Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Nga sot dhe nga këtu, rruga ime me PDK-në, ndahet përfundimisht! I

Duke u mbështetur në parimet, etikën dhe përkushtimin tim në shërbim të atdheut, në idealin dhe përpjekjen time për t’i shërbyer çështjes së pazgjedhur kombëtare, aspiratë për të cilën janë flijuar breza të tërë të popullit tonë: unë, Mehmet Bislimi, në shenjë pakënaqësie, jap dorëheqje të parevokueshme nga Partia Demokratike e Kosovës, në kuadër të së cilës kam vepruar që nga themelimi i saj. Me këtë rast ndjej për detyrë të theksoj se rruga politike e PDK-së së viteve të fundit, nuk përkon me bindjet e mia kombëtare madje as me rrugën e premtuar në fillim të krijimit të saj si parti e vlerave të luftës çlirimtare.

Zhgënjimi im pas kaq vitesh përpjekjeje dhe pritjesh që të realizohen synimet e premtuara prej saj, bëri që rruga ime me PDK-në të ndahet përfundimisht, tani dhe këtu!

 

 Shkaqet dhe arsyet e dorëheqjes sime nga PDK-ja po i jap në vijim:

 1). Para së gjithash në punën time jam përpjekur të jam i sinqertë, dhe asnjëherë nuk më ka prirë qëllimi që gjerat t’i shoh vetëm zi. Është i saktë konstatimi se në historinë e saj, Kosova nuk ka qenë asnjëherë më mirë se tani, me rrugë të shtruara, kanalizime, shkolla, ambulanca, me autostrada, etj. Po kaq i sakët është edhe fakti se këto investime në Kosovë askush nuk i kanë bërë nga xhepi i vet, përkundrazi, duhet theksuar me keqardhje se buxheti i shtetit të Kosovës është menaxhuar keq, përndryshe ka pasur mundësi reale që të bëhet edhe shumë më shumë se kaq, në mënyrë që Republika e Kosovës sot të ishte shumë më mirë, të paktën do t’i ngjante një shteti të mirëfilltë në ngritje!

Ky vendim për mua nuk ka qenë i lehtë, pas 18 vitesh veprimtarie të largohem nga PDK-ja, por edhe gëlltitja e dukurive negative të pjella prej saj për më tej, ishte e pamundur. Dorëheqja ime nga PDK-ja, është kryekëput zhgënjim imi politik në rrugëtimin e saj, prandaj po e përsërisë edhe një herë shumë prerë e qartë: – qëndron larg çdo interesi tjetër personal.

2). Formësimi im politik e kombëtar, nuk lidhet me këtë subjekt, madje as me figurat që i prijnë sot e dje këtij subjekti. Jo, unë dhe familja ime, kemi një përkushtim atdhetar që nga kohët e hershme të pushtimit të tokave tona. Natyrisht, frymëzuar nga gjenerata të tëra patriotësh e atdhedashës para dhe pas Luftës së Dytë Botërore në vazhdimësi deri tek ditët e sotme, ne, ishim në shërbim të çështjes kombëtare, kuptohet  me mundësitë tona- pavarësisht pasojave që kemi bartur mbi supe familjarisht dhe individualisht!

3). Aderimin tim në PDK, atëbotë e kam bërë për hir të parimeve dhe çështjeve madhore. Pas gjithë kësaj kohe qëndrimi në këtë subjekt, që ka devijuar nga qëndrimi i parë, edhe daljen time nga kjo parti po e bëj pikërisht për hir të parimeve dhe çështjeve madhore!

4). Dua t’i  sqaroj shumë sinqerisht anëtarët e PDK-ës dhe qytetarët tanë se dorëheqja ime nga PDK-ja, nuk ka të bëj fare me ardhjen e lidreshipit të ri në krye të saj. Në asnjë mënyrë, largimi im nuk lidhet as me liderin e atëhershëm, dhe as me liderin aktual të PDK-ës, në kontestin individual. Jo, dorëheqja ime ka të bëj me konceptin, që unë e mendoj të gabuar,  të këtij subjekti politik i cili bartë mbi supe përgjegjësinë e shumë dështimeve në Kosovë, dhe natyrisht si pasojë e qasjes së gabuar të të dy liderëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendimmarrës, brenda këtij subjekti politik që quhet Partia Demokratike e Kosovës. Natyrisht, në mënyrë të padiskutueshme një pjesë e kësaj përgjegjësie bie edhe mbi mua, duke qenë anëtarë i këtij subjekti politik për kaq vite, këtë e them me përgjegjësi të plotë.

5). Personalisht, mendoj se Partia Demokratike e Kosovës ka kohë që ka degraduar nga rruga e aspiratave tona kombëtare. Për më shumë, politika që ka udhëhequr PDK-ja dhe hierarkia e saj, ka degjeneruar dhe dështuar në procesin e tërësisë së saj për bërjen e Kosovës shtet të lirë me integritet e sovranitet të pacenuar, shtet demokratik të mëkëmbur ekonomikisht e politikisht, si dhe në integrimin e saj drejt shteteve të zhvilluara demokratike, ku qytetarët tanë mund të jetonin dinjitetshëm.

6). Për më shumë PDK-ja, në Kosovën e pasluftës, në raport me Serbinë pushtuese, ka pësuar fiasko gati në të gjitha segmentet e saja, si në rrafshin politik, diplomatik, ekonomik në atë të drejtësisë dhe të dialogut duke i bërë asaj koncesione të shumta. Këto lëshime të bëra nga elita jonë politike, me apo pa vetëdije (tanimë pak rëndësi ka kjo). Përgjegjësia për këto dështime natyrisht se i faturohet koalicionit aktual qeverisës PDK – LDK, këtyre dhe vetëm këtyre. Fatkeqësisht si shumë herë tjera, pasojat do përplasën mbi kurrizin e popullit tonë të pafajshëm.

7). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës, si bartës të proceseve politike në Republikën e Kosovës, para elektoratit shqiptar si dhe para bashkësisë ndërkombëtare, kanë lënë shije të hidhur në shumë rrafshe: si në atë të hapjeve të vendeve të reja të punës, luftimit të korrupsionit, të nepotizmit, të privatizimit, të bërjes dhe sundimit të ligjit, të bërjes së shtetit të mirëfilltë,  ku të gjithë do të ishin të barabartë para ligjit. Kjo nuk po ndodhë as sot, pas gati tetëmbëdhjetë vitesh të ushtrimi të pushtetit nga bartësit e politikës sonë, madje as pas gjithë atyre premtimeve megalomane në mënyrë të ripërsëritur para elektoratit!

8). PDK-ja dhe koalicioni qeverisës, kanë varfëruar qytetarët tanë materialisht dhe politikisht. Kanë krijuar shtresa të tëra të varësisë sociale e politike, nuk kanë luftuar krimin e organizuar në masën e duhur, krimin politik, ekonomik, religjioz etj. Ka degjeneruar çështja e besimit deri në atë shkallë sa në Aeroportin e Prishtinës shënon: “Dhoma e lutjeve”, në Polici, në FSK, në Institucionet e Kosovës falen 5 vakte të namazi!, në Kuvend të Kosovës në legjislacionin e kaluar sa nuk u fut edhe me ligj mbulesa- burka!… Si përfundim, ka mbetur të hapni edhe një dhomë lutjesh në Kuvendin e Kosovës për të falur namaz atje deputetët tanë, pas seancave plenare e deri të degradimi i moshës më vitale të popullit tonë, si vrasja e imazhit me performanca shamie, veshjet dhe mjekrat karakteristike, që ngjasojnë më shumë në periudhën e mesjetës e deri tek ekstremi tjetër i shkallës më të ulët terroriste nën hundën e pushtetarëve tanë, siç ishte angazhimi i dhjetëra të rinjve tanë në luftërat banale në Siri e gjetiu, një pjesë e të cilëve edhe kanë lënë kot e kot kokën atje!

9). Koalicioni qeverisës, si pasojë e paaftësisë për të përparuar ekonominë e vendit, ka shtuar shtresat e të varfërve, raporti mes të ardhurave të qeveritarëve dhe qytetarëve është 10 me 1, në favor të qeveritarëve. Varfëri kjo, që ka detyruar moshën më vitale të rinisë sonë të emigrojë jashtë vendit në mënyrë klandestine, gjë që ka krijuar raporte jo të këndshme edhe me shtetet e BE-së, duke thelluar kështu edhe më hendekun e varfërisë në Kosovë, madje duke humbur edhe shpresat për të përfituar lëvizjen e lirë (vizat), në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e Evropës, pjesë gjeografike e së cilës jemi. Në mungesë të perspektivës për kushtet e një jete modeste dhe më të mirë, qytetarët tanë në një masë bukur të madhe kanë shitur pasuri e katandi, për të ikur nga sytë – këmbët!

10). Me qasjen e saj selektive, në raport me luftëtarët e lirisë, PDK-ja ka bërë dallime dhe anashkalime drastike, duke zhgënjyer luftëtarët e denjë deri në masën e përçmimit! Nuk i ka punësuar ata me prioritet, nuk iu ka siguruar atyre as minimumin e kushteve elementare të jetesës. Ka vepruar mbi baza të nepotizmit e zhvatjes, ka barazuar dezertorët me luftëtarët, ka ofruar servilë të tërë rreth vetës, duke përjashtuar e margjinalizuar luftëtarët dhe atdhetarët e denjë nga mundësia e një jete të dinjitetshme, duke ua vështirësuar atyre rrugën e integrimit në shoqëri, duke i zhgënjyer ata që dhanë aq shumë për interesa madhore të atdheut etj.

11). PDK dhe koalicioni aktual, në rrafshin e punësimit horizontal e vertikal, kanë krijuar dinasti nepotizmi duke punësuar në rende të parë familjarët e tyre si: tezakë, baxhanak e baxhanake, gra e djem xhaxhallarësh, ndrikulla dhe kumbarë, dhëndurë e kunetër, nipër dhe mbesa, dajallarë e mujsharë, kushërinj të parë, dytë e tretë, ka punësuar servilë e poltronë të tërë, njerëz të pa denjë e makut- zhvatës të pasurisë së atdheut!, si për habi, ka ofruar edhe kundërshtarët e përbetuar për t’i kthyer ata më vonë në vartës dhe shërbëtorë të denjë.

12). Përfaqësuesit e koalicionit aktual qeverisës, por edhe opozitarët me deputet të shumtë të të gjitha ngjyrave, kanë vrarë rëndë imazhin e Kosovës me paraqitjen e tyre imorale dhe shumë të ultë gjatë seancave plenare në Kuvendin e Kosovës. Me sjellje megalomane, servile e naive, të vrazhdët deri agresive dhe arrogante, me mungesë njohurish elementare, madje edhe në të shkruar e shprehur shqip!, me fjalor të pistë e banal, drejtuar njëri- tjetrit si: shuaj, mbylle gojën, boll mo, pis, hajdut, imoral, kriminel, psikopat, shik-as, udb-ash, vrasës, mos rrej, kriminel e deri tek rrahjet me grushte mes vete!… Ju përfaqësues të mjerë, dalë nga vota e popullit keni dëshpëruara dhe vrarë rëndë besimin që ua ka dhënë sovrani. E saktë, deputetët e Kuvendi të Kosovës, kanë qenë në një mendje dhe unik vetëm atëherë, kur ishte në pyetje rritja e rrogave, mëditjeve dhe mirëqenies së tyre personale!

13). PDK-ja, me politikat e saja anemike, me nxjerrje rezolutash e batutash të kota në Kuvendin e Kosovës, nuk arriti ta ruaj tërësinë dhe integritetin e Kosovës, në raport me fqinjët duke falur tokat tona Maqedonisë, Malit të Zi dhe në një të ardhme jo të largët edhe Serbisë! Për më keq; lëshimet me asociacionin, demarkacionin, me ura, me parqe dhe mure në Mitrovicë etj. Muri ky i cili paraprakisht është mur fiktiv që ka konotacion psikologjik para atij fizik: siç është mos prania jonë në toket tona në veri për gjithë këto vite, mos prania e organeve shtetërore: e policisë, ushtrisë, Qeverisë, gjykatave dhe institucioneve tjera. Qartazi, kjo i bie që ajo tokë është mollë e ndaluar për qytetarët shqiptarë të Kosovës!

14). PDK dhe LDK, gjatë gati dy mandateve legjislative në veri të Mitrovicës, nuk kanë ndërtuar as edhe një shtëpi për të mundësuar qytetarët shqiptarë që të jetojnë lirshëm në shtëpitë dhe tokat e veta. Serbet lokalë të ndihmuar drejt për së drejti nga Serbia, kanë ndjekur shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës publikisht dhe nën hundët e Qeverisë sonë. Ua kanë rrënuar shtëpitë, ua kanë uzurpuar banesat dhe pasuritë shqiptarëve atje. Qeveria e Beogradit, ka ndërtuar atje qindra banesa me emrin “Lugina e Diellit”, për të populluar atë pjesë me serbë të ardhur nga pjesë të ndryshme të Serbisë, madje Qeveria Serbe në atë pjesë mbanë edhe mitingje elektorale për zgjedhjet në Serbi e si t’ia do qejfi!

15). PDK-ja dhe koalicioni aktual, rreth vetës ofruan individë jokredibilë, profiterë, intrigantë, servilë e injorantë, të pa denjë e të pa kurriz. PDK, katapultoi margarita e margaritana, madje mu në majat e partisë e qeverisë, tregtarë e manipulues në shumë rrafshe edhe me pushtuesin tonë shekullor! Ky kalërim i PDK-së, nga një pol i ekstremit në polin e ekstremit tjetër, tregon më së miri se ku kanë rënë parimet, kriteret dhe morali i saj politik e kombëtar!

16). Si pasojë e humbjes së  qeverisjes në komunat e   Gjilanit, Mitrovicës, Fush- Kosovës, Obiliqit, Lipjanit Ferizajt, Vitisë, humbje morale në Drenasit etj. ishte përcaktimi politik i vet kreut të PDK-së, për kandidat të konsumuar,  të penalizuar të rënë ndesh me ligjin, të rënë ndesh me etikën si parim elementar që brumos një njeri për të qenë i denjë. Kjo, thjesht për faktin e mospërfilljes së të devotshmëve, madje sjellja kapriçioze e kreut të saj, interesat e ndërlidhura mes vete, hipotekat e ndryshme e deri tek nepotizmi dhe korrupsioni i instaluar thellë deri në asht!

Me këtë qasje brenda lloji të vet, PDK-ja, krijoj një perimetër rrezeje të mjaftueshëm për përplasje dhe ndarje në grupe e fraksione, krijoj mosbesim të ndërsjellë, krijoj yshtje për ngrënie kokësh të njëri-tjetrit, sharje dhe akuza të padëgjuara deri atë kohë!, shpifje dhe fyerje nga më të lloj- llojshmet deri tek denoncimet dhe akuza të ulëta e të mjera publike, faturuar në llogari të njërit- tjetrit (kjo, gjithnjë brenda llojit të vet!).

Mehmet Bislimi: Nga sot dhe nga këtu, rruga ime me PDK-në, ndahet përfundimisht! II …

Mehmet Bislimi: Nga sot dhe nga këtu, rruga ime me PDK-në, ndahet përfundimisht! II

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …