Max Brym, për librin: “Historia e Kosovës dhe e sotmja e një parashteti” shkruar nga Thomas Schmidinger

Në Vjenë ka dalë nga botimi një libër i ri me titull “Historia e Kosovës dhe e sotmja e një parashteti” nga shtëpia botuese bahoe-books. Autori, një studiues i shkencave politike me orientim të majtë, Thoma Schmidinger, ligjëron në Universitetin e Vjenës si dhe në fakultete të ndryshme në Vorarlbeg dhe në Austrinë e epërme.

Përmes këtij libri mbi Kosovën autori ia ka dalë të japë një kontribut goxha të mirë dhe të denjë për lexim për historinë dhe aktualitetin kosovar. Libri ka një hyrje historike dhe hedh dritë mbi shumë legjenda dhe mite. Që prej shumë kohësh shqiptarët përfaqësojnë shumicën e popullsisë në Kosovë. Schmidinger citon, në mes tjerash, më gjerësisht nga shënimet e Leo Trockit për luftërat ballkanike pak para fillimit të Luftës së Parë. Trocki dhe autorë të tjerë përshkruajnë në mënyrë mbresëlënëse vrasjet masive që atëbotë u kryen në Kosovë nga nacionalistët serbë dhe nga çetnikët. Autori gjithashtu raporton gjerësisht rreth shtypjes serbomadhe në Kosovë në periudhën midis dy luftërave. Në libër jepen shumë shembuj për masat e ndërmarra me qëllim që në Kosovë të ndryshohej përbërja etnike e popullsisë. Politika serbe e kolonizimit të Kosovës ndiqet hap pas hapi. Deri te memorandumi i Prof. Dr. Vasa Çubriloviqit “Dëbimi i shqiptarëve”, i paraqitur me 7 mars 1937 në Beograd”. Sipas Çubriloviqit, kolonizimi i Kosovës nuk mjaftonte, por duhej që shqiptarët të dëboheshin në mënyrë sistematike. Këtë aspekt të çështjes autori ia ka ofruar publikut lexues gjerman në mënyrë shumë të qartë e të kapshme.

Përçaj e sundo!

Pas pushtimit të Jugosllavisë me 1941 fashistët italianë dhe gjermanë provuan që të luanin rolin e pushtuesve çlirimtarë. Autori përshkruan me saktësi se si u legalizua gjuha shqipe dhe se si papritmas u hapën edhe shkollat për shqiptarët në Kosovë. Për këtë shkak rezistenca kundër fashizmit në Kosovë ishte relativisht e ulët krahasuar me atë në Shqipëri. Pushtuesit ia dolën madje që të ngrinin në këmbë një divizion SS-ësh me emrin Skënderbeg, me afro 8000 pjesëtarë. Shumë nga kolaboracionistët fashistë në funksionet qeveritare në Shqipëri, si p.sh. Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva, vinin nga Kosova. Për fat të keq autorit i ka shpëtuar të përmendë Konferencën e Bujanit në Malësinë e Gjakovës në fund të vitit 1943. Aty shqiptarëve iu garantua e drejta e vetëvendosjes, në rast se do të merrnin pjesë në rezistencën antifashiste. Ky dokument, i nënshkruar në mes tjerësh edhe nga Fadil Hoxha e Miladin Popoviqi, çoi deri te një aktivitet më i fuqishëm i radhëve partizane. Nga fundi i luftës në Kosovë esencialisht kishte më shumë partizanë se sa kolaboracionistë.

Historia

Thomas Schmidinger përshkruan diskriminimin e shqiptarëve në “Jugosllavinë e vjetër të Titos”. Ai i përshkruan me saktësi fazat e ndryshme të këtij diskriminimi. Që nga koha e Rankoviqit, deri te statusi autonom i Kosovës midis viteve 1974-1989. Për Schmidingerin, me rëndësi tërësisht esenciale për të kuptuar konfliktin është heqja e statusit autonom për Kosovën. Në libër një vend nderi i është dhënë sidomos rezistencës kundër Millosheviqit nga punëtorët e Trepçës dhe nga gjithë klasa punëtore. LDK-ja është përshkruar në mënyrë korrekte si “një parti paqësore” e një funksionari të vjetër të regjimit nën figurën emblematike të Rugovës. Për Schmidingerin UÇK-ja ishte pasojë e pashmangshme e politikës së dështuar të Rugovës. Në mënyrë paksa më të thjeshtuar autori trajton orientimin politik të UÇK-së. Sipas Schmidingerit, UÇK-ja ishte “guerilja e parë që bazohej në një intervenim nga jashtë.” Kjo nuk i përgjigjet të vërtetës së plotë. Komandanti Fehmi Lladrovci me 1996 i dha një intervistë BBC-së në të cilën ai Evropën e quan “një kurvë të vjetër”. Edhe Adem Demaçi (deri më 1999 zëdhënës politik i UÇK-së) dhe sekretari i tij i atëhershëm, Albin Kurti, i qëndruan larg me vetëdije Konferencës së Rambujesë. Ata vlerësoheshin si koka të pavarura. Në vend të tyre doli në shesh si drejtues negociatash në Rambuje Hashim Thaqi, një figurë deri atëherë krejtësisht e panjohur. Përkundrazi, është i saktë konstatimi i autorit, se deri më 1999, rezistenca vendimtare kundër Millosheviqit vinte nga e majta kosovare (si një enverizëm i mbështetur në Enver Hoxhën).

Aktualiteti

Autori i librit në mënyrë të përsëritur vë në dispozicion Rezolutën e OKB-së 1244 e cila Kosovën deri më sot e definon si një pjesë përbërëse e Jugosllavisë. Autori është kundër ndarjes etnike të Kosovës dhe për të drejtat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht kombësisë. Ai refuzon planin e Ahtisarit, i cili, sipas Schmidingerit, “thellon ndarjen etnike të Kosovës”. Me argumente të forta ai i kundërvihet instrumentalizimit të serbëve në Kosovë nga shteti serb. Në libër demonstrohet me saktësi ndarja faktike etnike e Kosovës në shembullin e Veriut të Kosovës dhe qytetit të ndarë të Mitrovicës. Autori përshkruan fatin e romëve dhe të pakicave të tjera, “për të cilat nuk brengoset administrata shtetërore”.

Schmidingeri kritikon EULEX-in dhe UNMIK-un

Strukturat ndërkombëtare të UNMIKUT e EULEX-it Schmidingeri në librin e tij i vlerëson shumë keq. Këto misione ai pjesërisht i trajton si pjesë të problemit. Ekonomia e Kosovës, sipas Schmidingerit, sundohet prej një “mafie kriminale” e cila shpeshherë është identike me funksionarët politikë. Ai e përshkruan këtë ekonomi mafioze si një rrugë drejt “ekonomisë së tregut”, si në shumë vende të tjera të Evropës Lindore. Me këtë rast në libër tregohet se “sa mirë kuptohen midis tyre mafia shqiptare me atë serbe”. Schmidingeri përmend gjithashtu dhe varfërinë masive në Kosovë. Nga autori kritikohet vala e privatizimeve. Kjo gjë rezultoi, në mes tjerash, që rezervat e qymyrgurit t’i shiten firmës së një ish-gjenerali të NATO-s. Si një shpresë të vërtetë për masat e gjera popullore Schmidingeri përmend “Lëvizjen e Vetëvendosjes” VV dhe “udhëheqësin e saj karizmatik Albin Kurti”. Ai mbron pikëpamjen se vetëm përmes një transformimi rrënjësor të strukturave, siç prezantohet kjo në programin e VV-së, “mund të tejkalohet gjendja”. Në të kundërtën, autori i trembet një kthimi të syve drejt Turqisë ose madje drejt fundamentalizmit islamik. Schmidingeri raporton me saktësi se sa para janë investuar në Kosovë nga institucionet religjioze dhe vehabite. Fundamentalizmin islamik Schmidingeri e quan si një rrezik, me gjithë faktin që islamistët rreth Gëzim Kelmendit në zgjedhjet e fundit morën vetëm 1% të votave. Gjithsesi, nëse gjendja në aspektin social mbetet kaq e pashpresë, ky mbetet një opsion realisht negativ.

Libri është shkruar në një stil që ia vlen të lexohet, duke qenë i mbështetur në shumë fakte. Medoemos të porositet.

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …