Mr. Hazis Gjergji: Preludi i pushtimit fashist të Shqipërisë më 7 prill të vitit 1939

Plazhi i Durrësit. Gusht 1934. Familja Mbretnore Zogu vazhdonte pushimet e verës në vilat qeveritare. Një tregtar italian u shfaq në rezidencën qendrore të Mbretit Zog dhe kërkoi një takim privat me të. Ai qe Vinçenco Roko (Vincenzo Rocco), sipërmarrës dhe përfaqësues i njohur i disa shoqërive italiane të sigurimeve në Durrës. Zogu i nxori Rokos në takim një nga njerëzit më të besuar të tij, kryeaxhutantin personal Zef Serreqi. Rokoja i dorëzoi kolonel Serreqit një letër private të ish-ministrit fuqiplotë të Italisë në Shqipëri, baronit Pompeo Alois për Mbretin Zog. Baroni i kërkonte Zogut të dërgonte një përfaqësues të besueshëm në Livorno të Italisë për të ringritur rrjetin e “lidhjes së shkurtër” me Musolinin, i ndërprerë pas refuzimit të ripërtëritjes së “Traktatit të Miqësisë e të Sigurimit” në vitin 1931). Mbreti Zog dërgoi në Livorno kolonel Zef Serreqin, i cili u khtye shpejt në Durrës bashkë me ofertat e Aloisit (1).

Nga mënyra sesi i kishte parashtruar kushtet e ofertës miqësore, Zogu e kuptoi se Pompeo Aloisi ishte dorë e dytë apo e tretë në pazarin e ri të ofruar nga Benito Musolini dhe nuk i ktheu përgjigje. Në fillim të muajit janar 1935, Zogu e dërgoi Zef Serreqin në Romë për t’u takuar drejtpërsëdrejti me Musolinin. Kësaj radhe Zef Serreqi u kthye në Tiranë me detyrën e kryer: “Lidhja e shkurtër” Musolini–Zogu ishte riaktivizuar. Me porosi të Musolinit, më 23 janar 1935, ministri fuqiplotë i Mbretërisë së Italisë në Shqipëri Mario Indelli udhëzoi degën e Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë për t’i lëvruar Ministrisë së Financave të Mbretërisë Shqiptare një paradhënie prej 3 milionë franga ari, të kërkuara nga titullari i saj. Nga ana e tij, Mbreti Zog dekretoi ripërtëritjen e koncesionit të transportit ajror të shoqërisë italiane SAM (Societa Aerea Mediterranea); marrjen e mësuesve italianë në të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë, si dhe mjaft lehtësira portale e fiskale për firmat italiane që kishin bizneset e tyre në Shqipëri (2).

 Në Fondin e legatës italiane të Arkivit Qendror Shqiptar (AQSH) gjendet urdhëri i kreut të shtetit fashist italian, Benito Musolinit, i datës 5 maj 1935, për t’i dorëzuar personalisht Mbretit Zog këstin e parë të një “huaje” prej 1 milion fr. ari, që do të shpenzohej për sistemimin e emigrantëve kosovarë, të dëbuar prej trojeve të tyre me dhunë nga autoritetet jugosllave. Kësti i datës 5 maj 1935 do të pasohej nga 600 mijë franga ari të dhëna në dorë Zogut më 14 shkurt 1936. Sipas zyrtarëve të lartë italianë të kohës, shuma e mësipërme, në të vërtetë, përbënte “një dhuratë simbolike nga ana e Duçes për Mbretin Zog” (3).

Vera e vitit 1935 kaloi me vizita të dendura midis qeveritarëve italianë e shqiptarë; të cilat, siç shpreheshin të dyja palët, çuan në “rimëkëmbjen e miqësisë italo-shqiptare të viteve 1926-1931”. “Miqësia e ripërtërirë” italo-shqiptare do të dukej sheshit me rastin e sulmit ushtarak të Italisë fashiste ndaj Etiopisë, më 3 tetor 1935, kur agresioni fashist u dënua me indinjatë nga i gjithë opinioni publik botëror dhe Asambleja e Lidhjes së Kombeve vendosi sanksione ekonomike ndaj Italisë fashiste. Përkundër të gjithë shteteve anëtare të Lidhjes së Kombeve, Mbreti Zog e radhiti Shqipërinë përkrah Austrisë e Hungarisë, të cilat i kundërshtuan sanksionet ekonomike ndaj Italisë fashiste (4).

Mbështetjen e hapur të Shqipërisë në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, Duçja do t’ua shpërblente qeveritarëve shqiptarë me shumën 1 milion e 500 mijë franga ari, që drejtori italian i degës së Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Durrës ia dha dorazi ministrit të Ekonomisë së Shqipërisë Dhimitër Beratit, të ndarë në katër këste gjatë periudhës 31 tetor –13 nëntor 1935. Lidhur me këtë, historianët e ekonomisë venë në dukje se “krejt ndryshe nga shumat e dhëna më 23 janar të atij viti, kur drejtimi i shpenzimeve kishte qenë transparent, objektet e shpenzimeve të shumave të dhëna në tetor–nëntor 1935 nën dorë, nuk u bënë të njohura kurrë (5).

Duke e komentuar mënyrën e marrjes së kësaj “huaje”, ministri i Britanisë së Madhe në Durrës do t’i dërgonte eprorëve të tij në Londër përfundimin e arritur nga vëzhgimet e tij: “Se sa peshojnë qëndrimet mercenare në këtë kuadër është e vështirë të thuhet me saktësi. Ka plot tregime në qarkullim për të holla që shkojnë nga 1 deri në 3 miliona franga ari, që u kanë ardhur nëpërmjet Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe janë shpërndarë për qëllime misterioze… Ka të ngjarë që të hollat italiane kanë gjetur vendin nëpër xhepat e zyrtarëve shqiptarë dhe të atyre që i bëjnë shërbim interesave italiane (6).”

Shuma 1 milion e 500 mijë fr. ari, e lëvruar gjatë muajve tetor–nëntor të vitit 1935 u avullua shpejt. Në janar të vitit 1936, nëpër të njëjtat kanale siç ishte dhënë shpërblimi i 1935-ës, qeveria fashiste italiane lëvroi për krerët e qeverisë shqiptare shumën prej 2 milionë fr. ari. Si përfundim, në shkurt 1936, ministri fuqiplotë i Mbretërisë së Italisë në Shqipëri Mario Indelli i deklaroi Musolinit mbylljen me sukses të plotë të bisedimeve paraprake për nënshkrimin e 17 marrëveshjeve më të mëdha italo-shqiptare të arritura deri në atë kohë midis qeverive të Musolinit dhe Mbretit Zog. Nga 17 marrëveshje, 13 ishin me karakter ekonomik e financiar, 1 kishte karakter të fshehtë ushtarak, ndërsa 3 ishin premtime të dhëna me gojë nga Mbreti Zog, të cilat u përmbushën të gjitha) (7).

Trembëdhjetë marrëveshjet ekonomike e financiare të nënshkruara më 19 mars 1936 nga ministri i Ekonomisë së Shqipërisë Dhimitër Berati dhe ministri fuqiplotë i Mbretërisë së Italisë në Shqipëri Mario Indelli, u miratuan njëzëri nga deputetët shqiptarë dhe u shoqëruan me brohoritje e ovacione për Duçen dhe Mbretin Zog. Sipas këtyre marrëveshjeve, kredia italiane prej 100 milionë fr. ari e akorduar në vitin 1931 u pezullua; këstet e tërhequra në vitet 1931–1932 iu falën qeverisë shqiptare dhe fashistët italianë u zotuan t’i përfundonin me shpenzimet e veta objektet e mbetura përgjysmë për shkak të marrëzisë së armiqësisë. Po ashtu, qeveria fashiste italiane pagoi 9 milionë franga ari për balancimin e buxhetit të shtetit shqiptar dhe 1 milion fr. ari për dëmet e shkaktuara nga ikja e organizatorëve civilë, mësuesve e laborantëve dhe për mbulimin e disa bursave për studentët shqiptarë në Mbretërinë e Italisë etj. Një nga marrëveshjet më të rëndësishme financiare midis qeverisë fashiste të Mbretërisë së Italisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Shqipërisë qe pezullimi për 5 vjet i borxhit të huas SVEA, i cili kishte kapur shifrën 75 milionë franga ari. Përveç lehtësirave për pagimin e SVEA-s, qeveria fashiste italiane i akordoi Mbretërisë Shqiptare edhe 10 milionë fr. ari për ripërtëritjen e forcave të shterura të bujqësisë dhe 3 milionë fr. ari për krijimin e monopolit shtetëror të duhanit (8).

Në bazë të marrëveshjeve të marsit 1936, Mbreti Zog ratifikoi më 1938 krijimin e “Bankës Napoli–Shqipëri” (Banco di Napoli–Albania), degë e “Banco di Napoli”, me qendër në Tiranë, e cila mori përsipër financimin e kredisë prej rreth 3 milionë e 735 mijë fr. ari për zgjerimin e thellimin e portit të Durrësit. Pavarësisht nga funksionet tregtare të propaganduara nga përfaqësuesit e Bankës së Napolit, zgjerimi i portit të Durrësit për ankorimin e anijeve luftarake të tonazhit të madh dhe transoqeanike, u klasifikua nga politikanët e strategët ushtarakë të vendeve ballkanike si pjesë e zgjerimit të infrastrukturës ushtarake të Italisë fashiste, krahas hapjes së rrugëve, ngritjes së urave, kazermave, depove të armëve e objekteve të fortifikuara në drejtim të kufijve me Jugosllavinë dhe Greqinë (9).

Në një telegram dërguar legatës italiane në Tiranë, në prag të nënshkrimit të marrëveshjeve të marsit 1936, Duçja i kishte porositur të dërguarit e vet me një frazë të vetme: “E rëndësishme është që të mbetet ndonjë thikë në dorën tonë” (“Importante che resti qualche coltello per il manico”) (10). “Thika”, sipas porosisë së Duçes, ishte kamufluar në nenet e marrëveshjes së fshehtë ushtarake të marsit 1936, e cila nuk ishte shtruar për miratim as në Parlamentin e Mbretërisë Italisë e as në atë të Shqipërisë. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, qeveria fashiste italiane kishte financuar buxhetin e ushtrisë mbretërore shqiptare në vitet 1936–1939, me afro 3 milionë e 500 mijë fr. ari në vit. Financimi ishte realizuar me para në dorë nga oficerët e Shtabit Madhor të ushtrisë fashiste italiane, nënkolonelëve Xhovani D’Antoni dhe Manlio Gabrieli. Sipas dokumenteve tashmë të botuara, duke filluar nga 27 gushti i vitit 1936 deri më 27 mars të vitit 1939 qeveria fashiste italiane kishte derdhur për pagesa rrogash, veshmbathjesh, ushqime e municione luftarake rreth 10 milionë e 492 mijë fr. ari ose sa 60% e buxhetit të qeverisë së Zogut për ushtrinë (11).

Shtabi Madhor i ushtrisë fashiste italiane ishte jo vetëm financuesi më i madh i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, por edhe ideatori kryesor i saj. Në bazë të ligjit themelor të Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, i hartuar nga Shtabi Madhor i ushtrisë fashiste italiane dhe i dekretuar nga Mbreti Zog në mars të vitit 1937, efektivi i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare kishte në efektivin e saj 675 oficerë e 6000 nënoficerë, gardistë e ushtarë aktivë. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të marsit 1936, mijëra “këshilltarë”, “organizatorë”, “instruktorë”, “specialistë” fashistë italianë kishin zënë pozitat kyçe në ushtri, xhandarmëri, ekonomi, arsim, kulturë etj. Vetëm në ushtri, nga postet nga më të larta komanduese e organizuese, si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm e deri te specialitetet më të rëndësishme të armëve të ndryshme luftarake, ishin caktuar 280 oficerë fashistë italianë (12).

Sipas gazetave promonarkiste e profashiste të Shqipërisë, me nënshkrimin e 17 marrëveshjeve të marsit 1936, qeveria mbretnore shqiptare kishte mbrojtur “me kompetencë interesat e vendit”, por simotra zvicerane e Lozanës “Le droit du peuple” (“E drejta e popullit”), më 5 maj 1936, do të shkruante: “Pasuritë kombëtare të një populli të tërë i janë lënë në dorë Italisë fashiste. Për një çmim të ulët, imperializmi musolinian ka blerë pavarësinë e Shqipërisë. Musolini bëhet zotërues i vërtetë i Tiranës. Kjo gjendje është aq fatale për popullin shqiptar, sa edhe për paqen në Ballkan (13).”

Sipas përllogaritjeve të studiuesit italian, Gayda Virginio, në librin “Che cosa vuole l’Italia” (1940), nga vitit 1925 deri në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, shteti fashist italian kishte shpenzuar në Shqipëri mbi 1 miliard e 837 milionë lireta. Duke komentuar bilancin e këtyre parave të shpenzuara në Shqipëri, kolonel Faik Quku dëshmon: “Kur Zogu erdhi në fuqi, në vitin 1924, gjeti nji Shqipni të vorfën, por me nji ekonomi të paprekur; me nji financë pa asnji borxh, nji shtet të pavarun politikisht e me nji funksion me të vërtetë ekuili-brues në Ballkan e Adriatik; me nji administratë të ndershme shembullore, me nji demokraci në fillim, por në zhvillim e sipër; me nji popullsi, që me sakrifica të mëdha kundër nji bote, kishte mujtë me imponue pavarsinë e vet e për këtë ishte kryenaltë e entuziaste…. Gjatë 15 vjetëve të regjimit diktatorial të Zogut, të lidhun mbas qerres italiane, burimet ekonomike e financiare, si bankat, minierat, tregtia e jashtme, ujnat e bregu i detit, peshku, ndërmarrjet e ndryshme, vijat e portet ajrore ishin kaparua prej italianëve (14).

Kështu, me daljen hapur kundër sanksioneve të Lidhjes së Kombeve ndaj Italisë fashiste për pushtimin e Etiopisë (1935–1936); me hedhjen e firmës në marrëveshjen e fshehtë ushtarake midis Mbretërisë së Italisë e Mbretërisë së Shqipërisë të vitit 1936; me përkrahjen e ndërhyrjes së fashistëve italianë në Luftën Civile të Spanjës (1936–1939) dhe të pushtimit nazist të Austrisë (mars 1938), Mbreti Zog e kishte radhitur përfundimisht Shqipërinë në krah të forcave fashiste e naziste, që kërcënonin të gjithë kontinentin europian. Tashmë nuk kishte asnjë dyshim se projektmarrëveshja e fundit, e hedhur mbi tavolinën e Mbretit Zog nga i dërguari posaçëm i Duçes më 25 mars 1939, kërkonte përfundimisht dorëzimin e Shqipërisë në duart e shtetit fashist italian.

Mbreti Zog duhej të merrte vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij politike: ose ta pranonte projektmarrëveshjen dhe ta bashkonte fatin e tij me fatin e Duçes, ose të kryente detyrën e tij si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke u vënë në krye të mbrojtjes së atdheut të rrezikuar nga pushtuesit fashistë. Mbreti Zog zgjodhi një rrugë të tretë: atë të braktisjes së ushtrisë dhe popullit të tij, ikjes fshehurazi nëpër natë për të shpëtuar kokën, familjen dhe arkat me florinj. Gjatë intervistave dhënë gazetave londineze, Ahmet Zogu do të pranonte se kishte marrë 36 mijë paund nga fondi publik i thesarit shqiptar më 1939, duke u justifikuar: “Më mirë që i mora unë sesa t’i lija në dorë të Musolinit…” (15).

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kardell Hall (Cordell Hull), e pyeti ambasadorin e Mbretërisë Shqiptare në Uashington, Faik Konicën, se sa ishte borxhi i Shqipërisë ndaj Italisë fashiste. Ky do t’i përgjigjej se borxhi kishte kapur shifrën e 30 milionë dollarëve amerikanë, të harxhuar kryesisht për ndërtimin e rrugëve strategjike në drejtim të Jugosllavisë… Por borxhi i Shqipërisë nuk kishte pse ta shqetësonte ish-mbretin Zog në exil; pasuria e të cilit, sipas Foreign Office të Britanisë së Madhe u llogarit të paktën 50 mijë paund në monedha ari dhe 2 milion dollarë në Chase Manhatan Bank (SHBA), me përqindjet e të cilave ai mund të shpenzonte deri në 12 mijë paund në vit…” (16)

Shënimet:

  1. Bernd Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: Çabej, botimi i tretë, 2004, f. 237–238; Iljaz Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj dhe roli i saj për pushtimin e Shqipërisë (1936–1939), Tiranë: Dituria, 1999, f. 45 (AQSH, Fondi Legata Italiane, viti 1934, dosja “Livorno”, oferta e datës 16 gusht dhe “Richieste”, 15 gusht 1934; PRO/FO. 371/18.339: letra nr. 79 e Legatës së Britanisë së Madhe në Durrës për Foreign Office, 24 gusht 1934 dhe letra 2 shkurt 1935); Jason Tomes, King Zog of Albania, Europe’s self-made muslim king, New York University Press, 2004, p. 178.
  2. Iljaz Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj dhe roli i saj për pushtimin e Shqipërisë (1936–1939), Tiranë: Dituria, 1999, f. 55–57 (AQSH. Fondi Legata Italiane, viti 1935, dosja 142: telegram i Mario Indelit, dërguar MPJ të Italisë, nr. 3, 5 janar 1935, “Aiuto finanziario al governo Albanese”; telegrami i MPJI, nr. 9, 11 janar 1935, me temë: “Aiuto Finanziario a Re Zogu”; tel. nr. 11, 16 janar 1935; Fondi BKSH, viti 1935, dosja 3, letra e Legatës Italiane dërguar degës së BKSH, Tiranë, nr. 215, 23 janar 1935; dy letra të M. Indellit dërguar MPJI: “Anticipo al governo Albanese” dhe “Questioni pendenti col governo Albanese”, 23 janar 1935; “Fletorja zyrtare”, nr. 10, 2 mars 1935.
  3. Viron Koka, Marrëveshjet italo-shqiptare të marsit 1936, botuar në Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës (Seria e shkencave shoqërore), viti 1962, nr. 2, f. 39 (AQSH. Fondi Legata Italiane, vitit 1935, dosja 8, dok. 338, 5 maj 1935; vitit 1936, dok. 347, 14 shkurt 1936); I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj…(1936–1939), vep. e përm., f. 62 (sipas AQSH. Fondi Legata Italiane, viti 1935, dosja me titull: “Oneri di carattere non continuativo imputabili alle disponibilita del cessato prestito decennale, f. 31); Historia e popullit shqiptar vëll. III, (2007), f. 315.
  4. B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 241; I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj… (1936–1939), f. 69; AQSH. Fondi 151, viti 1935, dosja 79: tel. i Lec Kurtit, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë dërguar MPJ në Tiranë dhe përgjigja e saj 10 tetor 1935; tel. i MPJSH dërguar legatave shqiptare në Athinë e Beograd, 11 tetor 1934); O. Pearson, Albania and king Zog, f. 373; Historia e popullit shqiptar vëll. III (2007), f. 315, 328
  5. I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj… (1936–1939), f. 69–70 (AQSH. Fondi BKSH, viti 1935, dosja 39, letra e bashkëdrejtorit të BKSH në Durrës dërguar Legatës italiane në Tiranë më 13 nëntor 1935; viti 1936, dosja 141, letra e drejtorit të degës së BKSH në Durrës, Xhulio Gaudenxit, dërguar Amadeo Gambinos në Romë, 23 janar 1936).
  6. Po aty, f. 70 (FO 371/ 18341: Letra e Legatës Britanike në Durrës dërguar Samuel Hoares në Londër, nr. 107, 17 dhjetor 1935).
  7. Gazeta “Fletorja zyrtare”, nr. 22, 23 prill 1936; T. Selenica, Shqipnija më 1937, f. 246–250; Historia e Shqipërisë vëll. II (1965), f. 622–626; I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj…(1936–1939), f. 74–91; Historia e popullit shqiptar vëll. III (2007), f. 331–336. 8. B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 244–247; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 378–379.
  8. I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj…(1936–1939), f. 109–111; B. Fischer, Mbreti Zog…, f. 240, 246.
  9. I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj… (1936–1939), f. 73 ( AQSH. Fondi BKSH, viti 1935, dosja 39; viti 1936, dosja 141. AQSH. Fondi LI, viti 1936, dosja 87 (teleg. ekspres, nr. 366/154, 8 shkurt 1936, i firmosur nga Mario Ideli për MPJI në Romë, me temë: “Trattativo italo-albanesi”; tel. i B. Musolinit dërguar Legatës italiane në Tiranë, nr. 19, 13 shkurt 1936)
  10. V. Koka, Marrëveshjet italo-shqiptare të marsit 1936, art. i përm., f. 43 (AQSH. Fondi Legata Italiane, viti 1936, dosja 38, dok. 2477/966, 19 mars 1936); I. Fishta, Ndërhyrja e kapitalit të huaj… (1936–1939), f. 114–116.
  11. Historia e Shqipërisë vëll. II (1965), f. 623–624; Historia e popullit shqiptar vëll. III(2007), f. 332–333; R. Fiçorri, Ndërhyrja italiane në Shqipëri (1925–1939), f. 154–156.
  12. V. Koka, Marrëveshjet italo-shqiptare të marsit 1936, art. i përm., f. 47; Historia e popullit shqiptar vëll. III (2007), f. 335.
  13. Muharrem Dezhgiu, Shqipëria nën pushtimin italian (1939–1943), Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Historisë), 2005, f. 25 (Gayda Virginio, Che cosa vuole l’Italia?, Roma, 1940, f. 248; F. Quku, Qëndresa shqiptare…, vëll. I, vep. e përm., f. 43–45.
  14. J. Tomes, King Zog of Albania…, p. 241 (“News Review”, 12 mars 1942; “Daily Sketch”, 17 mars 1942; “The Times”, 28 maj 1943); gazeta “Telegraf”, nr. 126, (155), 1 qershor 2006, f. 16.
  15. Haris Silajxhiq, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit, Tiranë: Dituria, 1999, f. 215 (“Papers”, 1939, vëll. I, f. 374); J. Tomes, King Zog of Albania…, f. 241–242; Hurbert Neuwirth, Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939–1944), përkthyer nga Afrim Koçi, Tiranë: Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, 2006, f. 15 (A-4, 23.6.1939, Bernard Tönnes, Sonderfall Albanien, München, 1980. f. 427).

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …