Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), Rrustem Berisha, me ftesë të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, z. Damir Krstiçeviq, po merr pjesë në punimet e konferencës speciale “SHBA-Karta e Adriatikut A-5”, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë. Në këtë konferencë po merr pjesë sekretari i mbrojtjes i SHBA-ve, James Mattis, ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Qëllimi i mbajtjes së konferencës ,,SHBA-Karta e Adriatikut A5” është integrimi regjional, ballafaqimi me ndikimet e akterëve të jashtëm dhe ndarja e përgjegjësive dhe barrës. Delegacioni i Kosovës, me këtë rast e ka njoftuar sekretarin e mbrojtjes të SHBA-ve, James Mattis dhe të gjithë ministrat e mbrojtjes të regjionit, për të arriturat e FSK-së, ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin në aspektin profesional. Në këtë konferencë u kërkua që Kosova të jetë anëtare me të gjitha të drejtat e plota, si dhe Kosova ka ofruar gatishmërinë për të kontribuar në misione jashtë vendit.
Gjithashtu me theks të veçantë u bisedua edhe tema e transformimit të FSK-së, në forca të armatosura, si kontribuuese e sigurisë në regjion dhe në botë përkrah partnereve tanë të sigurisë.
Nga të gjithë të pranishmit u kërkua, që i gjithë regjioni duhet të jetë bashkëpunues në ballafaqimin me kërcënimet bashkëkohore dhe të punojmë së bashku në ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta. Në veçanti u theksua që A5, duhet të zgjerohet edhe me shtete tjera të regjionit, duke e përfshirë edhe Kosovën si anëtare me të drejta të plota.
Gjatë konferencës ministri i FSK-së, Rrustem Berisha takoi sekretarin e mbrojtjes të SHBA-ve James Matis, po ashtu pati takime bilaterale edhe me ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, ku u konfirmua shkallë e lartë e bashkëpunimit në mes të ministrive përkatëse. Konferenca speciale ,,SHBA-Karta e Adriatikut A5”, sot i përfundon punimet.