Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar sërish pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Musliu ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është trajtuar lufta e Kosovës në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e kontekstit historik dhe të së vërtetës së plotë në vlerësimin e drejtësisë. “A mund të quhet drejtësi një proces që e shkëput luftën nga historia që e solli atë? Unë besoj se jo. Drejtësia nuk mund të jetë vetëm një sallë gjyqi. Nuk mund të jetë vetëm një dosje. Nuk mund të jetë vetëm një interpretim i fakteve të zgjedhura. Drejtësia duhet të ketë edhe kujtesë. Duhet të ketë kontekst. Duhet të ketë guximin për ta parë të vërtetën të plotë, edhe kur ajo është e pakëndshme”, ka shkruar Musliu në Facebook. Ajo ka thënë se drejtësia nuk duhet të kufizohet vetëm në një proces gjyqësor, por duhet të marrë parasysh edhe rrethanat historike në të cilat u zhvillua lufta e Kosovës. “Kosova nuk e nisi luftën për të pushtuar dikë. Kosova luftoi sepse liria ishte bërë domosdoshmëri njerëzore”, ka shkruar ajo. Musliu e ka cilësuar aktgjykimin si “masakër të drejtësisë ndërkombëtare”, duke argumentuar se çështja, sipas saj, nuk lidhet vetëm me dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së. “Është ndjenja se në një proces të tillë mund të jetë cenuar vetë besimi se drejtësia ndërkombëtare është mbi politikën, mbi interesat dhe mbi versionet e fuqishme të historisë”, ka deklaruar Musliu. “Historia nuk mbyllet me një aktgjykim. Një gjykatë mund të shkruajë një vendim. Nuk mund ta shkruajë përgjithmonë historinë. Muret e Hagës mund t’i mbajnë sot katër burra, por nuk mund ta burgosin kujtesën e një populli”, ka shkruar Musliu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
