Jeta nën robëri ishte e rëndë. Kishte të pritura dhe të papriturat, rëniet dhe ngritjet e saj. Kishte raste vdekjesh të bashkëveprimtarëve tanë, por edhe vrasje të tyre nga regjimi serb. Në raste të tilla duhej organizuar ceremonia e varrimit, pritjet e ngushëllimeve, pastaj përkujtimi nëpër përvjetorë, shënim të datave me rëndësi të veçantë historike e kombëtare e të tjera, qëndrimi përkrah familjeve të tyre për të ju dhënë kurajo etj.
Një relativisht të gjatë, kohë jam marrë edhe me udhëheqjen e tubimeve të ndryshme në vend dhe në mërgatë. Kam përjetuar qaste të rënda, meqë nuk ishte e lehtë të ndahesh nga shokët, madje i ngarkuar me përgjegjësi për të udhëhequr mirëvajtjen e varrimit, ceremonisë mortore, ngushëllimet, përkujtimet në përvjetorët e tyre, takimet me prindërit, fëmijët dhe familjarët e tyre, demonstrata dhe tubime ku merrnin pjesë me mijëra veta, e kështu me radhë…
Më kujtohet, kam udhëhequr varrimin e Fadil Vatës në Sallagrazhdë të Therandës, ku ishin të pranishëm mbi 100 mijë veta! Nuk ishte e lehtë të mbash brenda emocionin e gjithë asaj mase e gatshme për të shpërthyer. Ai vdiq fare i ri nga pasojat dhe torturat që kishte pësuar nëpër burgjet e Serbisë. Pastaj përvjetorin për Afrim Zhitiun, që të dy i kisha edhe shokë të burgut, i takonim organizatës së njëjtë, kishim ideale të përbashkëta. Me të dy, kam ndarë edhe dhomën e burgut, kemi ndarë kafshatën e bukës, kemi ndarë çaste të këndshme dhe të hidhura, kemi ndarë kufirin mes jetës dhe vdekjes… Ata ishin shokët tanë të idealit, ishin pjesë e shpirtit tonë, ishin bijtë më të denjë të atdheut, si edhe shumë të tjerë liridashës e idealist të paepur.
Pastaj kam udhëhequr edhe varrimin e Sami Babajt nga fshati Llaushë, ku për herë të parë ia kam dhënë fjalën Hashim Thaçit. Ishte kjo paraqitja e parë publike e këtij djaloshi të ri, atë kohë, ai ishte student. Për të tria këto përkujtime mortore, ka edhe incizime të cilat kanë qenë dhe janë bërë publike herë pas here, në fakt mund janë qindra tubime, demonstrata dhe evenimente të ndryshme. Kam udhëhequr me dhjetëra tubime tjera, edhe mortore, edhe përgatitore, edhe mbledhje të karakterit kombëtar, madje shumë demonstrata si në Kosovë, që nga ato të vitit 1981, kur iu kam drejtuar masës së studentëve e deri me dhjetëra demonstrata tjera të thirrura nga organizata e LPK-së, jashtë vendit, si në Cyrih, Bernë, Strasburg, Vjenë, Gjenevë ku edhe kemi dorëzuar Peticion në Selinë e OKB-ës, tre veta, unë Mehmet Bislimi, Bardhyl Mahmuti dhe Naim Mala.
Së bashku me shokët, kemi mbajtur me dhjetëra tubime që nga Amerika, Kanada, Australia, Anglia, Norvegjia, Finlanda, Suedia, Danimarka, Holanda, Luksemburgu, Belgjika, Franca, Gjermania, Zvicra, Austria, Italia e gjetiu! Konsideroj së jemi përpjekur për të kryer detyrat tona në shërbim të atdheut, kaq dhe vetëm kaq e as gjë më shumë!
Kam mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjen e Bacë Shaban Jasharit. Me Rifatin, Hamzën dhe Ademin veç asaj se ishim fqinjë, bashkë organizatorë e bashkëveprimtarë në nivel fshati, komune e më gjerë. Në Kullën e tyre, takoheshim shpesh, dhe shtronim çështje nga më të ndryshmet rreth idesë së organizimit të një rrezeje më të gjerë veprimi gjithëpërfshirës për të arritur deri këtu ku jemi sot. Kjo dha rezultatet e kënaqshme të cilat sot po i gëzon Kosova dhe brezi i ri që po rritet dhe po i del zot atdheut me Institucione, si: FSK, Polici, Gjykata, Doganat, Universitete, Shkolla të të gjitha niveleve, Mjekësia, Induetria, infrastruktura e shumë nisma dhe realizime të kënaqshme etj.
Në Kullën e Shaban Jasharit, pa dyshim kishte takime të një pas njëshme, ku ishin të pranishme figura të shumta atdhedashëse nga të gjitha viset shqiptare, që vinin për të marrë këshilla dhe obligime përballë atdheut. Në këtë Kullë, janë strehuar dhe kanë ngrënë bukë me qindra pjesëtarë të UÇK-së. Kjo Kullë, është Kala e rezistencës, është djepi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- është Kështjella e pamposhtur e Kosovës, siç është ajo e Oso Kukës, Kamer Loshit, Ahmet Delisë, Shaqir Smakës, Azem Bejtës, Zhujë Selmanit, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës e kështu me radhë…
Takimi i fundit me Hamzën (për të gjallë të tij), ishte në arën time që e kam pothuaj ngjitur me tokën e bacë Shabanit, diku në fillim marsin e viti 1994. E kam ftuar përmes Lulëzimit (djalit të Ademit). Pas pak, Hamza erdhi me armën në krah, dhe aty skaj një mezhde kemi ndenjur rreth dy orë. Unë i sqarova atij për hapat që duhej t’i merrja. Ani pse me dhembje, Hamza miratoi kërkesën time dhe me këshilloi për kujdes dhe për të mbajtur kontakte të vazhdueshme me te. Këtë lidhje e kanë ditur Zymber dhe Beqir Meha, Rafet dhe Besim Rama, Jakup dhe Adem Nura, Xhemë Kodra, Rasim Sadiku, Muhamet Geci, Muhamet Lani, Emin dhe Nuradin Dajaku, Ramadan Kaçkini, Sali dhe Naser Maliqi, Ahmet Latifi, Fazli Mustafa, Vehbi dhe Lahi Ramadani dhe shokë tjerë që vepronim atë kohë.
Derisa po kthehesha nga Mbledhja e Katërt e Përgjithshme e LPK-së, që u mbajt në Prishtinë me 28 dhe 29 korrik1993, ku unë isha i deleguar nga rrethi ynë, Hamza më kishte vërejtur nga dritarja e Kullës së tij, dhe më ftoi për çaj. Ai nuk u përmbajt nga gëzimi, dhe ende pa e njoftuar unë, ai me tha: Mehmet, lajmin e dha “Zëri i Amerikës”, se LPK, mbajti Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme me sukses, dhe atë në mes të Prishtinës!, ku mori vendim që të fillojnë përgatitjet për çlirimin e vendit, dhe më përqafoj nga gëzimi- i tillë ishte ai- si ai nuk ka më!… Do të me mbetje peng për jetë të jetëve, po të mos e sqaroj njërin nga insertet e shumta të humanizmit dhe burrërisë së bacë Shabanit dhe familjes së tij.
Atë botë, unë, isha shumë ngushtë me ekonomi familjare- sikurse edhe një pjesë e madhe e popullatës sonë. Hamza dhe bacë Shabani, vjeshtën e viti 1993, m’i kishin huazuar 500 kg. farë gruri. Ata m’i huazuan pa asnjë hezitim edhe më ndihmuan edhe në mbjelljen e arave! Në verën pasuese (vëllai im, Ismeti), pasi kishte marrë të lashtat e vitit, kishte bërë gati drithin për t’ia kthyer borxhin, që unë kisha marrë hua tek bacë Shabani. Bacë Shabani dhe Hamza, të dy me një zë i kishin thënë vëllait tim Ismetit:
– “Jo, jo, këtë drithë ia kemi falë Mehmetit dhe familjes suaj, gjithçka që kemi, do ta ndajmë së bashku!”… ishin këta njerëz që ndanin edhe kafshatën e bukës me njerëzit në nevojë- madhështi kjo që nuk ka ku të shkojë më përtej qiellit e tokës- gjithmonë u shtoftë e kurrë mos u harroftë emri dhe konaku i tyre!
Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e mëdhenj, human e solidarë që kanë një zemër të madhe, siç e kishte bacë Shabani, Hmaza, Ademi, Rifati dhe e gjithë familja e tij. Secili shqiptarë që ka trokitur në derën e kullës së bacë Shabanit, nuk është kthyer asnjë herë mbrapsht. Bacë Shabani ka qenë në gjendje që atdhetarëve në nevojë, tua jap edhe kafshatën e bukës nga sofra e tij bujare.
Shaban Jashari Ai ishte ndër nikoqirët me të kamura të asaj kohe, ishte nderë shtëpitë më bujare të Drenicës dhe Kosovës, ishte ndër shtëpitë më mikpritëse e bukëdhënëse, dera e kullës së tij, ishte e hapur natë e ditë për shtegtarë, për hallexhinjtë, për atdhetarë, për liridashës, për çlirimtarë, zaten, aty lindi dhe u rrit shtatit i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kulla e bacë Shabanit, ishte djepi ku mbështeti kokën Ushtria Çlirimtare e Kosovës!
Kjo kullë, ky konak
Kjo familje kurrë mos u shoftë
Për ditë rrita dhe shtati iu shtoftë
Emri i tyre bëftë dritë si dielli mbi qiellin e shqiptarisë
Ata janë emblema më autentike, embleme e lirisë
Që nga bacë Shabani e bir pas birit
Që nga lindja e deri tek perëndimi i diellit
Atyre dhe vetëm atyre
Ju takon lavdi e përjetshme
Janë bijtë më të denjë të Shqipërisë
Janë ëma dhe ati i lirisë!
Me Hamzën dhe Ademin, për herë të fundit jam dëgjuar dy javë para rënies së tyre heroike. Në biseda telefonike me ta, unë gjithnjë jam paraqitur me nofkën “Nderimi!”, madje biseda duhej bërë më shumë kujdes, ngase telefoni i tyre përgjohej natë e ditë nga ish UDB-ja, prandaj kishim obligim, që t’i kursejmë gjatë bisedës… Në atë bisedë, përmes telefoni, mes tjerash, Hamza më pati thënë:
– Po të lexoj tek një qoshe e gazetës me nofkën “Ngucakeqi!”, më çka më bëri të kuptoj se po lexonte kohë pas kohe “Zërin e Kosovës!”, ku veç shkrimeve tjera, tek kjo gazetë, unë po mbaja edhe këtë rubrikë me batuta. Kjo më bëri që të ndihesha mirë. Këtë nofkë, atë kohë në Redaksinë e “Zërit të Kosovës”, ma kishte vënë Ramadan Avdiu.
Me Ademin (pasi mbaruam bisedën telefonike për gjërat që atij i interesonin), fare në fund të bisedës i thash: “ T’i ha mustaqet, o zemërluan!”- t’u rritë nderi- më tha, dhe u ndi buzëqeshja e tij, buzëqeshje ajo, që më përcjellë edhe sot!…
Thirrjen e radhës që kishim lënë, nuk u realizua, më që nuk kishin qenë atë ditë në shtëpi. Fatkeqësisht, ajo kishte qenë biseda ime e fundit për të gjallë të tyre, që kisha bërë me ta nga Zvicra. Sigurisht, ato biseda kanë mbetur të incizuara diku në serverët e postës Zvicerane dhe të Serbisë së asaj kohe,- mendoj së do të ishte shumë me vlerë, sikur t’i kisha e ta dëgjoja edhe një herë zërin e atyre burrave të mëdhenj.
Mars, 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
