Doli në dritë monografia, Sadri Sahit Çatani, vepër e autorit, Ahmet Qeriqi

Martin Çuni: Monografia, Sadri Sahit Çatani, e autorit, Ahmet Qeriqi, është një vepër e veçantë historike, dokumentare

Monografia, Sadri Sahit Çatani ( 1910 – 1987) e autorit, Ahmet Qeriqi,  është një vepër historike, dokumentare, kushtuar njërit ndër luftëtarët më të përkushtuar të NDSH-së, sikur ishte  Sadri Sahiti,  i njohur në Kosovë edhe si Sadri Duhla. Përmes një literature të pasur e të faktuar, duke e njohur e duke ndenjur me të edhe personalisht, autori i monografisë, ka sjellë në këtë libër shumë të dhëna e fakte reale, që dëshmojnë për jetën dhe veprën luftarake e atdhetare të Sadri Sahit Çatanit, luftëtarit popullor, i cili tërë jetën e tij ia kishte kushtuar përpjekjeve historike për çlirim nga robëria jugosllave dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Monografia për këtë luftëtar emblematik të lirisë, pasuron fondin e monografive ende të paketa për luftëtarët e NDSH-së.

 

Fjala e Martin Çunit, me rastin e përurimit të monografisë, “Sadri Sahit Çatani ( 1910 – 1987)” vepër  e autorit, Ahmet Qeriqi

Monografia për Sadri Sahit Çatanin e autorit,  Ahmet Qeriqi, është rezultat i një pune të gjatë dhe të përkushtuar hulumtuese-shkencore, me qëllim për të zbuluar sa më shumë të dhëna e dëshmi për trimin e maleve, luftëtarin e paepur të LNDSH-së, nga këto anë, Sadri Sahiti. Kjo monografi, për luftëtarin e përkushtuar të NDSH-së,  i njohur në Kosovë, si Sadri Duhla, është sistemuar e hartuar në radhë të parë, duke u bazuar në dokumentet arkivore, në procesverbalet e gjykimeve, akuzave të prokurorëve, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me vepra penale, të kualifikuara si vepra  kundër rendit të RSFJ-së, shpalljen fajtor, dënimin e Sadri Duhlës dhe tre të akuzuarve të tjerë, vetëm për rastin e vrasjes së dy njerëzve të panjohur, në tetor të vitit 1944, në malet e Duhlës.  Sadri Sahiti nuk është akuzuar për vepra të tjera, gjatë kohës së luftës, madje as për luftimet në fshatin Bilushë, afër Prizrenit, më 8 gusht të vitit 1946, luftimet në fshatin Javor të Therandës, në nëntor të po atij viti  e në vende të tjera.

Autori i librit, Ahmet Qeriqi, qysh në vitet 90- ka botuar shkrime për LNDSH-në, ndërsa në 50-vjetorin e Kongresit të Lypovicës, në korrik të vitit 1996  kishte shkruar një fejton, për këtë organizatë nacional demokratike i cili ishte botuar në gazetën e përditshme, “Bujku”.

Më vonë pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën ka marrë pjesë që nga fillimi, ai sërish iu kishte rikthyer interesimit për luftëtarët e NDSH-së, porosia dhe ideali i të cilëve ishte realizuar me luftën tonë fitimtare, të ndihmuar edhe nga NATO-ja.

Në vitin 20o5 ka nxjerrë në dritë librin: Luftëtarë të NDSH-së, pjesa e parë, shumë vite më vonë ka nxjerrë në dritë  edhe pjesën e dytë të librit, pastaj një monografi të shkurtë për luftëtarin e NDSH-së, Januz Bajçinca e tani edhe monografinë për Sadri Sahit Çatanin. Shoku im i burgut, i luftës dhe i pas luftës, Ahmet Qeriqi ka botuar edhe 10 vepra të tjera publicistike, letrare e artistike, ndërkohë që ka përkthyer edhe   dy romane të shkrimtarit hungarez Jokai Mor, Trëndafili i bardhë dhe Luani i Janinës, – Ali Pashë Tepelena.

Po kështu, gjatë shtjellimit të lëndës, autori i monografisë, Ahmet Qeriqi  shfrytëzuar të dhëna të autorëve të njohur që kanë botuar studime e monografi për Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe shkrime e studime për periudhat kohore, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e luftëtarit, Sadri Sahiti, por edhe me ngjarjet e rëndësishme të kohës.

Jeta dhe vepra e këtij dinjitari të lirisë, ishte vazhdimësi e luftëtarit popullor shqiptar të traditës, e luftëtarit   të kohës kur Mbretëria despotike antishqiptare e Jugosllavisë e kishte okupuar Kosovën dhe shumë troje të tjera shqiptare, me qëllim për shfarosjen e tyre fizike, dëbimin për në Turqi, shkollimin e një pjese vetëm në gjuhën serbe, me qëllim të asimilimit të ngadalshëm, me një synim final zhdukjen e tërësishme të shqiptarëve nga të gjitha trojet e tyre etnike.

Në atë kohë, Sadri Duhla ishte kalitur me idealin e lirisë, me shembullin e qëndresës së Ramë Bllacës, me shembujt që kishte dëgjuar për  luftën heroike të Azem Galicës, me shembullin e hakmarrjes së Salih Kabashit dhe shembuj  të tjerë të shumtë të rezistencës sonë kombëtare.

Luftëtari popullor, Sadri Sahiti, prej vitit 1941 e deri në vitin 1948, luftoi me pushkën krahut për çlirimin e vendit nga sunduesit e huaj, pastaj në dhunë e tortura është mbajtur  afër shtatë vjet në burgjet famëkëqija sikur ishte Burgu i Nishit, disa vjet nën izolim shtëpiak, me pasuri të konfiskuar, nën izolim dhe pa të drejta qytetare, ashtu sikur  të gjithë bashkëluftëtarët e NDSH-së.

Pavarësisht se kishte marrë plagë në luftë, se kishte jetuar në male e në vende të caktuara edhe gjatë dimrave me acar, se kishte mbajtur vitet e burgut e të torturave, ai  qëndroi i pathyeshëm në rrugën e tij, duke frymëzuar brezat me shembullin autentik, por duke mos e ndërprerë aktivitetin ilegal deri në fund të jetës.

Lavdi jetës dhe veprës së Sadri Sahit Çatanit, familjes së tij, bashkëluftëtarëve të NDSH-së e të UÇK-së!.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …