Muharrem Smajl Vuthaj (18.2.1947 – 4.5.1999)

Muharrem Smajl Vuthaj (18.2.1947 – 4.5.1999)

Njëri prej atyre që me vetëmohim ia dhuroi jetën lirisë së Kosovës, është edhe pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Vuthaj, nga fshati Tedel (Vrellë) i komunës së Burimit (ish-Istog). Te ky burrë ishte brumosur që herët vetëdija e militantizmit kombëtar, prandaj lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të gjejë te ai luftëtarin e gatshëm dhe ushtarin e përgatitur për ta sfiduar barbarinë serbe, e cila që prej një shekulli po bënte ligjin në Kosovë.

Dëshmori Muharrem Vuthaj ka lindur më 18 shkurt të vitit 1947. Shkollën e kreu në fshatin e lindjes, kurse shkollimin e mesëm në Pejë. Pas përfundimit të shkollës së mesme, për të ndihmuar familjen, emigroi në Gjermani, ku punoi disa vite. Nga atje u kthye për shkak të sëmurjes së nënës, Shahës.
Me të kthyer në vendlindje arriti të punësohet si gardian, ku fillimisht punoi në burgun hetues të Pejës, kurse më vonë në burgun e Gurrakocit dhe atë të Dubravës.
Siç dihet, pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, për republikën e Kosovës burgjet e saj u dëndën me të rinj shqiptarë, prandaj edhe burgu ku punonte Muharremi. Ai kishte pasur rast të shihte vendosmërinë dhe moralin e lartë të këtyre të rinjve që me stoicizëm u përballonin torturave dhe vuajtjeve të burgut. Mirëpo, edhe këta të rinj kishin pasur rastin të shohin e të takojnë një gardian që po ndiente keqardhje dhe po i dhembte zemra për ta. Këtë ndjenjë po e shprehte qëndrimi i tij human e dashamirës.
Në vitin 1986, sigurimi jugosllav kishte arrestuar një numër të rinjsh të fshatit Tedel, në mesin e të cilëve edhe të riun Xhemail Blakaj. Siç ishte bërë praktikë jo e rrallë në atë kohë e mbytjes së të paraburgosurve gjatë procesit të hetimeve, ky fat e gjen edhe Xhemailin, i cili vdes nën tortura në zyrat e UDB-es në Pejë. Ky krim kishte shkaktuar indinjatë dhe pezm te popullata shqiptare e Burimit e më gjerë. I lënduar në shpirt nga ky krim, Muharremi ndan dhembjen me familjarët dhe gjithë farefisin e Xhemailit duke marrë pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të tij. Ky veprim bën që atë ta largojnë nga puna dhe nga detyra e gardianit të burgut tashmë në Dubravë. Largimi nga puna e vështirëson mjaft pozitën ekonomike të familjes së tij, që tashmë nuk e përbënin vetëm i ati, Smajli, tri motrat: Hatmonja, Cyma e Xufa dhe vëllai Salihu, por edhe dhjetë fëmijët e lindur me bashkëshorten e tij, Nurien: Lumnia, Kadriu, Lulaverja, Shqipja, Lulëzimi, Vjollca, Vlora, Arbenita, Smajli dhe Arjeta.
Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, Muharremi ishte nën përcjellje të vazhdueshme nga policia serbe, sidomos nga polici i quajtur Vesku nga Gurrakoci. Ishte periudha kur në Kosovë zhvillohej fushata e dhunës kundër shqiptarëve, në emër të kërkimit të armëve. Prandaj në një rast ai edhe u arrestua dhe u dërgua në stacionin policor të fshatit Tedel. Sjellja barbare e policisë serbe gjatë këtij arresti bën që Muharremi aty e tutje të shkonte përherë i armatosur me armë personale, sepse siç përsëriste shpesh, “më nuk do të arrijnë ta dërgojnë të gjallë në stacion policor”.
Meqenëse si gardian, dikur ishte stërvitur për përdorimin e armëve, dëshmori Muharrem Vuthaj u tregua i gatshëm që njohuritë e tilla t’i vë në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sapo ajo shtriu praninë e vet në këtë pjesë të zonës së Dukagjinit. Prandaj, pas inkuadrimit të tij në radhët e UÇK-së, në qershor të vitit 1998, një kontribut të veçantë jep në ushtrimin dhe aftësimin e rekrutëve të shumtë për përdorimin e llojeve të ndryshme të armëve. Në vitin 1998, përveç Muharremit, në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit ishte angazhuar edhe i biri, Lulëzimi, fillimisht në Gllogjan, e pastaj në fshatin Prapaçan.
Pas formimit të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, Në periudhën në vazhdim, Muharremi ndërton raporte shumë të afërta me të gjithë bashkëluftëtarët, të cilët jo vetëm i ushtroi si përdoret armatimi, por me të cilët edhe mori pjesë në aksione sulmi kundër forcave ushtarake e policore serbe, stacionare e mobile në trevën e Burimit.
Njëzetekatër marsi i vitit 1999, kur filloi edhe bombardimi i NATO-s mbi makinerinë dhe infrastrukturën ushtarake të Serbisë pushtuese, zjarri i luftës u përhap me shpejtësi në trevën që përfshin fshatrat në drejtimin Burim-Tedel-Banjë dhe Radafc. Kjo trevë ishte nën përgjegjësinë komanduese të Brigadës 133. Muharremi kishte rreth vetes një numër të madh bashkëluftëtarësh edhe nga fshati i tij, ndër të cilët edhe dëshmorët: Feriz Blakaj, Skënder Maraj, Nezir Mujaj, Smajl Fetahaj.
Në interes jetik të forcave serbe, të përqendruara në pikat strategjike në Banjë, Dobrushë, Kodër të Tomocit, Lubozhdë e vende të tjera, nga mund të rriheshin pozicionet e UÇK-së, ishte që ta merrnin nën kontroll këtë vijë luftimesh, sepse në këtë mënyrë do të dobësohej një segment i rëndësishëm i zonës operative të Dukagjinit, përmes të cilit bëhej edhe komunikimi me trevën e Rugovës dhe në anën tjetër mundësohej shpopullimi i kësaj treve përmes Rozhajës. Sa herë që kthehej nga pika ushtarake në shtëpi, “po i vjen era liri kësaj shtëpie” – thoshte Muharremi.
Për realizimin e kësaj strategjie, forcat e armikut ndërmorën një sulm frontal ushtarak nga drejtimi i Burimit, më 12 prill 1999. Këtij sulmi i rezistuan me të gjitha forcat dhe mjetet pjesëtarët e UÇK-së nga pozicionet në Lubozhdë, Tedel, Studenicë e në pika të tjera. Beteja zgjati prej orëve të paraditës deri në mbrëmje. Në mesin e luftëtarëve të pozicionuar në Tedel në betejën e asaj dite mori pjesë edhe dëshmori Muharrem Vuthaj. Ai u shqua me trimëri e heroizëm në përballjen me armikun, duke mos u dorëzuar as në momentet kur në fushëbetejën mbi fshatin Tedel bien shokët e istikamit Nezir Mujaj, Smajl Fetahaj, Skënder Maraj dhe nëntë dëshmorë të tjerë në pikat e tjera të fshatit dhe as në momentin kur vetë plagoset rëndë. Me plagë të rënda në trup, dy ditë pas plagosjes arrin të largohet nga vendi i quajtur Dërrpa, dhe shkon te vendi i quajtur Fushëverri mbi fshat, në kohën që i kishin humbur edhe lidhjet me bashkëluftëtarët e tjerë. Nga ana tjetër edhe bashkëluftëtarëve të tij tashmë të tërhequr nga pozicionet e tyre, mungesa e Muharremit ua kishte shtuar dyshimin se ai mbase do të kishte rënë. Pastaj nga Fushëverri zbret te shtëpia e Muhamet Mavrajt dhe pas një kohe arrin në shtëpinë e vet, të djegur e të rrënuar. Meqenëse i vetmi vend i përshtatshëm ku mund të strehohej ishte stalla pranë shtëpisë, ku do të qëndrojë tri javë ditë në përballje me plagët e trupit, por edhe me armikun. Ai u qëndron stoikisht dhembjeve të plagëve, por shpresat për shpëtim kishin humbur sepse nuk kishte as ushqim, as ilaçe dhe asnjë formë ndihme. Megjithëse i ndodhur në këtë gjendje dhe në betejë me vdekjen, Muharremi nuk ligështohet as dëshpërohet, por arrin të shkruajë një letër të gjatë, në të cilën përshkruan gjithë ngjarjen që i kishte ndodhur, si dhe përjetimet e tij. Përshkruan edhe zhvillimit e luftës të 12 prillit, por edhe të ditëve më vonë, në të cilat forcat serbe kishin pësuar humbje të konsiderueshme. Përmes kësaj letre, me një frymë të fortë qëndrese, me bindjen se kjo letër njëditë do të bjerë në duart e familjes e të bashkëluftëtarëve, ai u jep zemër atyre duke shprehur bindjen e thellë në fitore. Pak para se t’i shteronte fuqia e trupit, këtë letër, bashkë me orën e dorës dhe me një unazë gishti, arrin t’i vendosë në zgavrën e një tulle brenda stallës. Në letër njofton se ishte plagosur në dy këmbët dhe në shpatullën e majtë, ndërsa pas lamtumirës lë porosinë: ora e dorës për të birin Lulëzimin, kurse unaza për birin tjetër, Kadriun. Kishin kaluar rreth tri javë pas 12 prillit. Mbyll sytë në oborrin e shtëpisë, më 4 maj 1999, ditë kur për çdo vit, familja, bashkëluftëtarët, shokët e dashamirët, kujtojnë rënien dhe sakrificat e tij.
Trupi i dëshmorit Muharrem Vuthaj u gjet më 16 qershor të vitit 1999 nga bashkëluftëtarët Verim Blakaj, Nezir Zogaj e Ramadan Dreshaj, të cilët edhe e varrosin. Rivarrimi i tij u bë në varrezat e dëshmorëve në Tedel. Mbi varr i është ngritur përmendorja. Emri dhe figura e tij janë skalitur edhe në monumentin e përbashkët të dëshmorëve të Brigadës 133 në fshatin e lindjes. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …