Brickos

Maela Marini: Antimafia italiane zbulon se njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare të Edi Ramës

Maela Marini: Antimafia italiane zbulon se njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare të Edi Ramës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot lidhur me zbulimin nga antimafia italiane se shkrimi i tre viteve më parë për kontejnerët me mbetje nga Italia në Shqipëri ishte fake news i porositur nga këshilltari i Ilir Metës, Ilir Kulla.

Kreu i Ekzekutivit thekson se shpifja e asokohe, “kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit (Ilir Meta)”.

“Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat iu hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë”, tha Rama.

Në një shkrim të publikuar sot, Shqiptarja.com iu referua vendimit të prokurorisë italiane e cila arrestoi 8 persona lidhur me ‘Fake News’-in e publikuar 3 vjet më parë nga faqja italiane “Pianeta Italia News” lidhur me lajmin se 1400 kontejnerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t’u groposur.

“Prokuroria italiane nga hetimet që ka bërë ka zbuluar se pas skandalit qëndron këshilltari i presidentit të sotëm Ilir Meta me inicialet I. K. “Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit të Ilir Metës”, deklaron antimafia italiane. Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online “Pianeta Italia News”, që prodhoi lajmin e rremë”, citon Shqiptarja.com.

Antimafia italiane deklaron se “njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare në mediet e vendit fqinj. Fushata denigruese nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare”.

Këshilltari i Ilir Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja “Pianeta Italia News” botoi lajmin e rremë. Këshilltari i kreut të sotëm të shtetit mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithçka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare.

Nga përgjimet flitet për një shumë prej 55 mijë eurosh që faqja italiane do të merrte për botimin e shkrimit.

Sot drejtësia italiane konfirmoi duke çuar 8 persona në pranga dhe zbuluar se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës.

Edhe gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” ka botuar një shkrim ku thekson se ish-senatori Sergio De Gregorio, i arrestuar si pjesë e një hetimi të DDA në Romë, në vitin 2017 kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili i kishte ngarkuar ish-senatorit detyrën e “organizimit të një fushate denigrimi kundër qeverisë shqiptare”, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, 30 000 euro të paguara për Kullën ishin pjesë e një shume totale prej 55 000 eurosh që De Gregorio i kishte marrë hua nga Eraldo Barletta (i pa hetuar).

Gjatë një bisede më 30 janar 2017, e përgjuar nga ekipi mobil i Romës, Barletta i ankohet De Gregorio për mospagimin e borxhit.

Bazuar në atë që doli nga përgjimet, lexohet në dokument, Kulla i kishte dhënë të drejtë De Gregorio për të organizuar përmes njohjeve të tij dhe mjeteve të komunikimit në dispozicion të tij, një fushatë mediatike denigrimi për qeverinë shqiptare, që do të provokonte rrëzimin e saj.

“Dhe përsëri: “Vetë Kulla kishte mbërritur në Itali pasditen e 26 shkurtit 2017 në mënyrë që të ndiqte nga afër këtë histori”, shkruan gazeta italiane.

Këshilltari i Metës, Ilir Kulla ka reaguar pas publikimit të këtij shkrimi duke e cilësuar thjeshtë një shpifje, ndërsa nuk e mohon njohjen e tij me ish-senatorin e përmendur.

Shkrimi i plotë i publikuar në medie:

https://www.ilfattoquotidiano.it/2020/06/04/de-gregorio-lex-senatore-finanzio-un-diplomatico-che-gli-aveva-chiesto-una-campagna-contro-il-governo-albanese/5823576/

https://shqiptarja.com/lajm/fake-news-per-konteineret-nga-italia-ne-shqiperi-prokuroria-italiane-lajmi-u-sajua-me-porosi-te-keshilltarit-te-ilir-metes?r=kh1

/m.m/ /a.g//r.e/  (ATSH)

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …