Prof. dr. Sabit Syla ka reaguar lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se pasojat e tij prekin jo vetëm të dënuarit dhe familjet e tyre, por edhe kujtesën historike dhe mënyrën se si interpretohet lufta çlirimtare e Kosovës. Sipas Sylës, ekziston rreziku që aktgjykimi të përdoret për të ndërtuar një narrativë që e paraqet UÇK-në vetëm përmes akuzave të këtij procesi, duke e shkëputur luftën nga konteksti historik i represionit, dhunës dhe spastrimit etnik që i parapriu asaj. “Një aktgjykim nuk mund të bëhet historia e një populli. Një vendim gjyqësor nuk mund të zëvendësojë tërësinë e fakteve, rrethanave dhe zhvillimeve historike që lidhen me luftën çlirimtare”, thekson Syla. Ai kërkon që kundërshtimi të jetë i organizuar dhe të përqendrohet në rrugët juridike, veçanërisht në procesin e apelit. Sipas tij, mbështetja qytetare duhet të shoqërohet me veprim institucional nga Prishtina dhe Tirana, përmes kapaciteteve profesionale dhe diplomacisë. “Ky është momenti për të vepruar, jo për të heshtur. Jo me përçarje, por me unitet, argumentim dhe mbështetje të fuqishme për rrugën juridike që ende mbetet e hapur”, shprehet Syla. Ai thekson gjithashtu se çdo pretendim për përdorimin e dëshmive të rreme duhet të hetohet dhe të trajtohet sipas përgjegjësive përkatëse.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
