leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Nga sot dhe nga këtu, rruga ime me PDK-në, ndahet përfundimisht! II

17). PDK-ja, në mungesë vizioni, zhvillimin ekonomik të Kosovës e vuri në konkurrencë të zhdrejtë me tregtinë e vrazhdë që depërtoi në tregun e Kosovës, kryesisht nga ish shtetet që në të kaluarën kanë qenë pushtuesit tanë fizikë e politikë, duke ndarë e sakatuar tokat tona- siç janë Turqia dhe Serbia, tani në cilësinë e pushtuesve ekonomikë të Kosovës, që  popullit tonë po i ofrojnë lecka dhe artikuj ushqimorë të skaduar e kontaminuar. Duke shantazhuar kështu investimet e mirëfillta nga Evropa e më gjerë. Tregti kjo me procedura të stërngarkuara, me reketime dhe konkurrencë pa kritere, deri tek kërkesat e hapura të përqindjes për të zhvatur etj. Për pasojë, ikën shumë nga investitorët e mirëfilltë që donin të investonin në vendin tonë. Madje pasoj edhe mbyllja e qindra bizneseve në sapo fillim të jetësimit të tyre etj.

18). Koalicioni PDK-ë – LDK-ë, së fundmi po i humbë edhe rreth 500 milionë euro nga buxheti i Kosovës! A mbanë kush përgjegjësi në ketë vend!? 30 milion kërkon Z-mobail, 7 milion Austria për pasaporta, 5 milion kërkon Bedri Selmani për pikat e karburantit që i ka zhgërryer së bashku me shumë mujsharë, 380 milionë kërkon “Axos” për Postën, 7 milionë kërkon dëmshpërblim zoti Limaj, ku mbeti prefiksi telefonik për Kosovën, që nuk u jetësua kurrë me gjithë zhurmën e medieve që u bë me atë rast, a mos ishte edhe ky mashtrim i radhës. Pastaj sa do të kërkojë kompania Franceze për Brezovicën e të tjerë që po presin në radhë për të zhvatur nga Kosova e pa zot?!

Kështu buxheti i Kosovës do të humbë rreth 500 milionë euro në total. Mjete këto me të cilat, kthyer në ndërtim, do të strehoheshin në mënyrë shumë komode rreth 20 mijë familje të cilat janë në gjendje të mjerueshme banimi e strehimi.

19). PDK-ja, më se një herë bëri koalicion me kundërshtarin e saj politik tradicional, dhe po kaq herë doli e dështuar me këtë koalicion. Si për habi, po të jetë mundësia PDK,  prapë do të bënë të njëjtin koalicion!, si gjithnjë në fshehtësi, me pabesi, dredhi e lakmi për pushtet nga të dyja palët. PDK-ja, bëri koalicion në dëm të vet vetes së vet, në dëm të imazhit, në dëm të aspiratave, bëri koalicion me servilë e hileqarë, me besnik të ish strukturave të ish pushtuesit tonë. Me këtë akt të ulët, PDK-ja, mohoi dhe zhgënjeu skajshmërish krahun e luftës, përçau dhe injoroi krahun e të devotshmëve- bijtë e Atdheut, që dhanë aq shumë për ditët e sotme.

20). Nëse është ky shteti i Kosovës që ka ngritur ky koalicion për vite me radhë; shtet me qindra e mjera të papunë, të pastrehë, të pashpresë, me pasiguri, me ambient dhe urbanizëm të degraduar, me prona, shtëpi e banesa të uzurpuara, me shëmti që të zë syri kudo, hedhje mbeturinash vend e pa vend, vend i kazinove dhe kabareve, vend i bredhjeve të bandave keqbërëse, vend i bredhjeve të qenve endacakë e agresivë që shqyejnë fëmijët në rrugë!, mbeturina që kanë mbuluar qytete e fshatra të tëra, prerja dhe masakrimi i pyjeve, shëmtimi i gjelbërimit, ndotja e lumenjve etj. Kosova është shndërruar në shtet të kanoçeve, shisheve të plastikës hedhur gjithandej rrugëve, të gomave të harxhuara makinash, teneqe të ndryshkura, xhama të thyer, inerteve e materialeve tjera ndërtimi, hekurishte e karroceri makinash të ngrëna nga ndryshku i kohës, medikamente të skaduara, fasha, pelena dhe gjilpëra të përdorura, mbetje kafshësh hedhur gjithandej, shteti i shtyllave të kalbura të elektrikut dhe telave të rrymës shtrirë për dhe, që kërcënojnë jetën e qytetarëve, shtet me 4 orë dritë dhe 4 orë errësirë, shtet që nuk po sheh një ditë të mirë. Kosova, shtet i puseve dhe lumenjve të kontaminuar, shtet me mungesë kanalizimesh, ku fekalet vërshojnë qytetet, fshatrat, fushat, luadhet dhe arat. Shtet ku ka filluar të lulëzojë prostitucioni, publik, politik e imoral, trafikimi, droga, fajdetë, shtet ku edhe nxënësit në shkollë nuk ndihen të sigurt. Kosovë, shtet i  leckave dhe qeseve të najlonit shkapërderdhur gjithandej deri tek dyert e Pallatit të Qeverisë!

21). PDK- ja dhe koalicioni keq qeverisës, kanë krijuar hapësira të mjaftueshme të pasigurisë në vend. Qytetarët e Kosovës nuk ndihen të sigurt në investimet e veta, në ndërtime e në komunikacion, në treg e në rrugë, në shtëpi e në spital, në shkollë e në shëtitje, në mendim e veprim politik, madje as në burg!… Qytetari i Kosovës dhe prona e tij, vidhet ose keqpërdoret në forma të ndryshme nga shteti: si tarifat e rrymës ndër më të lartat në rajon, zhvatet nga shërbimet doganore, nga homologimi i automjeteve, nga aplikacionet e ndryshme e shërbimet tjera shëndetësore, ku pacienti detyrohet të siguroj të gjitha shërbimit nga xhepi i vet, për të përfituar më në fund një pako medikamentesh të skaduar, madje asnjë gjurmë deri më sot nga vjedhja e dhomës së sigurisë së lartë në MPB!, korrupsioni i futur thellë deri në palcë! Sikur nuk mjafto vetëm kjo, qytetari i Kosovës vidhet edhe nga hajdutë të bollshëm që kanë vërshuar gjithandej. Të thyhet dhe vidhet shtëpia, banesa, prona, makina, dyqani, banka, posta, madje vidhen edhe ditarët e nxënësve në shkolla, vidhet bagëtia, deri edhe kuleta nga xhepi, madje të rrezikohet edhe jeta po rezistove! Nuk dihet kush është vrasësi e kush krimineli, kush polici e kush hajduti, kush gjyqtari e kush prokurori. Keqbërësi akuzohet për keqpërdorim milionësh, arrestohet në mëngjes dhe lirohet në mbrëmje! Se fundmi përfaqësuesit e lartë të shtetit, kanë filluar të ringjallin edhe Kanunin, duke lënë ligjin në sirtarët e muzeut të antikitetit “historik”, tamam kohë Kanuni- po mungon vetëm Leka!…

22). Duke qenë anëtar i këtij subjekti politik, unë nuk mund të ndihem më komod dhe të rri indiferent. Prandaj, duke kërkuar mirëkuptim, mbështetje dhe falënderim nga të gjitha shokët, bashkëluftëtarët, bashkëvuajtësit dhe bashkëveprimtarë e palodhshëm të çështjes sonë kombëtare të cilët në vazhdimësi me kanë mbështetur dhe i kam mbështetur pa kursim- më ndjeni: më qëllimin më të mirë për çlirimin dhe bashkimin e atdheut tonë, për zhvillimin dhe bërjen e shtetit ligjor, deklaroj përfundimisht se qëndrimi i mëtejmë në këtë subjekt është jashtë natyrës së veprimit tim në shërbim të atdheut, njëkohësisht edhe i papërgjegjshëm.

23). PDK-ja, gjatë rrugëtimit të saj politik dhe organizativ, nuk ka qenë konsekuente në realizimin e aspiratat të saja imediate. Ajo as një herë nuk ka mbajtur në kohë të rregullt Konventat e saja zgjedhore, madje as ato të punës, nuk ka mbajtur me kohë mbledhjet e rregullta të Këshillit Drejtues, as të Kryesisë së saj! Nuk ka thirrur kurrë me kohë anëtarët e saj të këtyre instancave për t’i konsultuar para se të merrej ndonjë vendim vital, apo i rëndësisë së veçantë. Nuk i ka shtruar çështjet serioze para anëtarësisë së vet. Kreu i saj, në shumicën e rasteve, nuk e ka pranuar polaritetin e mendimit demokratik. Për gjërat të rëndësishme është vendosur vetëm ne suaza të qarqeve të ngushta të hierarkisë së saj. Janë të shumta rastet kur në konventat e saj zgjedhore, votat e kandidatit të padëgjueshëm, janë manipuluar në llogari të të dëgjueshmëve!… Fatkeqësisht me qasjen e njëmendësie të tillë politike veprojnë të gjitha partitë në Kosovë. Mendimin ndryshe e stigmatizojnë, linçojnë,  shantazhojnë  dhe e lëçisin, tamam si në kohën e diferencimeve ideo-politike!

24). Aderuesit e këtyre dy subjekteve LDK- PDK, në një farë mënyre janë hipotekë e një shprese të pazbërthyeshme qoftë për një vend pune apo për një përfitim tjetër material, për të punësuar një familjar, për ta regjistruar në fakultet një shkollar etj. Instalimi i padukshëm i kësaj qasje përballë anëtarësisë së vet, këto dy subjekte politike sikur i ka shndërruar në pushtetarë të plotfuqishëm. Përballë kësaj gjendjeje, domosdo qytetari i pamundur sikur ka krijuar bindja se duke qenë larg këtyre dy subjekteve politike, d.m.th. mbetesh larg jetës dhe të mirave të saj që mund të përfitohen duke qenë anëtar i këtyre subjekteve dhe e kundërta!

25). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës për interesa të ngushta, më shumë se një herë kanë bërë shkelje të ligjeve, shkelje të Kushtetutës, gjyqësorit, drejtësisë etj. Kanë bërë hakmarrje politike ndaj grupimeve të ndryshme, madje edhe brenda llojit të vet! Koalicion qeveritarë në fushën e arsimit ka qenë nën çdo nivel, siç edhe u pa me rastin e vlerësimit të PISA-së!

Ky koalicion ka bërë pak e aspak për të pagjeturit, pak e aspak shpresa për të pastrehët, pak e aspak për pensionistët, pak e aspak për shëndetësinë, pak e aspak për ushtrinë, pak e aspak për arsimin, pak e aspak për të papunët, mandej deri tek degradim dhe njëanshmëria e ndarjes së titujve të nderit dhe të shenjtë si: Hero, Dëshmor, Martir, Nderi i Kombit, etj. për atdhetarët që kanë dhënë aq shumë për liri të vendit. Madje, loja me dekorata për të merituarit në fushat e kulturës, shkencës, sportit, artit, muzikës e krijimtari tjera.

26). PDK – LDK dhe Dikasteri i Ministrisë së Arsimit në hapësirat e Kosovës, nuk kanë unifikuar plan program mësimor asnjëherë. Nxënësit e komunitetit pakicë serb, mësojnë me plan program të arsimit të Serbisë dhe e zbatojnë atë në shkollat e tyre nëpër Kosovë. Punëtorët serbë  të arsimit (edhe tani), marrin nga dy paga mujore; një nga shteti serb dhe një nga Kosova! Ata nuk njohin diplomat e Universitetit të Prishtinës, ndërkaq Qeveria e Kosovës njeh diplomat e serbëve të lëshuara kuturu në veriut të Mitrovicës! Beogradi financon edhe strukturat e shërbimeve sekrete serbe, që operojnë ilegalisht në Kosovë. Pakicat serbe në Kosovë, nuk paguajnë rrymë (8 milion euro në vit, rrymë të harxhuar nga serbët në veri të Kosovës i paguajnë qytetarë tanë!), serbët nuk paguajnë ujin e shpenzuar, nuk paguajnë tatim, nuk paguajnë regjistrim për vetura e tyre, nuk njohin dokumentet e udhëtimit të Kosovës, nuk njohin institucionet tona, nuk pranojnë flamurin dhe simbolet tjera të Kosovës. Madje Serbia zgjedh edhe Presidentin e vet me votat e elektoratit të Kosovës!- thjeshtë ata nuk i përgjigjen autoriteteve të shtetit të Kosovës në asnjë segment të saj.

27). Gjyqësori i Kosovës dhe koalicioni qeverisës, deri me sot nuk ka ngritur as një aktakuzë për krime lufte kundër Serbisë millosheviqiane e cila ka ushtruar dhunë e gjenocid kundër shqiptarëve civil të Kosovës si: vrasje dhe masakrim të shqiptarëve të të gjitha moshave, religjioneve dhe gjinive, përdhunime të femrave shqiptare, dëbim të popullatës shqiptare nga shtëpitë dhe tokat e veta, plaçkitje të pasurisë së qytetarëve shqiptarë, djegiet e shtëpive të tyre, zhdukjen dhe moskthimin e mbi 2000 kufomave shqiptare etj. Qeveria e Kosovës, një lëndë të tillë akuze kundër pushtetit Serb nuk e ka ngritur asnjëherë në nivel institucional, dhe as në atë ndërkombëtar. Për më keq, kjo nuk është bërë as në mënyrë individuale nga qytetarët tanë, ngase nuk kanë gjetur mbështetje nga Qeveria e Kosovës, në një kohë kur agresori serb i djeshëm dhe i sotëm, vetëm në rastin Haradinja ka shpifur dhe deponuar në Francë rreth 2000 faqe aktakuza të paqena!…

28). Trumbetimi për transformimin e FSK-së, në Ushtri të Kosovës në fund të mandatit të këtij legjislacioni (çështje kjo tanimë shumë e vonuar), ngjason më shumë në komedi të radhës. Nga një anë kërkohet themelimi i Ushtrisë së Kosovës me ligj, por handikapi është se nuk e ka mbështetjen gjithëpërfshirëse, madje as të miqve tanë ndërkombëtarë. Mundësia tjetër është që ky transformim të bëhet me ndryshime kushtetuese (kështu do duhej të ishte), por këtë e bllokon pakica serbe me votën e saj të dyfishtë, prandaj gjithçka ka mbetur pezull!

Tani, nëse LDK-ja, ishte kundër që të bëhet Ushtria e Kosovës qysh në vitin 2014!, atëherë shtrohet pyetja: përse PDK-ja beri koalicion me këtë subjekt i cili ishte kundër bërjes së Ushtrisë sonë!?, edhe më indikativ është fakti që PDK-ja, prapë po kërkon mbështetjen e këtij subjekti politik kundërshtar e mohues! Me keqardhje, si në legjislacionin e kaluar, njëjtë edhe tani, ka dyshim edhe në legjislacionin e radhës që PDK dhe LDK nuk do ta bëjnë kurrë Ushtrinë e Kosovës- krejt kjo shkaku i primatit: njëra propozo- tjetra kundërshto!

29). PDK dhe koalicioni qeverisës, as një herë nuk e kanë ngritur zërin sinqerisht për të dalë në mbrojtje të shqiptarëve- mbetur padrejtësisht nën pushtimin serb, maqedonas dhe malazez. Nuk kanë ngritur zërin për të mbrojtur të drejta e tyre më elementare të garantuara me Konventa ndërkombëtare, si përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhës së tyre, shkollimit në gjuhën amtare në Republikat e lartpërmendura garantuara me ligj, ashtu siç i kanë të garantuara pakica joshqiptare në Kosovë. Mbi të gjitha PDK dhe koalicioni qeverisës, këtë duhet ta kishte ndier edhe si obligim moral e Kushtetues për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë ata në tokat e veta.

Duhet ta themi më shumë përgjegjësi se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, çdo ditë i nënshtrohen presionit dhe diskriminimit të vazhdueshëm nga pushteti Serb atje. Kjo bëhet me qëllim të zbrazjes së atyre trevave nga popullata shqiptare e cila jeton në tokat e veta. Medvegja, tanimë veç është zbrazur!…

30). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës me politikën e saj të inercionit, kanë lënduar rëndë imazhin e Kosovës. Qytetari ynë, kudo jashtë Republikës së Kosovës ndihet i nënçmuar, fyer e përbuzur, margjinalizuar e anatemuar, lënën në mëshirën e fatit. Trajtohet si qytetarë i rendit të dytë, ndalohet dhe arrestohet për hiq gjë; jo në pak raste, arrestohen edhe ministrat, kryeministri, kryetari partiak, anëtarët e FSK-së, si në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Slloveni, Rumani, Spanje, Hungari, Francë, Gjermani, Zvicër, Itali e kudo! A nuk është kjo përtej nënçmimit?! E gjithë kjo me urdhër të Serbisë së kohëve të Millosheviqit!, në një kohë kur kriminelet serbë shëtisin anë e kënd Evropës, madje në Republikën e Kosovës, hynë e dalin të lirë kur të duan dhe si të duan!…

31). Si produkt i mos efikasitetit të ligjit dhe të punës së kësaj Qeverie, janë shtuar raste të shumta kriminale që shqetësojnë qytetarin e rëndomtë. Keq bërjet në Republikën e Kosovës janë të përditshme  janë shifra në rritje dhe të pakontrolluar si: vrasje, plagosje, lëndimet me mjete të forta (fatkeqësisht edhe ndër nxënës nëpër shkolla), grabitje, mashtrime, linçime, haraç, vjedhje, djegie veturash, përdorues të narkotikëve, element të prostitucionit, korrupsion, fatkeqësi të përditshme komunikacioni deri edhe me pasoja fatale etj.

Nga ana tjetër, gjithnjë e më pak ka denoncim të këtyre rasteve tek organet e rendit, shkaku është i thjeshtë: ligji në Kosovë nuk po vepron me efikasitet, është shumë apatik e neglizhues, prandaj qytetari ynë ka humbur shpresat në mbrojtjen e shtetit- ka mbetur në dorë të zotit!

Qytetari ynë para drejtësisë, për ta zgjedhur një lëndë nga e cila është dëmtuar, duhet të pres dy, tri e më shumë vite, të zhvatet nga avokatë të tërë dhe krejt në fund Gjyqësori të të thotë: “Lënda është vjetruar!”, dhe e shpall të pafajshëm keqbërësin!…

32). PDK, LDK, dhe të gjitha subjektet tjera politike që veprojnë në Kosovë, pa dallim akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, nepotizëm deri edhe për tradhti e bashkëpunim me pushtuesin- në të njëjtën kohë, të gjitha janë të gatshme që të lidhin koalicion me njëra-tjetrën! Të gjitha heqin vijat e kuqe për të bërë koalicione mes vete kur është në pyetje pushteti! Si ka mundësi që LDK-ja akuzon PDK-në për krime e vrasje, për SHIK-istë, dhe në të njëjtën kohë është në koalicion me te, që d.m.th. në koalicion me “vrasësit” me “SHIK”-ist, me “kriminelët” etj!?… Po ashtu LDK-ja, akuzon edhe VV-në për agresore, për tororiste, madje edhe bashkëpunëtore të Serbisë, si ka mundësi LDK-ja, pati kaluar deri në ekstazë kur bëri “Bllokun” me VLAN-in. Ngjashëm është edhe tek partitë tjera që kanë ngufatur lirinë dhe progresin e Kosovës. LDK-ja, akuzohet tradicionalisht si bashkëpunëtore e pushtuesit dhe UDB-së, e ngarkuar me kuadro që kanë qenë këmbë e krye edhe kuadro të ish Jugosllavisë e Serbisë, ndërkaq mezi presin që të qeverisin në koalicion me te!!!, AAK-ën e akuzojnë për reketizëm e haraç, AKR-në për zhvatje mashtrime dhe bashkëpunim me Serbinë e Rusinë, Nismën etj. Secili i thotë secilit: ti je hajni, krimineli, ti je bashkëpunëtor me pushtuesin, je tradhtari dhe vrasësi. Nga ana tjetër, secili me secilin janë të gatshëm të përqafohen rreth pushtetit të përbashkuar, qëndrim kurvërie ky (nëse politika qenka e tillë), qëndrim joserioz ky dhe shumë i papërgjegjshëm para elektoratit.

33). Dua të sqaroj qytetarët tanë se unë kam punuar për 4 vite rresht në Konsullatën e Kosovës në Zyrih të Zvicrës (si pjesë e stafit lokal), për punën time jam paguar nga buxheti i Kosovës. Me tërë qenien time, jam përpjekur të jem në shërbim të qytetarëve tanë- do të isha i lumtur nëse ia kam dalë me sukses, dhe kjo do më bënte nder. Personalisht, kam bërë shkëputjen e kontratës time të punës, duke mos dashur që edhe më tej të jam barrë e buxhetit të Kosovës. Shkëputjen e kontratës së punës me Konsullatën e Kosovës në Zürich e kam bërë me 30 janar 2017.

34).PDK dhe LDK- koalicioni qeverisës, në raport me mërgatën tonë, nuk kanë marrë as një herë mundin që t’i trajtojnë ata si qytetarë të denjë të cilët kanë dhënë gjithçka nga vetja e vet për Kosovën dhe lirinë e saj. Mërgata shqiptare gjithandej në dyert e botes së madhe, ka dhënë edhe kafshatën e gojës me krenarinë më të madhe, me vullnetin më të madh për Kosovën dhe lirinë e saj. Ka dhënë  bijtë e vet më të shtrenjtë të cilët kanë lënë luksin e Evropës dhe Amerikës, ata sot prehen në zemrën e Kosovës mëmë! Mërgata sot, nuk përfillët dhe nuk përfaqësohen askund, mërgimtarët tanë shikohen vetëm si subjekt vjelje dhe kaq! Ata sa herë vizitojnë tokën mëmë, shihen dhe thirren në zhargonin e rrugaçërisë; si të huaj Auslanderi. Mërgata mes katër rrugëve të botës, e huaj në dhe të huaj dhe e huaj në dhe të vet!, a ka ku të shkoj kjo çoroditje më tej se kaq?! Ata vilen në kufi me sigurime të dyfishta për makinat, me taksa tjera rrugore, me çmime të kripura dhe mbi të gjitha me përçmimi. Këta vizitojnë atdheun e vet me kaq dashuri dy, tri e më shumë herë në vit, dhe kthehen në vend të huaj me kaq dhimbje e përbuzje, duke e shtruar të vetëm pyetje: A jemi edhe ne Kosovë?!

35). Duke mos qenë natyrë pesimiste dhe nihiliste, them me plotë gojën se Atdheu ynë nuk është kaq zi- JO, asnjë herë! Janë politikë-bërësit tanë ata të cilët me të pabërat e tyre kanë nxire faqen e bardhë dhe kanë lënduar rëndë imazhin e Kosovës. Kosova është e bukur, me lumenj, fusha e male, me pasuri nëntokësore e mbitokësore, me rini të zgjuar dhe të bukur, me nxënës e studentë të mirë, me Polici dhe Ushtri (FSK) të shkathët, me intelektualë e atdhedashës të përkushtuar, me sportistë e artistë të dalluar, me kolorit të bukur të qiellit dhe natyrës së saj, me bjeshkë gjigante maja-bore, me gryka e peizazhe të papërsëritshme, me kanione e gryka të mrekullueshme, me rezerva pasurish të pallogaritshme, me miq të shumtë ndërkombëtar, Kosova ka një popull të lashtë mikpritës e bujar, ka djem e burra trima si në legjenda që janë djegur në kullën e barotit për lirinë e atdheut, ka vajza e gra si zana mali, të cilat me sakrificat e tyre sublime kanë ngritur lartë zërin e atdheut. Gjuha jonë shqipe, është ndër gjuhët e para zonja të Evropës dhe botës sonë të madhe, shqiptarët janë ndër më të njohurit në Evropë si bukëdhënës, ne bukën kujt as nuk ia japin, por as nuk ia hanë me hile.

Është ligji i natyrës ai, që bënë të ikin të ligjtë duke lënë shije të hidhur mbrapa. Kosova dhe populli ynë këtu do mbetët brez pas brezi, do na pres e do na përcjell- dikë më të sharë, dikë më të qarë!… Pushtetarët vijnë e ikin, pa dyshim do të vjen brezi i ri që do ta bëj vendin tonë më të bukurin në botë, Kosovës do t’ia ndritë faqen e bardhë- për këtë nuk kam asnjë dyshim.

36). Të gjitha këto fakte që i solla më sipër, edhe një herë (pa dashjen dhe vullnetin tim), besoj se dëshmojnë mjaftueshëm për veprimet dhe mosveprimet e PDK-së , që shkojnë në dëm të Republikës së Kosovës e më gjerë. Prandaj, pas përpjekjeve dhe pritjeve të mia të vazhdueshme që kjo parti ta marrë të mbarën, shpresës sime të kotë i erdhi fundi.

Kjo që shkrova deri tani në arsyetim të  dorëheqjes sime , mbi të gjitha është çiltërsi dhe obligim qytetar për ta thënë të vërtetën. Nëse ky akt mund të quhet human e sublim, përkushtimit tim për t’i shërbyer Atdheut, çlirimit dhe bashkimit kombëtar, vetëm sa i shtohet pesha dhe përgjegjësia e veprimit në shërbim të çështjes sonë të pazgjidhur.

Përfundim:

  

   – Para së gjithash ta kemi të gjithë të qartë se për të aderuar në një subjekt politik, lipset përcaktim dhe vullnet i lirë, pa imponime dhe joshje.

   – Njëkohësisht për t’u larguar nga një subjekt politik, tani nuk është vullneti dhe përcaktimi i aderuesit, por duhet të ketë një arsye të fortë dhe të pakapërcyeshme për ketë veprim!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …