Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, ka pritur në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, bashkë me disa deputetët të Bundestagut dhe ambasadorin e  Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Pas kësaj ceremonie ushtarake, të dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet përkatëse janë duke mbajtur takimin bilateral. Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, agjenda ditore do të vazhdojë në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit  në Pomozatin. Me këtë rast, të dy ministrat e mbrojtjes do të shohin për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të kësaj Qendre.

Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, ministri Maqedonci dhe homologu i tij gjerman vizituan njësitë e Gardës Kombëtare të FSK-së, konkretisht Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në Kërkim-Shpëtim, në Pomozatin, ku u pritën nga komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade Naim Haziri dhe drejtori i QNTKSH-së, John Doone, i cili e njoftoi me historikun, misionin, strukturën organizative, fushëveprimin, të arriturat e deritashme, personelin, pajisjet, infrastrukturën, ambientet trajnuese, aktivitetet aktuale, sfidat dhe projektet për të ardhmen.

Në fjalën e tij drejtuar stafit të Gardës Kombëtare të FSK-së dhe të pranishmëve tjerë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius shprehu falënderimin për pritjen dhe theksoi se është i befasuar për të mirë me zhvillimet mbresëlënëse brenda FSK-së, e posaçërisht me kapacitetet që ka QNTKSH. Ai më tej theksoi se intervenimi i FSK-së me rastin e tërmetit në Turqi i ka arsyetuar donacionet dhe trajnimet e deritashme që qeveria gjermane ka investuar në FSK dhe se do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e mëtejme.

“Është mbresëlënëse të shohësh një madhësi dhe kapacitet të madh të QNTKSH, që nuk kam parë kurrë një vend të tillë më parë. Ju keni demonstruar përvojën tuaj në këtë fushë. Pranverën e kaluar pas tërmetit në Turqi, përgjigja juaj humanitare ishte shembull për shumë organizata të tjera në mbarë botën”, tha ministri Pistorius.

Ndërsa, ministri Maqedonci e falënderoi ministrin Pistorius dhe mbështetjen e deritashme për vendin tonë duke theksuar se Gjermania së bashku me aleatët tjerë në vazhdimësi kanë luajtur një rol të veçantë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe po vazhdon të luajë një rol të veçantë në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë, me fokus të Gardës Kombëtare të FSK-së.

“Gjermania qysh nga kohët e pasluftës ka qenë mbështetësi kryesor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ka luajtur rol kyç po ashtu në aspektin e stabilitetit të sigurisë, si në pjesëmarrje të trupave të KFOR-it, gjithashtu duke qenë aktiv dhe prezent në zhvillimet e FSK-së”, tha ministri Maqedonci, duke shtuar se  donacionet e gjermane janë vënë në përdorim për të mirën e qytetarëve të vendit, për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.

Kontrolloni gjithashtu

Borut Pahor

Ish-kryetari i Sllovenisë, Borut Pahor thotë se është i gatshëm të bëhet emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi

Ish-kryetari  i Sllovenisë, Borut Pahor, ka gjasa të emërohet  emisar i Bashkimit Evropian për dialogun …