Sadik Halitjaha kërkon zhbërjen e Gjykatës Speciale: Duhet angazhim gjithshqiptar

 Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha, ka kërkuar zhbërjen e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar krijimin dhe funksionimin e saj si një proces të imponuar dhe të padrejtë ndaj Kosovës. Në një reagim të tij, Halitjaha ka kritikuar mënyrën e krijimit të Dhomave të Specializuara dhe ka ngritur një sërë pretendimesh lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, Gjykata Speciale është krijuar pa përfshirje të mjaftueshme të institucioneve të Kosovës dhe ka marrë kompetenca që, në vlerësimin e tij, i takojnë sistemit vendor të drejtësisë. Halitjaha ka kundërshtuar edhe akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke argumentuar se gjatë luftës në Kosovë nuk kanë ekzistuar rrethanat dhe strukturat shtetërore që, sipas tij, do t’u mundësonin udhëheqësve të luftës të kontrollonin të gjitha zhvillimet në terren. Ai ka reaguar edhe ndaj vendimit të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar dënimin e tyre si të papranueshëm dhe duke kërkuar që çështja të trajtohet edhe në nivel institucional. Halitjaha i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe të shqyrtojë gjendjen e krijuar, ndërsa Parlamentit i ka kërkuar të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme dhe të ndërmarrë hapa lidhur me ligjin për funksionimin e Gjykatës Speciale. Ai ka kërkuar gjithashtu që Qeveria e Kosovës të hyjë në bisedime me Këshillin Evropian për përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale, duke përmendur datën 30 janar 2027, si dhe rishikimin e marrëveshjes me Holandën për qëndrimin e saj në Hagë. Një pjesë të veçantë të reagimit të tij, Halitjaha ia kushton bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ai thotë se Parlamenti i Shqipërisë ka nxjerrë një vendim për bashkërendimin e veprimeve të dy qeverive lidhur me këtë çështje dhe kërkon që edhe Qeveria e Kosovës t’i bashkohet këtij bashkëveprimi.  “Poshtë padrejtësia! Rroftë liria! Rroftë populli Shqiptar i lirë dhe i bashkuar!”, përfundon reagimin e tij Sadik Halitjaha.

Kontrolloni gjithashtu

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji: Vendimi i Dhomave të Specializuara ka rikujtuar “kalvarin” e padrejtësive historike

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës …