Emisari i Bashkimit Evropian që po lehtëson dialogun për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë ka zhvilluar takime me krerët e shtetit, të cilët nuk shprehen me propozime të reja, por gjithashtu u takua dhe me liderët e partive opozitare të cilët shfaqën kritika rreth qasjes së deritanishme të procesit. Dy liderë të opozitës, Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, kërkuan angazhim më të drejtpërdrejtë të SHBA-së për të siguruar një përfundim të qëndrueshëm të dialogut, duke theksuar se njohja e ndërsjellë duhet të jetë synimi kryesor. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi rëndësinë e një qasjeje të ekuilibruar të BE-së dhe respektimin e parimeve të barazisë dhe reciprocitetit në të gjitha fazat e dialogut.
