Malishevë: U mbajt sesioni shkencor “Qëndresa e Llapushës dhe trojeve tjera shqiptare 1912-1952”

Sot në Malishevë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, u mbajt sesioni i XIX-të shkencor me temën: “Qëndresa e Llapushës dhe trojeve tjera shqiptare gjatë viteve 1912-1952”. Ky sesion u zhvillua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, z. Ekrem Kastrati, dhe ishte organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit” -Prishtinë dhe Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” – dega në Malishevë. Hapjen e këtij sesioni të rëndësishëm e bënë Nue Oroshi, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit”, dhe Lulzim Gegaj, kryetari i degës së Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri” në Malishevë. Sesioni u përshëndet gjithashtu nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili në fjalën e tij falënderoi të gjithë historianët për angazhimin dhe kontributin e tyre. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Kastrati theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, duke nënvizuar se përmes hulumtimeve dhe dokumentimeve të paraqitura do të shpalosen shumë të dhëna të vlefshme për rolin dhe kontributin e Llapushës dhe trojeve të tjera shqiptare gjatë periudhës historike 1912-1952. Ai theksoi se këto të dhëna janë thelbësore për të kuptuar ndryshimet historike të kohës, proceset politike, sociale dhe ekonomike, ndryshimet territoriale, si dhe kontributin e Malishevës, i cili ka qenë i madh gjatë kësaj periudhe dhe ka vazhduar deri në luftën e UÇK-së. Sesioni shkencor përfshiu paraqitjen e mbi 25 punimeve shkencore dhe kumtesa të ndryshme që trajtonin aspekte të ndryshme të kësaj periudhe kohore. Këto punime përfshinin tematika të ndryshme si luftërat, kryengritjet, arsimimin, aspektet sociale dhe ekonomike, si dhe gjenocidin e ushtruar nga pushtuesit e ndryshëm. Ky format i një sesioni shkencor me karakter historik është ndër më të rëndësishmit të organizuar në Malishevë, pasi përmes kumtesave dhe dokumentimit të ngjarjeve të asaj periudhe kohore, është paraqitur qartë roli, rezistenca dhe kontributi i territorit të Komunës së Malishevës. Ky sesion jo vetëm që kontribuon në pasurimin e njohurive historike, por edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kësaj treve në historinë kombëtare shqiptare. Në përfundim të sesionit, pjesëmarrësit vlerësuan lart organizimin dhe rëndësinë e diskutimeve të zhvilluara, duke theksuar nevojën për vazhdimin e këtyre aktiviteteve që ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ramosaj priti në takim Rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë dhe disa profesorë nga Universiteti i Maltës

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, priti në takim Rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka” …