Doli nga shtypi libri “Rrëfime dhe tregimi i autorit, Sheqir Zeneli

Libri “Rrëfime dhe tregime” i autorit, Sheqir Zeneli, pasqyrë reale e vuajtjeve, e rënieve dhe ngritjeve njerëzore

Sheqir Zeneli, veteran i arsimit, veteran i UÇK-së, i burgosur politik dhe  anëtar i stafit të Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, ka nxjerrë në dritë librin: “Rrëfime dhe tregime”. Në këtë libër, autori ka radhitur disa nga rrëfimet e tij jetësore, fillimisht në vendlindjen e tij, në Prapashticë, pastaj vazhdimin e mësimeve në Normalen e Prishtinës,  kryerjen e studimeve, punën në arsim, protestat  e vitit 1981, në të cilat kishte marrë pjesë dhe ishte dënuar me burg si dhe tregime të tjera pas daljes nga burgu e deri në kohën e luftës së UÇK-së. Tregimet dhe rrëfimet e paraqitura në këtë libër janë përgjithësisht rrëfime të përjetuara nga ai vetë, familja e tij, shokët e burgut e të punës si dhe rrëfime të tjera, që kanë të bëjnë me një rreth të gjerë shoqëror. Për nga ndërtimi letrar ato janë tregime dhe rrëfime por të gjitha inkorporohen në një tërësi kompozicionale, harmonike me lidhje integrale mes veti. Libri ka 126 faqe, në  fund është prezantuar  një album me fotografi.  Botoi Radio-Kosova e Lirë. Shtypi “Shkrola” në Prishtinë.

Sheqir Zeneli nuk bëri punë për të bërë emër, por bëri  emër duke bërë punë në dobi të kombit e Atdheut

Sheqir Zeneli i takon plejadës së veprimtarëve të ilegales atdhetare dhe radhitet në mesin e atyre, që nuk bënë punë për të bërë emër, por bënë emër duke bërë punë në dobi të kombit e atdheut.

I afërt me njerëz, besnik dhe shumë i përkushtuar për shokë e miq, Sheqa tërë jetën e ka kaluar buzëqeshur në dukje, por brenda ka manifestuar një karakter të idealistit konsekuent, pa kompromis në rrugë drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Me Sheqën njihemi qysh nga koha e studimeve në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, pastaj një kohë kemi punuar bashkë, po ashtu për një kohë kemi vuajtur edhe burgun bashkë, ndërsa rruga e pandalshme e lirisë na gjeti bashkë edhe në radhët e UÇK-së, në Radion Kosova e lirë dhe në periudhën e pas luftës.

Në këto vitet e pleqërisë të dy jemi kthyer në vendlindjet tona, ai në Prapashticë, unë në Krojmir. Komunikimin dhe vajtje ardhjet nuk i kemi ndërprerë asnjëherë.

 

Një ditë erdhi në Radio dhe më tregoi se kishte hartuar një jetëshkrim për veten, jo për ta botuar, por për ta lënë në arkiv.  Ku di tha, “u plakëm, nuk i dihet së nesërmes. Le të mbetet të paktën një biografi këtu në Radio”.  Këtu është zëri ynë, le të mbeten edhe këto rrëfime për jetën.  Ndoshta, dikujt do t’ i duhet ndonjëherë.  Edhe ti je plakë, por nuk po e sheh veten, një ditë do të  dalë shpirti para kompjuterit”, më qortoi sikur bën zakonisht… Sheqa, nganjëherë më përngjet me Çobo Rrapushin e kohës sonë, sidomos kur kthehet nga Prapashtica dhe nuk bëhet dot rehat në Prishtinë, sepse i duket se të gjithë po e pengojnë. I duket se bota po shkon drejt theqafes, shpejtësisë, turrit e pangopësisë të njerëzve për të grabitur sa më shumë, duke shkelur fukaranë… Kur shkon në vendlindje, me bashkëshorten, Nazmie, shoqen e jetës dhe të idealit, atje herë-herë e vizitojnë  djali, bijat nipat e mbesat. Atje ka ndërtuar “çerdhen” e pleqërisë, në Prapashticën e tij të dashur e të paharruar, në Prapashticën e përgjakur, që i ka ngelur kujtim nga rrëfimet e gjyshes,  babait dhe bashkëfshatarëve. 

Nuk i bën zemra ta lë atë fshat, ku dora mizore e barbarisë serbe kishte kositur prej shtatë deri në shtatëdhjetë, një fshat të tërë. E ku lihet në vetmi e ku  harrohet një fshat martir, në tokën e të cilit gjenden eshtrat më shumë se 700 martirëve. Atje jeton Sheqa, atje  gjen prehjen jetësore të qetësisë dhe ngazëllimit në natyrë, e gjen veten dhe me të plotë drejtë konstaton se vetëm në çaste të tilla, në natyrë, në koh,  njeriu e jeton jetën e vërtetë, jetën, të cilën ia ka bërë dhuratë Hyji, natyra dhe që është favori jetik i çdo gjallese, të cilën jo të gjithë dinë ta gëzojnë.

 Me qëllim për të lenë edhe pak gjurmë në këtë libër, nuk mund pa përmendur disa elemente kyçe të biografisë dhe veprimtarisë të shokut tonë të dashur, Sheqir Zeneli, i cili nuk i ka prezantuar fare në kujtimet e tija.

 Ai, në jetëshkrimin e tij të shkurtër  nuk ka folur fare se e sa net kanë kaluar shokët e tij të ilegales, duke gjetur strehim në shtëpinë e vogël, të pamjaftueshme edhe për familjen. Sa herë është dashur të ngushtohet, por kurrë ngushtimi e bezdia nuk janë shfaqur në fytyrën e tij. Sa e sa herë ka rrezikuar për ata shokë së sot ia kanë kthyer shpinën e dikur kishin gjetur një strehë të sigurt, me aq sa kishte,  por kurrë pa bukë e pritje me zemër hapur. Dhe nuk ishim një, dy apo tre, por ishin disa dhjetëra, ishin madje edhe nga ata që sot e kanë harruar, jo vetëm atë por edhe Prapashticën, e kanë harruar edhe Mullirin ku kanë mbajtur një mbledhje ilegale, me të cilën krekosen kur e do nevoja. Kanë harruar se pikërisht duke organizuar atë takim, Sheqa ishte aksidentuar dhe mezi kishte shpëtuar gjallë, kishte rënë në hendek me Reno katërshin  e tij,  që qarkullonte gjithandej duke lidhur fijet e ilegales  nga Prishtina, në Shtime, Kizharekë, Drenoc, Has Begracë, Gjilan, Kamaran, Prapashticë, Prizren,  Sallagrazhdë, Therandë dhe kudo në lagjet e Prishtinës…

 

Sheqir Zeneli nuk ka folur sa duhet për vetveten në këto rrëfime, sepse rrugën e tij nuk e ka bërë vetëm për hir të shokëve, por në radhë të parë e ka bërë  për hir të Çështjes, për hir të çlirimit e bashkimit. Tërë një jetë, i tillë,  modest e punëtor ka qenë dhe ka mbetur Sheqir Zeneli, tani i mbetur mes Prapashticës e Prishtinës, mes vendlindjes së dashur, ku dikur me mund e vështirësi kishte kaluar jetën, dhe Prishtinës, e cila i kishte afruar më shumë mundësi, por edhe bezdi, shqetësime e pa parashikueshmëri.  Megjithatë, Prapashtica për të  është amaneti që nuk falet, trualli i larë me gjak nga ku nuk iket…  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Faton B.Mehmetaj: Doli nga shtypi ribotimi i librit: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit e autores, Fetnete Ramosaj

Faton B.Mehmetaj: Doli nga shtypi ribotimi i librit: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit e autores, Fetnete Ramosaj

“Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet atëherë, kur në të   do të marrin …