Malisheva shënon 27 vjetorin e lirisë dhe Ditën e Dëshmorëve

Me rastin e shënimit të 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, janë zhvilluar një varg aktivitetesh, ndërsa manifestimi qendror është mbajtur në Sheshin e Dëshmorëve. Me këtë rast janë kujtuar sakrifica dhe lufta çlirimtare, të arriturat e Malishevës gjatë 27 viteve të lirisë, si dhe janë ndarë çmimet tradicionale për trimëri e heroizëm, shëndetësi dhe arsim.

Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të shquara nga jeta publike dhe politike, familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, si dhe qytetarë të shumtë. Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, qeveria komunale, Kuvendi Komunal, figurat kyçe të luftës, si Fatmir Limaj – Komandant Çeliku, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, ish-kryetarët e komunës Isni Kilaj, Ragip Begaj dhe Daut Krasniqi, si dhe mysafirë e përfaqësues të subjekteve politike.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se “ka data që shënohen në kalendar dhe ka data që jetojnë përgjithmonë në zemrën e popullit. E tillë është edhe 16 Qershori – Dita e Çlirimit të Malishevës dhe Dita e Dëshmorëve”. Më pas, ai foli për luftën çlirimtare dhe kontributin e Malishevës në luftë, për vendin ku u luftua dhe u derdh gjak për liri, për vendin ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm, ku për herë të parë kumboi zëri i lirisë përmes Radio Kosovës së Lirë dhe ku, krahas luftës, zhvillohej edhe veprimtaria politike, me ndërkombëtarët që zhvillonin takime me krerët e luftës.

Kryetari Kastrati foli gjithashtu për të arriturat e Malishevës ndër vite, investimet në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të komunës. Ai veçoi investimet infrastrukturore që kanë ndryshuar pamjen e qytetit, përfshirë sheshin ku u mbajt manifestimi, bulevardin dhe projekte të tjera të rëndësishme. Po ashtu, ai përmendi sukseset në fusha të tjera, veçanërisht në sport, duke theksuar se klubi i futbollit Malisheva tash e tri vite radhazi po përfaqëson Malishevën dhe Kosovën në garat evropiane, duke e bërë komunën të njohur edhe në arenën ndërkombëtare.

Duke uruar qytetarët për 16 Qershorin, kryetari Kastrati përsëriti kërkesën për lirimin dhe kthimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Haga, dhe tha se ata zhvilluan një luftë çlirimtare.

Në fjalën e tij, Fatmir Limaj, pasi uroi qytetarët e Komunës së Malishevës për Ditën e Çlirimit, foli për rëndësinë e luftës dhe lirisë së fituar, duke shprehur respektin më të thellë për dëshmorët, martirët dhe të gjitha gjeneratat që, ndër breza, dhanë gjithçka për lirinë që gëzojmë sot.

“Parakushti për të gjitha të arriturat në këtë vend dhe për çdo rezultat është liria e Kosovës”, tha Limaj. Ai foli gjithashtu për kontributin e Malishevës në luftën çlirimtare, duke theksuar se kjo komunë e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë, por mbetet krenare për kontributin e saj dhe për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre.

Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Fatmir Ademaj, shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në lirinë e vendit, veçanërisht për pjesëmarrësit në luftën e lavdishme të UÇK-së. Ai përmendi në mënyrë kronologjike rrjedhat historike që çuan deri te lufta çlirimtare dhe liria që gëzojmë sot falë këtyre sakrificave. Po ashtu, ai foli për sakrificën e popullit të Malishevës dhe kujtoi amanetin e dëshmorëve, të cilët nuk u flijuan vetëm për liri, por edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit.

Kreu i degës së OVL-së së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, pasi uroi për Ditën e Çlirimit, në emër të shoqatave të dala nga lufta, shprehu keqardhjen për deklaratat publike të individëve të caktuar kundër luftës çlirimtare dhe familjeve emblematike që dhanë jetën për lirinë e vendit. Ai shprehu shqetësimin edhe për mungesën e reagimit institucional në mbrojtje të këtyre vlerave dhe sakrificave.

Më pas u ndanë çmimet tradicionale që Kuvendi i Komunës së Malishevës i ndan çdo vit më 16 Qershor:

Çmimi për Trimëri dhe Heroizëm “Imer Krasniqi” iu nda:

Hasan Zogajt, Azem Krasniqit, Ferat Shalës, Sinan Kryeziut, Shefket Mazrekut, Destan Mazrekut, Muhamet Krasniqit dhe Esat Kafexhollit.

Çmimi për Kontribut në Shkollën Shqipe “Hamdi Berisha” iu nda:

Kamer Hotit, Nysret Hoxhës dhe Januz Mazrekut.

Çmimi për Kontribut në Shëndetësi “Dr. Shpëtim Robaj” iu nda:

Ramiz Bytyçit (pas vdekjes), Dylber Bytyçit, Shefqet Paçarizit dhe Besim Morinës.

Ndërsa një mirënjohje e veçantë iu nda aktorit Avni Hoti për kontributin e tij në fushën e artit.

Pas programit të pasur artistik, u bënë homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë.

Aktivitetet u përmbyllen me koncertin e madh që u mbajt në Sheshin e Dëshmorëve në Malishevë.

Kontrolloni gjithashtu

Përfaqësues të Komunës së Rahovecit morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë “Vërshimet në Rahovec”, organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent

Sot, përfaqësues të Komunës së Rahovecit morën pjesë në punëtorinë njëditore me temë “Vërshimet në …