leoni

Metë Bytyqi: Të gjithë të pakënaqurit në një strehë

Paralajmërimet e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, si dhe deputetit e ish-ministrit Fatmir Limaj, për formimin e një subjekti të ri politik gjatë kësaj jave, në opinionin publik dhe në media po interpretohet në forma të ndryshme. Kjo nismë ka ndodhur për shkak të pakënaqësive të tyre në subjektin politik të të cilit i kanë takuar deri më tani, Partisë Demokratike të Kosovës, qysh nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010.

Pas këtyre zgjedhjeve, PDK-ja, doli partia më e votuar në Kosovë, e cila fitoi bindshëm dhe po kjo parti kishte edhe përgjegjësinë e formimit e kabinetit të ri qeveritar. Mirëpo, jo gjithçka shkoi sipas planeve dhe ambicieve të zyrtarëve më të lartë të PDK-së. Edhe kësaj radhe, si në të shumtën e rasteve përgjegjësia më e madhe i takonte kryetarit të partisë, Hashim Thaçi, i cili ishte mandatar për formimin e qeverisë së re. Pas refuzimit të AAK-së për të qenë pjesë e koalicionit, Thaçit nuk i kishin mbetur shumë alternativa për të zgjedhur, prandaj edhe u formua qeveria e re në koalicion me AKR-në dhe partnerët e saj, PD, PSD dhe E15. Marrëveshja për formimin e koalicionit ndodhi pasi që PDK-ja dhe Thaçi i dhuruan postin e presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Më këtë rast Thaçi vendosi vetë për ekipin e tij qeveritar nga PDK-ja, pa ndërhyrje të partisë. Jashtë kabinetit qeveritar mbeti ish-ministri Limaj, të cilit në atë kohë pak para zgjedhjeve i ishte bastisur ministria që ai drejtonte si dhe pronat e tij për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, që këtu filluan dhe mospajtimet haptas edhe para opinionit publik, ndërmjet Thaçit dhe Limajt.

Vota kundër Pacollit për president, pikërisht erdhi po nga këto dy personalitete brenda PDK-së, Krasniqit dhe Limajt, si dhe disa deputetë të tjerë nga radhët e kësaj partie. Këto mospajtime më tepër shiheshin si interesa të ngushta nga të dy anët sesa çështje parimore, pasi që pritjet e Krasniqit ishin që ai të bëhej president, i cili kishte ushtruar këtë pozitë si ushtrues detyre. Si rrjedhojë e të gjitha këtyre pakënaqësive brenda partisë ishin edhe iniciativat qytetare në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, të cilat iniciativa u përkrahën nga këto dy figura politike të divorcuara nga PDK-ja, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj.

Këto iniciativa të formuara kryesisht nga vendet që vijnë edhe ata, u përkrahën në disa qytete të Kosovës, e sidomos në Drenas, Malishevë, Prizren dhe Lipjan. Nisma të tilla për formimin e partive politike apo iniciativave të ndryshme të dala nga partitë e po të njëjtave subjekte politike ka pasur edhe në të kaluarën. Në të shumtën e rasteve këto divorce kanë dështuar qysh në fillim apo pas një mandati zgjedhor. Këso nismash ka pasur në të gjitha subjektet kryesore politike, duke filluar nga LDK-ja, në “kuvendin e karrigeve”, ku lindi një subjekt i ri politik, LDD-ja në krye me akademik Nexhat Dacin, i cili në fillim mblodhi rreth vetes të gjithë të pakënaqurit brenda LDK-së, pas mbajtjes së kuvendit zgjedhor, mirëpo ky subjekt politik pas zgjedhjeve të dyta parlamentare nuk arriti të kalojë as pragun zgjedhor.

Rasti tjetër ka qenë edhe ndarja e ish-ministrit Zef Morina nga PSHDK-ja e Mark Krasniqit, e cila parti mbeti nën hije, pa bërë asnjë bujë të madhe. Më vonë një nismë të tillë ndodhi edhe me AAK-në, ku nga kjo parti politike dolën Bajram Kosumi, Bujar Dugolli dhe Et’hem Çeku, të cilët ishin edhe bashkëthemelues të AAK-së, mirëpo edhe kjo iniciativë e tyre u shua gradualisht dhe pa asnjë rezultat konkret, përveç rehabilitimit të tyre në jetën akademike.

Të kthehemi te formimi i subjektit të ri politik, i cili pritet të ndodhë këtë javë.

Sipas të gjitha indikacioneve, këtij subjekti të ri pritet t’i bashkohen disa figura politike brenda PDK-së, mirëpo edhe të partive të tjera politike, duke përfshirë LDK-në, AAK-në, VV-në dhe AKR-në, pasi që në të gjitha këto subjekte politike ka pakënaqësi të brendshme të zyrtarëve të këtyre partive, si dhe mospajtime të tyre me liderët politikë për shkak të liderizmit të tepruar dhe ndikimit mbi strukturat e partive.

Pra, si rezultati i të gjitha këtyre zhvillimeve në skenën politike kosovare, pritet të formohet një subjekt politik, ku do të gjejnë strehë të gjithë të pakënaqurit e të gjitha subjekteve politike. A do të thellohen pakënaqësitë e tyre në të ardhmen apo do të jetë një alternativë e këtyre të pakënaqurve, mbetet të shihet në zgjedhjet nacionale nga të cilat na ndan edhe pak kohë. (Autori është botues i gazetës “Lajm”)

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …