Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Zgjidhja e vetme- zgjedhjet!

Partia Demokratike e Kosovës, ka ngatërruar qasjen e një subjekti politik opozitar, që ka obligim për të bërë opozitën, për të kritikuar argumentueshëm pozitën, për të kërkuar zgjedhje të reja, të parakohshme, të jashtëzakonshme, etj.

Ajo ka për obligim të kërkojë edhe rënien e Qeverisë e cila nuk përmbushë obligimet dhe përgjegjësitë para qytetarëve- cilado qoftë ajo, dhe në cilëndo kohë të saj qeverisëse. Ky është roli prioritar i opozitës.

PDK (me dashje), sikur ka rrëshqitur në trenin e lajkave duke u sjellë kështu si një adoleshente lozonjare, që ia ka enda të futet në valle, por që bënë naze për ta lutur e mikluar edhe më shumë- formë kjo që dëmton rëndë seriozitetin e qasjes të një subjekti politik,  në veçanti rolin e saj opozitar, politik, elektoral, etik, etj. Me këtë qasje PDK, sikur meton të bëhet patericë e pozitës për t’i zgajtur jetën asaj. Ndryshe si shpjegohet fakti, kur nënkryetari i saj, z. Totaj deklaron se zgjedhjet janë opsioni i fundit të cilin e mendon PDK-ja.

Sipas z. Totaj, më mirë do të ishte të arrihej një konsensus për presidentin para se të shkonin në zgjedhje, nëse jo, atëherë zgjedhjet do të ishin të paevitueshme! PDK, është e gatshme për zgjedhje por ne i shohim zgjedhjet si opsion të fundit pasi të jenë konsumuar te gjitha mundësitë tjera- tha z. Totaj.

A ka njerëz në këtë vend, që flet rrjedhshëm, pa ekuivokë, që flet troç e shqip, që e sheh realitetin drejt e në sa, që nuk i trembët valëve të jetës, që thotë me bindje realiste se në këtë vend, nuk ka mbetur gjë pa u konsumuar, dhe zgjidhja e vetme e çështjes politike në Kosovë; janë zgjedhjet! Pavarësisht se ku do ta na vë vala, ku do të rangohemi, ku do të na vë kandari i sovranit. Në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet, dhe kjo është e domosdoshme, pavarësisht kalkulimeve politike, që mund të bëhen.

Zgjedhjet janë normale, dhe nevojë e domosdoshme që sovrani ta zgjedhë atë që do, atij që i beson. Një opozitë e mirëfilltë  nuk frikohet nga zgjedhjet, me këtë ajo tregon para elektoratit të vet konsekuencën e të bërit opozitë, mbi të gjitha tregon se është e konsoliduar dhe e gatshme për sfidat e radhës.

Duhet të jemi të guximshëm dhe të qartë: vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja, për fuqizimin e institucioneve, për vendime të fuqishme politike dhe ekonomike, për përmirësimin e imazhit të Kosovës e shumë gjëra tjera imediate që nuk presin.

Vet kreu i LDK-së e kishte thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje, qoftë komunale apo të përgjithshme, nuk e kuptojmë pse heziton apo pse frikësohet, PDK-ja!?….

A ka ndonjë burrë në këtë dhe, që e thotë të vërtetën:

Oooo, njerëz, elektorati ynë është lodhur, është traumatizuar, është stërngopur me premtimet dhe paraqitjet e politikanëve, për çdo ditë para ekranit dhe mediave, me demagogjitë e tyre, me sharjet e tyre të përditshme nga më të “larmishmet” , dhe pa fije turpi e kodi etik, me kërcënimet e tyre hapur ditën e natën, a ka shtet këtu?!

Me akuzat e ndyra dhe të lloj-llojshme, si: ti je pro-rus, pro- serb, pro UDB-ash, je tradhtar, je kriminel, je hajn, je vrasës, je plaçkitës, je pelë, je gomarë, je lopë, je rrenacak e dhjetëra sharje tjera, madje herë- herë kërcet dhe dajaku… Këto sharje e shpifje i ke për çdo natë për mes ekraneve televizive dhe mediave  të shkruara, për mes ftesave në studio, përmes tryezave, ku një pjesë e tyre që shajnë dhe etiketojnë njëri-tjetrin, janë të tillë, dhe për habi: si ka mundësi që mediat i japin hapësirë publike një hajni, një vrasësi, një plaçkitësi e mashtruesi, një intriganti, një servili, dhe një sajuesi, madje ftesë në debat televiziv- fatkeqësisht, një pjesë e tyre, janë edhe autoritete qeveritare!!!

Këtë nuk e kuptoj, edhe një herë a ka kod etik, a ka ligj, a ka shtet këtu!

Kur hapi TV-në, dhe shoh se kush është i ftuar në studio, i mbylli fëmijët në dhomë deri sa të mbaron debati- më tha një mik imi! Na i çmenden  edhe fëmijët mor burrë, ata kanë filluar dhe po i imitojnë të sharat e tyre, në shkolla, pauzë, duke lozur mes vete, dhe duke i ruajtur bagëtitë!…

Tani kush na qeverisë ne, këta që njeri- tjetrin shajnë dhe kërcënojnë publikisht- JO!

Kjo nuk guxon të vazhdojë më… a ka diçka më të tmerrshme për elektoratin dhe popullin mbarë se kur hapet emisioni dhe fillon prezantimi i të ftuarve: “sot kemi prezent; x-y, ish vrasë, x-y ish i dënuar për hajni, x- y ish plaçkitës, x-y, ish i akuzuar, x-y, ish i dënuar, madje ka pasur edhe përdhunues, servil e sajues, dhe populli dëgjon analiza se çfarë thonë këta xhevahir!”,  O zoti i madh, deri kur kështu, çka i ka borxh populli shqiptar kësaj politike, këtyre  mediave dhe kësaj qasje përdhunuese të trurit tonë! Pse e dhunoni popullin kështu dhe deri kur do të vazhdoni me këto marrëzi e çmenduri, pa pikë turpi e njerëzie?.

Edhe një herë, zgjedhje dhe vetëm zgjedhje. Ndryshe populli ka vetëm një pyetje: për çfarë politike e kodi moral po flisni ju lutem, a i shihni ju ndonjë herë këto storie, a nuk skuqeni kur i shihni ato, të paktën para familjeve tuaja, se në çfarë pozite keni rënë, a nuk mendoni ndonjë herë për të thënë: mjaft me se nuk shkon kështu, mjaft më se u bëmë nami i zi i botës. Tani në këtë stinë dimri, ku njerëzit e skamur e harruar, nuk kanë sa duhet ujë, drita, strehë, veshmbathje, ngrohje, medikamente, siguri, nuk kanë të ardhura, nuk kanë punë, ku po na i shpie mushka drutë. Për çdo ditë, vrasje, vjedhje, plaçkitje me dinamit në pikë të ditës , përdhunime, rrahje…  edhe çka duhet të ndodhi në Kosovë që të  shohim pozita dhe opozita, se këtij populli ia keni tepruar me të gjitha.

E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme!

Kthejani votën sovranit, që ai të vendos  vet!

7-12-2020

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …