Libri, “Krimet serbe në Kosovë”, Rasti i Deçanit, i autorit, Adem Lushaj, një vepër e arrirë hulumtuese-shkencore

Libri “Krimet serbe në Kosovë”, Rasti i Deçanit, vepër e autorit, Adem Lushaj, i bashkohet literaturës sonë të kohës së luftës së viteve 1998-1999, veçmas veprave që kanë ndriçuar dhe po ndriçojnë  me  gjuhën e fakteve e të argumenteve krimet që ka kryer Serbia  pushtuese në Kosovë, për më shumë se 100 vjet, e sidomos në luftën e fundit.

Adem Lushaj, është emër i njohur i publicistikës në Kosovë  e më gjerë. Është autor i disa veprave, analist, veprimtar, bashkëpunëtor në shumë medie e portale. Shkrimet e tij janë të sajuara me mjeshtërinë e  gazetari me përvojë, të thurura e të sistemuara  me   një imagjinatë kreative, që le mbresa,  me një diskurs të pasur, me motivacion dhe qëndrim realist e të paanshëm të problemeve që merr në shqyrtim. Ademi, është në mesin e atyre gazetarëve që e bën zap fjalën dhe nuk e lëshon kuturu, sikur bëjnë jo pak syresh. Është mjaft i përmbajtur e tolerant në  mendimet e qëndrimet ndryshe.

Libri: Krimet serbe në Kosovë, Rasti i Deçanit, krahas disa veprave me tematikë të tillë nga autorë të njohur, zë një vend meritor në ndriçimin e krimeve që kanë kryer  kriminelët e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, veçmas në rajonin e Dukagjinit, ndërsa në rrethin e Deçanit në veçanti,  ku mizorët, ushtarë e policë  serbë, disa vendorë dhe shumë të tjerë të ardhur nga Serbia  kanë kryer edhe masakrën  më të llahtarshme, në Meje të Gjakovës, e cila për nga numri i të masakruarve  qëndron në radhën e parë të krimeve monstruoze serbe të kryera në territorin e Kosovës, dhe, me të drejtë krahasohet si Srebrenica e Kosovës, edhe pse jo për nga dimensioni dhe  numri i të masakruarve.

Autori i këtij libri, përmes një metodologjie të avansuar  shkencore, profesionale, iu ka qasur lëndës me përgjegjësi, duke  e mbarë shtruar në sinkroni e diakroni, duke e ilustruar me fakte e dëshmi relevante, duke cituar literaturë tematikash të ngjashme, duke intervistuar qindra dëshmitarë të gjallë, të mbijetuar të masakrave, të cilat i ka përfshirë  në librin e tij, duke  sistemuar pjesët e veçanta  në një tërësi organike, të pajisur edhe me shumë ilustrime, citime faktesh dhe dokumentesh, faksimile e dëshmi të shumta, që ia shtojnë besueshmërinë dhe kredibilitetin kësaj vepre  me rëndësi për kohën.

Adem Lushaj  për veprën e tij, Krimet serbe në Kosovë, Rasti i Deçanit ka gjurmuar e hulumtuar në më shumë se 20 fshatra të Deçanit, duke marrë shënime, sikur thuhet shtëpi për shtëpi, duke prezantuar të dhënat për dëshmitarët, vendin, kohën dhe të gjitha elementet përbërëse të punës hulumtuese shkencore. Leximi i një vepre të tillë, të merr dy tri orë kohë, por hartimi në një nivel të tillë  të arrirë, të merr  muaj të tërë  e ndonjëherë edhe vite të tëra, për ta nxjerrë në dritë një vepër si kjo. Andaj është për çdo lavd puna e tij  vullnetare e këmbëngulëse, për të dhënë kontribut në ndriçimin e së vërtetës për luftën e krimet që ka kryer Serbia okupatore në Kosovë e më gjerë.

Një dimension tjetër i veprës është edhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në atë rajon, sulmet dhe shkatërrimet barbare që ka kryer regjimi serb mbi shtëpitë, pronat  dhe pasurinë e shqiptarëve, pastaj ikja e popullatës për të Shqipëri e Mal të Zi, përpjekja për  mbijetesë  dhe në fund edhe çlirimi nga dhuna e barbaria e regjimit serb të Millosheviqit.

E veçanta e këtij libri është  në radhë të parë lënda e sistemuar me mjeshtri e përkushtim, e stisur nga të gjithë faktorët primarë, sekondarë terciarë, të cilët i ka inkorporuar me sukses në një tërësi tematike, të kuptueshme për çdo lexues dhe të mirëseardhur për çdo studiues, që merret me krimet që kanë kryer serbët  në Kosovë. Është fatkeqësi që librat për masakrat, përveç  në raste të veçanta   nuk përkthehen  dhe nuk botohen edhe në anglisht, frëngjisht, gjermanisht e pse jo edhe në serbisht, me qëllim që për këto krime të njoftohet një opinion më i gjerë, ndërkombëtar.

Pavarësisht nga kjo, libri mbetet përgjithmonë si dëshmi në institucione, në biblioteka në librari, dhe në duar të lexuesve, për të mësuar e për të mos harruar zezonat e së kaluarës.

Autori në veprën e tij ka përshkruar gjerësisht shumë nga ngjarjet e ndodhitë e kohës së luftës së viteve 1998-1999.

Kjo vepër, krahas veprave të tjera mjaft më arrira me të njëjtën tematikë,  si ato të studiueses, Fetnete Ramosaj, Pa Apologji kundër harresës,  Gjenocidi serb në Kosovë,  pastaj Masakra e Belegut e autorit,  Endrit Binakaj,  Lufta kundër vdekjes e Musa Berishës e të tjera shënojnë një të arritur të veçantë të zbardhjen e krimeve serbe, gjatë luftës në rajonin e Dukagjinit.

Ademi ka korrur mjaft suksese deri tani, por i dëshiroj edhe shumë suksese të tjera e mbi të gjitha shëndet e mbarësi në jetë.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

14 shtator 2022

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Meçe: UNË 1 MAJIN, NUK E KAM FESTË

Më shikoni?! Unë jam punëtori, por dhe i pa punë Skllavi i ri modern, që …