Sot, në të gjitha komunat e Kosovës nis zyrtarisht viti i ri shkollor 2026/2027, duke shënuar rikthimin e nxënësve në bankat shkollore pas pushimeve verore. Për shumë familje, 1 shtatori nuk është vetëm dita e parë e mësimit, por edhe fillimi i një kapitulli të ri, veçanërisht për fëmijët që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Me çanta, libra dhe emocionet e ditës së parë, nxënësit do t’u rikthehen klasave, ndërsa mësimdhënësit dhe stafi i shkollave kanë përmbyllur përgatitjet për fillimin e procesit mësimor. Një nga çështjet që ka shoqëruar ditët para fillimit të vitit shkollor ka qenë pajisja e nxënësve me tekste shkollore. Ministria e Arsimit ka ndarë rreth 14 milionë euro për subvencionimin e teksteve, ndërsa për këtë proces kanë aplikuar mbi 170 mijë prindër dhe kujdestarë ligjorë. Sipas skemës së subvencionimit, vlera për klasat e para dhe të dyta është 60 euro, për klasën e tretë 65 euro, për të katërtën 70 euro, për të pestën 80 euro, për klasat e gjashta dhe të shtata 90 euro, ndërsa për klasat e teta dhe të nënta 100 euro. Fillimi i këtij viti shkollor vjen edhe në një kohë kur sistemi arsimor në Kosovë përballet me sfida të shumta, përfshirë rënien e numrit të nxënësve, ndryshimet demografike, nevojën për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënies. Raportimet e ditëve të fundit kanë evidentuar se disa komuna po përballen me ndryshime në numrin e nxënësve dhe organizimin e paraleleve, çështje që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet demografike dhe buxhetet komunale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
