Memoriali kushtuar “Eksodit 89” inaugurohet më 15 prill

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur Enver Bytyqin, përfaqësuesi i kryetarit të Bashkisë   së Kukësit dhe përfaqësuesit e OJQ “Eksodi 99”, me në krye Ali Topallin, kryetar, me të cilët ka biseduar për organizimin e aktiviteteve për shënimin e 17 vjetorit të  përndjekjes masovike të shqiptarëve nga ana e forcave kriminale serbe.

Përfaqësuesit e “Eksodit 99” dhe Bytyqi e njoftuan kryetarin Bahtiri me përgatitjet që po bëhen për shënimin e 17 vjetorit të dëbimit me dhunë të popullatës shqiptare nga forcat ushtarako-policore dhe paramilitare serbe.

Ata i thanë kryetarit Bahtiri se përgatitjet janë në vlugun më të madh dhe se për të shkuar çdo gjë ashtu si duhet, është e domosdoshme edhe mbështetja e komunës.

Përfaqësuesi i kryetarit të Bashkisë   së Kukësit, Enver Bytyqi, tha se në Kukës, do të organizohet edhe kësaj radhe një tubim i madh, ku pritet të marrin pjesë mbi 20.000 shqiptarë.

“Do të jetë një  manifestim i madh, ku do të përkujtohen ato ditë të vështira për popullin shqiptarë, por edhe ditë krenarie për solidaritetin e treguar vëllazëror. Krahas fjalimeve të personaliteteve të larta të Shqipërisë dhe Kosovës, do të ketë edhe aktivitete kulturo-artistike, pastaj do të organizohet një panair i madh gjithëkombëtar etj. Pjesëmarrësit do të jenë të mirëpritur nga qytetarët dhe drejtuesit e Kukësit”, tha ai.

Edhe kryetari i “Eksodit 99”, Ali Topalli, foli për përgatitjet që po bëhen në Mitrovicë dhe për bashkërendimin e aktiviteteve me komunat tjera të Kosovës, sidomos me Xërxen dhe Kukësin. Ai tha se ka disa probleme të vogla, por të cilat do të tejkalohen deri në ditën e fillimit të aktiviteteve, duke shtuar se edhe monumenti kushtuar eksodit do të jetë i gatshëm.

Kryetari Bahtiri tha se komuna është në dispozicion të organizatorëve të aktiviteteve dhe se do t’i mbështesë ato në të gjitha mënyrat, edhe materialisht aq sa lejojnë mundësitë.

“Me Kukësin kemi bashkëpunim të mirë dhe duhet ta thellojmë akoma. Kukësi ka treguar zemërgjerësi dhe dashuri vëllazërore ndaj qytetarëve tanë dhe të Kosovës në kohëra shumë të vështira. Ne kuksianeve u jemi mirënjohës përgjithmonë. Do të falënderojmë Kukësin dhe qytetarët e tij edhe në shënimin e këtij përvjetori, më 16.04.2016”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …