dhe ksenofob, i cili në një shoqërie emigrantësh dhe të vuajturish nuk duhet të kishte dhe nuk duhet të ketë më vend.

No Passaran!

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …