Memli Krasniqi: Një marrëveshje me Serbinë, pa njohjen në qendër, do të zgjasë procesin e dialogut dhe status-quonë në Kosovë

Memli Krasniqi: Mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është ezauruar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme tashmë është ezauruar. Ai në një konferencë për media tha se thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme. “Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual. Më lejoni të ritheksoj se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie”, është shprehur kreu i PDK-së. Krasniqi theksoi se edhe për PDK-në dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar e shkuarjes në zgjedhje, por mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit.

“Prandaj, duke parë nevojën e madhe që vendi të shkoj në zgjedhje, për ne kishte më shumë rëndësi qëllimi sesa mënyra. Gjatë kësaj periudhe, PDK ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes dhe gatishmërinë e saj për zgjedhje të parakohshme në shumë raste. Këtë e dëshmuam edhe kur nominuam si kandidat për Kryeminsitër Bedri Hamzën me 27 mars të këtij viti. Këtë e dëshmuam edhe të premten, me 24 maj, kur PDK u paraqit në sallën e Kuvendit për t’iu përgjigjur rezolutës së AAK-së për shkarkimin ose dorëheqjen e Qeverisë. Këtë e ridëshmuam për të satën herë edhe përmes letrës së fundit që u dërgova kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ai.

Krasniqi tha se angazhimi i shtuar i PDK-së për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë Kurti, për shkak të stagnimit të shtetit në të gjitha nivelet dhe funksionet e tij, para se të jetë kërkesë partiake, është nevojë qytetare.

“Në tri vitet e fundit, jemi dëshmitarë të një stagnimi të madh ekonomik, rritje enorme të çmimeve që ka rezultuar me përkeqësim të mirëqenies së qytetarëve, izolim diplomatik i shpërfaqur me masa ndëshkuese ndaj shtetit tonë e posaçërisht së fundmi me mos-futjen në agjendë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, regres të theksuar në arsim e shëndetësi, e deri te emigrimi i madh i qytetarëve”, shtoi ai.

Propozimin për shpërndarjen e Kuvendit, PDK e ka dhënë në mbledhjen e Këshillit Drejtues qysh në korrik të vitit 2023 dhe e ka përsëritur në mbledhjen e radhës në shkurt të këtij viti, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për një Qeveri të re, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila rikthen Kosovën në kursin e zhvillimit dhe integrimit.

“Për këtë arsye, unë pranova edhe ftesën e Kryeministrit Kurti për takim me 13 maj, duke bërë të qartë që PDK takohet vetëm për ta diskutuar datën e zgjedhjeve të reja. Të gjithë e dini epilogun e atij takimi: PDK doli me qëndrimin e saj dhe, madje, propozoi edhe dy data konkrete për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi uroi që deri në përfundim të mandatit të rregullt të Qeverisë Kurti 2, Kosova dhe qytetarët e saj nuk do të marrin ndonjë goditje të re, nga brenda ose jashtë, që do të ishte me pasoja të rënda dhe afatgjate.

“Kosova po humbë kohë të vlefshme, procese të rëndësishme e miq me vlerë – si pasojë e këtij mentaliteti qeverisës. Ne jemi të bindur se fundi i kësaj Qeverie – do të nënkuptonte një fillim të ri për shtetin tonë. Për fat të keq, kolegët tanë nga partitë opozitare nuk ishin të gatshëm njësoj si ne. Ndoshta atyre u duhet më shumë kohë, por koha nën këtë qeverisje po shkon në dëm të interesit qytetar”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend, duke kundërshtuar politikat e gabuara të kësaj qeverie.

“Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të ofrojmë alternativën më të mirë për qytetarët e Kosovës, përmes vizionit dhe programit të kandidatit tonë për kryeministër, Bedri Hamza. Një alternativë që i jep Kosovës një qeveri të përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, për të cilën ka aq shumë nevojë Kosova sot”, përfundoi Memli Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …