Mbretëria e Bashkuar mbështetëse e madhe e progresit në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kanë pritur në takim shefin ekzekutiv të Këshillit Britanik, Sir Ciaran Devane, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Pas takimit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe Sir Ciaran Devane, kanë nënshkruar Marrëveshje, përmes të cilës Këshilli Britanik do të menaxhoj Fondin për bursa për trashëgimi kulturore, që është krijuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila ka ndarë 250 mijë euro për 5 bursa të plota për studime postdiplomike në universitetet më të mira britanike. Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, dhe drejtuesit e Këshillit Britanik, u bisedua për zhvillimet në Kosovë dhe mbështetjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar në progresin e arritur.

Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi lartë përkrahjen e madh që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat, duke theksuar dhe kontributin e veçantë të Këshillit Britanik, sidomos në arsim, në trashëgimi kulturore dhe në fusha të tjera. “Mbretëria e Bashkuar, me kontributin e madh që ka dhënë gjatë kësaj periudhe, ka qenë një ndër promotorët dhe mbështetësit kryesor të progresit që është arritur në Kosovë deri më tani”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës. Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka kërkuar përkrahjen e mëtejme të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Këshillit Britanik, sidomos në arsimin e kuadrove të reja si dhe në fushën e trashëgimisë kulturore, si fushë e prioritetit strategjik të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Shefi ekzekutiv i Këshillit Britanik, Sir Ciaran Devane, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shpreh përkrahjen e mëtejme të Këshillit Britanik në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin dhe trashëgiminë kulturore. Fondi i bursave për trashëgimi, kulturore, është themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të subvencionuar trajnimin dhe shkollimin e kuadrove deficitare, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale e shkencore të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Këshilli Britanik në Kosovë do ta menaxhojë të gjithë procesin e aplikimit dhe përzgjedhës së përfituesve të këtyre bursave, në koordinim me institucionet përkatëse.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu po merr pjesë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Kryetari i komunës së Ferizajt z. Agim Aliu po qëndron në Strasbourg të Francës me …