BE

Ministrat e jashtëm të BE-së, në takimin e tyre në Bruksel, do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e tyre të hënën në Bruksel do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor, më së shumti për situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nga ky takim nuk priten konkluza formale, diskutimi shihet si dëshmi se BE-ja është e shqetësuar për eskalimin e situatës në rajon dhe sfidave që paraqet ajo. Në një dokument të përgatitur nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për këtë takim, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, situatë sfiduese konsiderohet sidomos në veri të Kosovës dhe në Bosnje e Hercegovinë. “Në muajt e fundit situata politike në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor është bërë sfidë në rritje. Në Bosnje e Hercegovinë është thelluar kriza politike dhe kanë dominuar retorika dhe veprimet përçarëse. Ka pasur kthim të tensioneve dhe incidente në veri të Kosovës. Ndasitë ndërpartiake kanë vazhduar ta destabilizojnë dhe paralizojnë sistemin politik në Mal të Zi. Mospajtimet mes partnerëve nga Ballkani Perëndimor janë duke mbajtur peng implementimin e integrimeve rajonale”, thuhet ndër tjerash në këtë dokument. Sa i përket Kosovës, thuhet se “atmosfera rreth dialogut mbetet sfiduese dhe nuk ka pasur progres të mëtejmë në muajt e fundit”. “Zgjidhja e mospajtimeve rreth targave të veturave edhe një herë ka dëshmuar se dialogu mund të prodhojë rezultate, sidomos kur mbështetet nga mesazhet e qarta nga niveli i lartë i përfaqësuesve të BE-së dhe nga bashkësia më e gjerë ndërkombëtare, përfshirë edhe koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në këtë dokument.

 

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …