Vetëvendosje

Lëvizje Vetëvendosje e ka pritur me kritika të ashpra shtyrjen e mandatit të EULEX-it në Kosovë

Lëvizje Vetëvendosje e ka pritur me kritika të ashpra  shtyrjen e mandatit të EULEX-it në Kosovë. Ky mision kishte ardhur në Kosovë me premtimet për luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe forcimin e sistemit vendor të drejtësisë, por që sipas saj ka dështuar në misionin e marrë. Madje EULEX-i e do Kosovën pafundësisht me korrupsion e krim sepse kështu e justifikon jetëgjatësinë e vet. “Misioni i EULEX-it erdhi në Kosovë me premtimet për luftim të krimit dhe korrupsionit si dhe forcim të sistemit vendor të drejtësisë. Asnjëra nga këto dy premtime nuk u realizua ngase qëllimi i vërtetë i EULEX-it asnjëherë nuk ka qenë drejtësia në Kosovë. Kjo trupë që nga fillimi ka pasur për qëllim menaxhimin e krizave dhe ruajtjen e stabilitetit, por ruajtja dhe stabilizimi i situatës për realitetin tonë, nënkupton stabilizim të krimit e korrupsionit që rrënjët i ka në majën e piramidës shtetërore. “Si rezultat i kësaj paradigme, EULEX-i u përfshi edhe vetë në menaxhimin e politikës ditore, duke ndërtuar raste sipas porosive dhe interesave të partive në pushtet. Kjo e bëri këtë mision pjesë të organizimit kriminal të pushtetit në Kosovë”, thuhet tutje.

Institucionet e Kosovës kanë nevojë për E ULEX-in sepse autoriteti ekzekutiv i tij u shërben atyre si alibi për mungesën e përgjegjësisë, kurse ai do Kosovën pafundësisht me krim e korrupsion sepse kështu ndërtohet justifikimi për t’ia zgjatur vetes jetën. “EULEX-it nuk duhet t’i zgjatet jeta sepse prania e tij nuk mund të jetë e dobishme në asnjë rrethanë. Kosova duhet të pushojë se trajtuari nga BE si çështje e sigurisë në kuadër të menaxhimit të krizave. Nga kjo paradigmë duhet kaluar tek nevoja për drejtësi, zhvillim e mirëqenie. E drejtësia nuk vjen asnjëherë nga jashtë dhe vetë EULEX-i është dëshmi për këtë”, thuhet në fund të reagimi të Vetëvendosjes.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …