leoni

Mehmet Bislimi: 17 VJET ME BARCOLETA PËR PAVARËSINË!

 


Një nënë kishte pasur tre djem. Sa zgjoheshin në mëngjes, djali i madh thoshte: Sot do të bie shi, i dyti thoshte se do të jetë mot me diell, i treti ia priste se do të mbajë vrenjtur!…
Pa dyshim se njeri nga këta çunat e hallës ia qëllonte të dhënave “sinoptike”, prandaj halla krekosej poshtë e lartë duke thënë se më të mençur se djemtë e saj nuk kishte në ato rrethe!

Kjo barcoletë sa e vjetër aq edhe shterpë, fatkeqësisht nuk e ka humbur aktualitetin as sot e gjithë ditën edhe pas 17 vitesh që e kam dëgjuar?! Fatkeqësisht barceleta të tilla për 17 vite u krijuan plot që dikë e bënë të qeshet e të tjerët të vajtojnë për fatin e tyre të pazgjidhur. Barceletë shumë e hidhur si kjo ishte ajo e “pavarësisë formale të Kosovës” që ishte një mjegull e dendur për shqiptarët. Bijtë e “hallës” të shkapërderdhur e me qëndrime të pa harmonizuara, madje edhe qesharake, dhanë dhe vazhdojnë të japin më shumë prognoza se sa përshkrime të realitetit. Nga grupi i Unitetit, ka disa ditë që përsëritët refreni i një rutine, tashmë aq të pakripë se zgjidhja e statusit të Kosovës është vetëm çështje muajsh!… Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës zoti Çeku, shkoi edhe më larg duke thënë se çështja e statusit të Kosovës është çështje javësh!…Ndërkaq Kryetari Sejdiu para pak dite, shkurt, qartë e shqip tha: “Nuk e di se kur, por Kosova do ta fitojë pavarësinë një ditë!!!..
Nuk duhet ndonjë filozofi e veçantë për të parë mjerimin e elitës sonë politike që udhëheqë institucionet e vendit e që në fakt nuk është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë që ka marrë mbi supet e veta para popullit tonë dhe pas sakrificave të vazhdueshme të tij. Elita jonë vuan nga mungesa e sensit diplomatik, nga mungesa e pragmatizmit politik e çka jo!? Ndryshe, deklaratat e tilla të pamatura, naive e të pa menduara mirë, madje shumë larg realitetit politik, në Kosovë mund të dëgjosh vetëm nga falltaret e shumta që sot veprojnë atje për të gënjyer dikë, qëllimi i thjeshtë; sa për të zhvatur ndonjë lekë!
Për lexuesin dhe qytetarin naiv, thënë më butë të padjallëzuar, që politikën e sheh vetëm nga prizmi objektiv, duket se çdo gjë është e kryer dhe është në rregull. Pavarësia po vjen për disa javë. Nëse jo atëherë do të vjen për disa muaj. Nëse jo edhe këtë herë, mbase edhe nuk i dihet se kur, por se do të vjen pa dyshim siç e tha edhe kryetari i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu!
Nuk e besoj se populli ynë, por edhe më gjerë të jetë dëgjuar ndonjë herë një mendim kaq i “pjekur” politik, për të mos thënë axhamillëk i madh politik! Pra, sipas Kryetarit, Kosova do të bëhet e pavarur, pas 1 viti ta zëmë, pas 5 viteve, apo pas 10 e 20 vitesh! Qëllimi është se ajo të jetë e pavarur, nuk e dimë se kur, por kjo s’ka rëndësi. Një ditë do të ndodhi, dhe ditë të zotit ka mjaft, sa të duash?!…
Në fakt këtu qëllimi është më thellë së ç’duket në sipërfaqe. Me të tilla barceleta Kosova dhe populli i saj po mashtrohen, duke krijuar iluzione të rrejshme brenda konceptit të një shoqërie, që për ironi të fatit nuk i vë në pah dilemat para sprovave kontestuese në kohë! Njerëzit e pushtetit, bijtë e “hallës”, për çdo mbrëmje përmes mjeteve të informimit i drejtohen popullit tamam si bijtë e barceletës që e thamë në fillim. Pavarësia është vetëm çështje kohe, thonë ata, por konstalacioni kohë nuk ka asnjë limit në logjikën e tyre. Koha tek ata nuk matet as me orë, as me ditë, as me muaj, as me vite…
Qysh në vitin e kaluar, të gjithë njerëzit e politikës, pa përjashtim u binden krejt në mënyrë naive se pakoja e Ahtisarit do të sjellë zgjidhjen e statusit dhe pavarësinë e Kosovës e bashkë me të edhe zgjidhjen e shumë problemeve tjera të pazgjidhura. Madje u tha se do bëhet brenda tetorit. Iku edhe tetori dhe erdhën njëri pas tjetrit nëntori, dhjetori, janari, shkurti… Jemi në fund të majit, dhe dje ishte në shtyp se çështja e Kosovës do të zgjidhet nga fundi i qershorit por kishte edhe zëra të analistëve të ndryshëm se kjo çështje madje mund të shtyhej edhe më shumë se për dy tri vite!…
Kështu të gënjyer u rrokullisën 17 vite, që nga shpallja e pavarësisë dhe e kushtetutës së Kaçanikut , që edhe ajo mbeti jo më shumë se një barceletë deri me sot. 17 vite të pavarësisë dhe njëkohësisht 17 vite duke pritur pavarësinë, e që po kaq vite duke negociua për te, ku ta gjejmë edhe një analogji si kjo?!…
Nga ana tjetër Tadiçi, kryetari serb për të përditshmen gjermane: “Frankfurter allgemeine cajtung” tha: “ Kosova është një katror i vërtetë dominoje, kështu që pavarësia e saj do të mund të nxiste shumë konflikte në rajonin e Detit të Zi!”…
Nga elita jonë politike, nuk i ra askush “domino” Tadiçit e t’i thoshte se të gjitha shtetet e lira që njihen deri me sot në botë, historikisht nuk kanë sjellë konflikte. Shtetet e lira, botës i kanë sjellë paqe, civilizim dhe zhvillim. E pa kontestuar në as një formë, qëndron teza filozofike se që nga antika e deri me sot, konflikte e luftëra kanë sjellë vetëm shtetet gllabëruese e grabitqare. Prandaj, deklaratat e liderëve serbë se Kosova e lirë sjell konflikte, janë sa qesharake, po aq edhe absurde, janë krejtësisht jashtë kontestit histori e filozofike. Thjeshtë kjo është më shumë se gjuhë force, që pushtetarët Serb edhe në të kaluarën nën këtë pretekst i kanë dhënë vetës të drejt për veprime të njëanshme për para botës!

Faktet historike vërtetojnë të kundërtën: përderisa Kosova të jetë e robëruar, vatra e konfliktit është e ndezur përherë… dhe atë jo vetëm në rajonin e Detit të Zi, por edhe të detit Adriatik, madje edhe në Paqësor e Atlantik!…. Këtë duhet ta di Serbia dhe e mbarë bota se Kosova nuk do të pajtohet kurrë me robërinë. Kosova kurrë nuk është pajtuar me robërinë edhe pse është prerë e vrarë, djegur e masakruar, që më 1878 e më herët, më 1912 ’13 ’18 ’39 ’41 ’43 ’45 ’53 ’56 ’68 ’81 ‘88’ 89 e deri tek ditët e UÇK-së. Nuk kam dëgjuar deri më tani një konstatim kaq absurd se nëse një popull fiton lirinë, ai krijon konflikt!? Këtë mund ta dëgjojmë vetëm nga gjuha urrejtëse e elitës politike serbe, prandaj habit fakti përse serbët nuk po pushtojnë shtetet e lira si Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi, etj. Ngase, gjithnjë sipas tezës serbe, këto shtete të lira mund të sjellin konflikte të reja në rajon e më gjerë!? Historia si mësuese e mirë e të tashmes dhe së ardhmes na thotë se shtetet grabitqare me sistemet e tyre diktatoriale e totalitare janë ato që krijojnë konflikte, por jo edhe popujt e shtetet e lira.
Po kështu, edhe kreu tjetër i Serbisë Koshtunica deklaroi në mënyrë decidive se:” Serbia nuk do të heq dorë nga Kosova as me kushtin e anëtarësimin të saj në Bashkësinë Evropiane!” Për popullin shqiptar, deklaratat e tilla nuk duhet të kalojnë pa shqetësim, përderisa Evropa e ka pranuar Koshtunicën për kryeministër të Serbisë, duke u pozuar me kallashnikov në dorë derisa Kosova masakrohej! Fatkeqësisht në shumë rast, leshi kishte rënë në veshët e Evropës dhe në heshtje miraton lojën e saj me radikalin Nikoliq, me kriminelet Karagjiq e Mladiq! Nëse kështu qenka, dhe nëse në Kosovë ligji themelor bazohet në konceptet e demokracive pro perëndimore, prapa të cilit qëndron sovrani popull, atëherë edhe elita jonë e stërkequr politike, domosdoshmërish do duhej të thotë, po aq decidivisht se: Edhe populli shqiptar nuk do të heq dorë nga liria e vet, me asnjë çmim, madje as me çmimin e një përgjakje të re e të imponueshme nga regjimi hegjemonist serb!Ne po i kontribuojmë paqes, por urtësia jonë nuk duhet të keqpërdoret siç u keqpërdor e u keqkuptua deri me sot. Populli shqiptar është i gatshëm që ta mbrojë lirinë e vet dhe pikë! Kjo duhet thënë hapur e qartë.

Një njeri mbase mund ta mashtrosh për ca kohë, por një popull të tërë nuk mund ta mashtrosh përgjithmonë. Në fakt në Kosovë, ka kaluar shumë kohë që premtimi për pavarësi po hiqet zvarrë e po rrokulliste nga viti në vit, dhe populli ynë priti me dinjitet deri në atë shkallë që nuk kishte se ku të shkoj më… Tani mbas luftës së UÇK-së, kaluan rreth 8 vite, në pritje të pavarësisë, të shtetit që në fund të fundit e kemi fituar me luftë e gjak, pa dyshim se edhe me ndihmën e çmuar të aleatëve tanë; atëherë shtrohen pyetjet e logjikshme: Kë presim? Çka presim? Përse presim? Deri kur duhet të presim? A po i duket fundi pritjes sonë?…
Kjo pritje po vret durimin e dinjitetshëm të popullit tonë të mirë e atdhedashës, po vret qenien e tij, po vret besimin e tij në një të ardhme më të mirë, po vret sakrificat e tij më sublime që e bëri për lirinë e vendit të vet, më thjesht po vret pritjen 8 vjeçare të pasluftës dhe krejt në fund ky popull një ditë nuk do të pres më, ngase nuk ka se çka të pres më, nga se nuk ka çka të humbas më! Po e përsërisim: nëse prapa ligjit të demokracisë qëndron sovrani popull, atëherë elita jonë politike, do duhej ta thotë realitetin popullit të vet për çështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës. Përballja me realitetin me kohë nuk është zhgënjim, madje është guxim që populli të sqarohet drejt e të mos joshet me mashtrime e premtime boshe. Zhgënjimi më i madh qëndron mu në faktin e fshehjes së realitetit jo edhe shumë të kënaqshëm për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës. Barceleta se Kosova do të jetë e pavarur një ditë, por nuk e di se kur, është më shumë se tallje me sovranin popull zoti President!

Kontrolloni gjithashtu

Nënsekretarja amerikane të Shtetit, Elizabeth Allen po qëndron në vendin tonë

Nënsekretarja amerikane të Shtetit, për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen po qëndron në vendin tonë. Gjatë …