leoni

Lakmi Urrjtje Smira

Monologu i sharlatanit shqiptar

Jemi popull hyjnor dhe shqip kemi folur qe 30.000 vjet. Ne u  kemi dhënë emrat fushave, maleve, qyteteve e krahinave të tërë Evropës, jemi nga farë e parë pellazge, mbase edhe kemi pirë qumësht pelash, ashtu si hunëzakët tanë të mirë që kanë ngelur  në Azi ashtu si romakët, bijë të ulkonjave e grekët, që mbajnë veten si  bijtë e dritës, të heliosit, gjoja, bij të diellit.

Jemi raca që e kemi ndërtuar botën për së mbari, po ja që bota përreth nesh është e egër, është mos-mirënjohëse, nuk po na i jep të drejtat, nuk po na i kthen trojet nga Ararati, që na i ka zaptuar Turqia, deri në Peskara të Italisë, ( një toponim tipik i begatisë dhe mbarësisë së madhe shqiptare) pastaj deri të Lumbardhia e Lumi Po, që grekët hileqarë  i shtuan atë “mos”, dhe doli mbrapshtë “Potamos”.

Dikur shtriheshim prej Detit Egje, nga ku mbiu egjra e deri te vendi ku e kemi endur linin, ku e kemi bërë lirin, deri në Berlin, e deri në Bukuresht, që dikur ishte Bukurishte por na ndërruan vllahët, vëllezërit tanë të parë.

A nuk është fjala vëlla, nga vëllah?

Po ja që këta vëllezër të lashtë nuk po na duan më e si të na duan, kur ne nuk e duam as vëllanë se lërë më fqinjët.

– Të tillë  jemi ne disa nga mendjendriturit shqiptarë, madje  edhe kur na thonë “sharlatanë”, nuk e bëjmë qejfin qeder, sepse  edhe kjo fjalë e jona është. Edhe kjo fjalë do studiuar mirë, sepse shqip është, Shar, me siguri nga Mali i Bardhë, Shar, ku as në verë nuk shkrin dëbora, ndërsa shtesa, llatan,  mund të ketë qenë llapan, por dikush nga fqinjët na e ka ndërruar dhe e ka bërë llatan, pra, sharlatan.

Në asnjë gjuhë, kjo fjalë nuk tingëllon më mirë se në gjuhën tonë, e cila është folur para krijimit të tokës dhe Zoti e solli me rastin e krijimit të gjithësisë, por ja që u tret e po tretet. Këtë fjalë tonë të moçme  na e morën francezët dhe i dhanë kuptimin e keq, me të cilin na sulmojnë disa mendjeshkurtër, që nuk shohim më larg nga librat e albanologjisë, që nuk iu  përballojnë dot zbulimeve tona epokale, arefjane e pellazgiane.

Mund të ketë qenë edhe kjo fjalë e pellazgjishtes  sonë të lashtë, që na e kanë deformuar grekët, ata që çdo të dytën e të treten fjalë e kanë pella, pellagonia, pellazgia, pella-pella, mbase edhe fjalën tonë autentike, palla- palla  mund  të na kenë keqpërdorur.

Por ne nuk na ha palla për asgjë, sepse jemi populli më i vjetër në botë dhe pikërisht për këtë, për këtë na kanë zili, fqinjët, prandaj edhe  Evropa na ka katandisur kështu.  Na mori inat për një strofë të pa peshuar të poetit tonë të Madh, dhe rrethprerjes që na bënë turqit,  dhe Evropa nuk po na falë.

Po ashtu, nuk po na i fal as fyerjet, që i ka bërë, Enver Hoxha, Nënëmadhes tonë Evropë.

– Grekët e vjetër shqiptarë kanë qenë dhe shqip kanë folur. Këta grekët e sotëm janë mashtrues. Homeri shqiptar ka qenë pa dyshim dhe nuk kishte lindur i verbër sikur thonë grekët, por ata duke parë se shkruante shqip, e verbuan dhe veprat e tij të mëdha i rishkruan në një gjuhë,  të cilën nuk e kuptojnë as ata, mjerisht nuk po e kuptojmë as ne…

Serbët, kanë qenë drapnaxhinj të shqiptarëve, A nuk do të thotë “drapën” fjala serbe, “srp”?. Dikur ata ishin shërbëtorët tanë, mbase kanë qenë edhe shërbëtorë të romakëve meqë fjala “servus”, do të thotë skllav, pra serb.

Edhe Irlanda dikur shqiptare ka qenë. Por nga Ilir-Land, sikur ishte dikur, dhe që do të thotë toka e ilirëve  ajo u shndërruar në Irland.

Edhe fjala Evropë lidhet me Evën, gjyshe-madhen e njerëzimit. Emri i kontinentit Evropë  mund të jetë sajuar nga Evë, Eva dhe “rob”, meqë ishte grua, pra robëreshë e Adamit.  Shkronjën “b” të gjuhës shqipe evropianët e bënë “p”  ndoshta dikur ka qenë një kod që ka përcaktuar gjininë.

Të mos harrojmë se edhe Faraonët janë nga fara jonë, madje kjo është krejt  e qartë si drita e diellit, faraon- farajon, ka rënë një “j” por kjo ndodh në çdo gjuhë të botës.

Edhe krejt Arabistani, fara jonë është. Fjala araben do të thotë populli që bën  ara që i punon arat, pra arëbërës-arban, në gegërishten tonë të mirë që ka kapërdinë toskët, vëllezërit tanë të jugut.

Janë me mijëra fjalë të gjuhës shqipe kudo në botë dhe akademitë tona që nuk bëjnë asnjë punë, duhet sa më parë dhe urgjentisht  ta botojnë “Enciklopedinë e fjalëve të shqipes nëpër gjuhët e botës”. Vetëm në këtë mënyrë ne i dalim hakut gjuhës e kombit tonë.

Le ta dijë bota se ne ishin të parët dhe le të na  japë hakun. Nuk po kërkojmë të na japim krejt botën apo krejt Evropën, por të paktën të na japin Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë, sepse tonat kanë qenë dhe këtë e dëshmojmë me ADN-në e gjuhës shqipe, gjuhës së vjetër 30.000 e ndoshta 300.000 vjet.

– A nuk është puro shqip fjala, Ballkan, e cila përbëhet nga dy fjalë: “ballë,-balli“, pra pjesa kryesore e kokës dhe folja “kam”, në vetën e tretë shumës do të thotë kanë-ballë, pra Ballkan.

Dikur ky vend ishte Balli i Pellazgjisë, ku të parët tanë jetonin në paqe e mirësi, dhe ku shtëpia e Shqiptarit ishte e Zotit dhe e mysafirit, sikur e ka lënë Leka, jo ky Lekë Dukagjini sikur themi ne, por Leka i Madh, shqiptari më i madh i të gjitha kohëve.

Por, duhet pranuar me keqardhje faktin se të parët tanë nuk kanë qenë shumë vigjilentë. Pas një kohë erdhën fqinjët tanë si barinj e lypsarë, dhe ne si racë humane ua hapëm portat, i pranuam si mysafirë nëpër shtëpi, sepse shtëpia jonë është e Zotit dhe e mikut.

I morën për të na punuar, dhe pas një kohe ata u futen brenda, u shumuan e na kthyen shpinën dhe meqë ishin të pafytyrë, na morën tokat që ua kishim dhënë për të punuar në to.  Kështu na punuan fqinjët tanë drapnaxhinj e barinj, serbët, serpët.

Këtë fakt duhet mirë t’ ia bëjmë me dije Evropës, e cila nuk po na i jep të drejtat, që na takojnë.

Por kurrë nuk duhet të harrojmë se jemi popull hyjnor, kemi folur shqipen qe 30.000 vjet, u kemi dhënë emrat fushave qyteteve e krahinave të tërë Evropës por edhe shumë shteteve të botës, andaj edhe thërrasim  trurin shqiptarë, që ka ikur jashtë, sepse në atdhe nuk po gjejnë shprehje, thërrasim atë tru të pasur e të pastër që sa më parë ta hartojmë “Enciklopedinë botërore“, ku do ta dëshmojmë me fakte se jemi yndyra, pra ADN-ja e njerëzimit.  Shikoni pra ADN- ANDYRË, krejt shqip, kode shqip…

– Andaj bota duhet të ketë kujdes kur përmenden shqiptarët, sepse ne jemi të parët  e të parëve, të të parëve, meqë ashtu deshi vetë Zoti, Zeusi pra, Zoti i zotërave që edhe këtë fjalë na e kanë marrë grekët, fqinjët tanë pisanjosë që na kanë fëlliqur edhe vendin me tërë ato varreza dhe nuk u vije fare turp, madje vinë në mes të Shqipërisë dhe na shajnë e na fyejnë, na thonë se jemi “qen e kafshë”.  Sa bukëshkalë që janë, o Zot!

Por ne duke qenë populli më i vjetër dhe më human i botës nuk reagojmë në gjuhën e tyre, sepse  jemi të qytetëruar. Edhe ashtu ne Greqi kemi 40.000 gra që merren me zanatin më të vjetër në botë, zanatin tonë pra, sepse ne jemi më të moçmit në botë. Çdo gjë e kërkojmë me paqe, mirësi, mirëkuptim, dashuri, lutje, përulësi, përkulje… me lepe-peqe, moljim lepo, yes-oky. Andaj  bota duhet të ketë kujdes për ne, sepse shembulli i gjenit tonë paqësor,  i  popullit tonë  historik e parahistorik i përket ardhmërisë së njerëzimit.

Ne nuk fyhemi kur na thonë sharlatanë, sepse sharlatanë e mjeranë janë vetë ata që nuk i pranojnë këto fakte, dhe mijëra fakte të tjera që kanë sjellë etërit tani të pellazgjisë, arefët, berefet, derefet, gerefët, cerefet, ferefet dhe emrat e shkencëtarëve tanë në inicialet e 36 shkronjave tona hyjnore, që nuk i ka asnjë gjuhë në botë.

Përpara pra vëllezër shqiptarë!

Mos i shikoni si jemi ndarë e si na kanë ndarë, sepse shikuar realisht ne nuk na zë dot një shtet, një Kuvend, një Qeveri.

Ne na duhen 12 shtete, 12 qeveri, 12 kuvende.  Sepse dikur kishim 12 fise e 12 bajraqe. Dhe përderisa ende nuk janë pjekë kushtet, dhe, derisa Evropa nuk do të na lejojë t’ i kemi aq shtete, ne këtu në Kosovë  kemi një qeveri me 99 ministra e zëvendës të tyre, të gatshëm për t’i  krijuar edhe shtetet e tjera. Andaj u propozojmë vëllezërve tanë në Shqipëri, që edhe ata të rritin numrin e ministrave e zëvendësve, në mënyrë që të jemi të gatshëm dhe të përgatitur mirë kur të krijojmë 12 shtetet shqiptare, pra Shtetet e Bashkuara Shqiptare të Ballkanit. (SHBSHB) Për këtë union, tani për tani, nuk ka nevojë t iu rimarrim toka tona fqinjëve tanë grabitçare, deri sa të forcohemi, sepse ata edhe ashtu nuk na japim, por ne,  këto shtete do t’ i krijojmë brenda përbrenda dy tri shteteve që i kemi tashmë.

Për fillim do të shpallim edhe tri shtete në Kosovë, Shtetin e Drenicës,  të Dukagjinit dhe të Llapit, ku hyn edhe Kosova Lindore.

Shtetin e Iliridës do  ta bëjmë me dy pjesë, Iliridë dhe shtetin e Dy-Dibrave e të Manastirit. Kështu bëjmë gjashtë shtete. Ndërsa në Shqipëri propozojmë një shtet në vete të jetë, Tropoja qendra më e madhe e rezistencë kombëtare e njerëzore, truri i kombit fara e ADN-vucidolliane, nga ku lid ideja e Shteteve të Bashkuara Shqiptare.

Pastaj Shteti i Shkodrës me Malësinë e Madhe, Ulqinin, Sanxhakun, kur të arrijmë marrëveshje vëllazërore me malazezët dhe myslimanët boshnjakë.

Shtetin e Shqipërisë së mesme Albanopolisin e dikurshëm. Shtetin më të fortë të maleve shqiptare  Skraparin e famshëm që nuk i bën syri vërr as nga krye të vegjlit as nga krye të mëdhenjtë. Shtet të rehatisë shpirtërore, në nivel kombëtar e ndërkombëtar  do ta shpallim, Llazaratin.

Shtetin e Çamërisë ka disa vjet që e keni shpallur dhe kthim prapa nuk ka, edhe pse në kushte dhe rrethana jemi detyruar ta shpallim në zemër të Drenicës e jo në Pargë as në Prevezë, sepse grekët ende janë të mllefosur dhe me humor të keq.

Një ditë plot diell të ardhmërisë sonë të artë, atje do të kthejmë edhe eshtrat e çamëve të dëbuar dhe Greqia zerviste, sepse çamët tani për tani duan kompensim për pronat dhe nuk janë të gatshëm të kthehen, por kur Greqinë  ta ketë shtrirë përtokë Turqia, ajo do t’ i pranojë eshtrat e çamëve, ashtu sikur ne i pranuam ne eshtrat e ushtarëve grekë, që erdhën për ta pushtuar Shqipërinë dhe i lanë kockat e tyre.

Krahinën e Labërisë  si qendra më e madhe kryengritëse e vatanit nuk do ta bëjmë shtet, sepse, në kushte dhe rrethanat politike e diplomatike na prish punë me grekun, as krahinën e Gjirokastrës, sepse miqve e vëllezërve tanë evropianë u përkujton Enver Hoxhën, nga ideja e të cilëve për një Shqipëri të vetme me 200 000 bunkerë, edhe vetë ne bijtë e shqipes tmerrohemi, sepse vëmë në dilemë paqen botërore.

Po kështu në shenj të mos-harrimit të gjakut të Arbrit, do ta shpallim pjesë të Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë edhe shtetin Arbresh, që përfaqëson enklavat shqiptare kudo në botë, madje edhe arvanitasit të Greqinë e sotme. Edhe pse ata janë ters po t’ u thuash se jeni shqiptarë, të shajnë me nënë e babë…

Me Italinë ia bëjmë lehtë. Ata edhe ashtu i kanë më shumë se dhjetë shtete, por tash për tash po heshtin. Do të kishin shpallur të paktën edhe gjashtë shtete në Turqi, por druajmë mos po e hidhërojmë vëllanë tanë të madh, Erdoganin, i cili pastaj na prish krejt këtë planin tonë paqësor për krijimin e 12 shteteve tona. Të presin tani për tani e kemi shqiptar kryetarin e Kuvendit, si duket edhe Gyleni është i farës sonë. Por tash për tash do të heshtim, I vjen radha…

Në këtë mënyrë ne shpallim 12 shtetet tona, nga tharmi i dikurshëm i principatave të kohës së Bizantit, që mund të shërbejë si  model unikat botëror:

Ja cilat do të jenë 12 shtetet e bashkuara shqiptare”

Tropoja

Shkodra,

Llazarati,

Albanopolisi

Çamëria

Dy Dibrat,

Ilirida,

Kosova

Drenica,

Dukagjini,

Llapi,

Shteti Arbresh.

Këto 12 shtete, me këto 12  bajraqe të dikurshme, do ta pushtojmë jo vetëm Ballkanin, kuptohet miqësisht e paqësisht, sepse luftës nuk ia kemi ngenë, ajo nuk na shkon mbarë, edhe pse në çdo 100 vjet zgjohet nga qenia jonë  nga një, Adem Jashar dhe na merr në qafë. Edhe shtetin e Kosovës do ta kishim bërë vetë po na dolën në udhë këta të paudhët e UÇKES dhe asgjë nuk po na shkon për mbarë.

E di  se atyre që u pengon intelekti ynë, inteligjencia e ADN-së tonë përjetësore, këto zbulime e propozime tonat u duken iluzione, por e ardhmja do të dëshmojë dhe deri atëherë, ne nuk do të reshtim ta bëjmë realitet projektin tonë, projektin e Shteteve të Bashkuara Shqiptare në Ballkan, sa për fillim…. Shikoni si akordohen akronimet: SHBSHB.

A nuk është fenomenale!

E ardhmja e botës e njerëzisë në planet, u përket shqiptarëve.

Kjo është profecia e profetit tonë: Jan-xhan-gjon-ivan.

Nuk na ha palla pse na quani sharlatanë…

( Peleg Enohu)

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …