Naser Shefki Kelmendi (13.7.1976 - 14.12.1998)

Naser Shefki Kelmendi (13.7.1976 – 14.12.1998)

Naseri u lind më 13 korrik të vitit 1976 në Karaçicë, komuna e Shtimes. Mësimet fillore i mori në shkollën e vendlindjes, ndërsa tetëvjeçaren në fshatin e afërt Pjetërshticë. Shkollën e mesme e kreu në Therandë (ish-Suharekë). Kishte regjistruar Shkollën e Lartë Komerciale, në Pejë.
Familja Kelmendi nga fshati Karaçicë ka qenë demonizuar nga regjimi titist rankoviqist, sidomos pas vrasjes së Aziz Kelmendit në Kazermën e Paraçinit në fillim të shtatorit të vitit 1987. Babai i dëshmorit, Naser Kelmendi dhe të afërm të tjerë u larguan nga fshati dhe u vendosen në Therandë, Prizren e gjetkë.
Radhëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare nga këto anë iu përgjigj tërë djalëria e fshatit, e veçmas familja Kelmendi. Në mesin e tyre shquhet Sejdi Elez Kelmendi, i burgosur në vitet 80 të shekullit të kaluar dhe i dënuar me burg të rëndë për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare çlirimtare. Krahas Sejdiut radhëve të pikës së UÇK-së në Karaçicë i bashkohen edhe Xhavit Kelmendi, (dëshmor), Shaip Kelmendi, pastaj Naser Kelmendi (dëshmor), Enver Krasniqi (i plagosur rëndë, tash invalid i luftës), Xhavit Krasniqi, Tahir Krasniqi e shumë të tjerë.
Me rastin caktimit të pikës së UÇK-së në fshatin Karaçicë, Naser Kelmendi lajmërohet vullnetarisht për t’iu bashkuar radhëve, por meqë nuk kishte armë të mjaftueshme ai kryen detyra të tjera në hapjen e istikameve, ndihmon popullatën e zhvendosur dhe bën roje para shtëpisë ku ndodhej shtabi lokal.
Me rastin e strukturimit të UÇK-së, Naser Kelmendi, pranohet në radhët e Batalionit të Parë “Ruzhdi Saliu” të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.
Asokohe, ka mbajtur shënime në një fletore xhepi. Në ditarin e tij modest në formë, por shumë përmbajtësor në brendi, ai ka pasqyruar preokupimin e vetëm që kishte, të shkonte në Shqipëri për armatim dhe të kthehej në Kosovë me armë, municion dhe uniformë të UÇK-së. Dhe jo vetëm kaq. Naseri ka përshkruar edhe ngjarje të tjera që lidhen me të, familjen dhe shokët.
Nga ditari i tij, të cilin e kanë ruajtur bashkëluftëtarët, kemi shkëputur disa fragmente:

(29 shtator 1998)
“Këto ditë që kaluan ishin ditë pritjeje, por edhe ato që vijnë do të jenë të ngjashme me të parat. Edhe pse po pres ndiej njëfarë kënaqësie, por edhe monotoni përzier me një zbrazëti shpirtërore…
Këtu në Grykë, ndiej njëfarë kënaqësie, meqë vëzhgoj së bashku me ushtarët, të cilët i kam kushërinj dhe bashkëfshatarë. Ndiej respekt për ta.
Pres një pushkë, por jo, duhet doemos të shkoj në Shqipëri. Ditët janë të gjata dhe s’po më rrihet. Po mundohem të aktivizohem, por mungesa e pushkës po më brengos…

1.10. 1998
Sot isha në Pjetërshticë, ku u takova me Hasanin dhe Azizin… Në rrugë nga Pjetërshtica për në Krojmir takova dy vajza ushtare të armatosura me kallashnikov…. Ndihem i rraskapitur por edhe shumë kureshtar për të shkuar sa më parë në Shqipëri…

7.10. 1998
Edhe sot u zgjova, në pritje e sipër ashtu si ditëve të tjera.
Së bashku me bacin Ali, shkuam “Te Kroni mir”. Ndërkohë erdhi Tahiri dhe më tregoi se Brigada ka marrë vendim për t’i dërguar disa ushtarë në Shqipëri për armatim. U gëzova pa masë. Mandej shkova te “Luani” dhe ai m’i mori shënimet. Ndërkohë pasi u ktheva, dëgjova se disa ushtarë tashmë ishin nisur për në Shqipëri. U mërzita shumë dhe m’u duk vetja i përbuzur. Pasi u ktheva në Grykë, Sejdi Elezi më tha se për dy ditë do ta kem pushkën. Sonte duhet të dal në roje, me armën e një ushtari, i cili ka shkuar në Shqipëri për armatim…

Më 2 nëntor 1998, në mbrëmje Naseri së bashku me Arben Hysenin, Qamil Allurin, Bashkim Krasniqin, Enver Allurin, Ramadan Elshanin, Enver Krasniqin, Xhavit Krasniqin, Isë Adem Allurin, Xhelë Xheladinin, e luftëtarë të tjerë nga Krojmiri, Zborci, Carraleva, Karaçica e fshatra të tjera do të niset për në Shqipëri. Dëshira e tij e vetme dhe preokupimi i vetëm, që kishte pasur gjatë shumë muajve, tashmë ishte realizuar. Naseri, së bashku me rreth 20 luftëtarë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, depërtuan në Shqipëri ku edhe qëndruan deri në ditën e e 13 dhjetori të po atij viti.
Dimri i vitit 1998 ishte shumë i ashpër, ndërsa kushtet tejet të pavolitshme atmosferike kishin penguar kthimin në Kosovë të luftëtarëve të lirisë. Pasi që bora mbi Pashtrik vende-vende arrinte deri në dy metra, eprorët e UÇK-së nuk kishin lejuar kthimin e grupit, derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë.
Vendimin për hyrjen e kontingjentit të armatosur në Kosovë, i cili përbëhej prej 143 luftëtarësh, e mori Mujë Krasniqi – komandant Kapuçi. Më 13 dhjetor ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin të sëmurë, ose të tjerët që nuk mund ta përballonin rrugën për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike. Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun, kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufirin në majën e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin: Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Vesel Aruqi, Luljetë Shala, e të tjerë. Rreth Afrim Musliut, ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimës, Rifat Mujota, Selim Selimi, Agni Musliu, Hysri Musliu e të tjerë, të cilët po ashtu ishin nisur për të kaluar kufirin, të gatshëm për të luftuar me armikun, kudo ku mund të ndesheshin. Në këtë mes luftëtarësh ndodheshin edhe Naser Kelmendi, Enver Alluri, Enver Krasniqi, Ramadan Elshani, Isë Alluri, Xhavit Krasniqi, Xhelë Xheladini, Hafir Bajrami, Bashkim Krasniqi, Astrit Bytyqi e të tjerë nga Batalioni “Ruzhdi Salihu”. Ishin pastaj shumë luftëtarë nga rrethi i Rahavecit, Drenicës dhe zonave të tjera. Ata po i kujtonin fjalët e komandant Mujë Krasniqit i cili kishte thënë: “Do të luftojmë qoftë në kufi, qoftë brenda kufirit. Në luftë jemi dhe kthim prapa nuk ka!”
Mëngjesi i 14 dhjetorit ishte tejet i acartë. Dëbora, vende-vende arrinte deri në një metër e gjysmë trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, meqë duhej depërtuar deri në 1600 metra lartësi, por trimat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “kthim prapa nuk ka”. Forcat serbe kishin përcjellë dhe kishin vëzhguar me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK-së. Ata kishin zënë të gjitha pritat e supozuara nga ku do të futeshin luftëtarët e UÇK-së. Sapo vërtetojnë se formacioni ishte futur në rreth, forcat serbe të pritës fillojë sulmin mu në mes të kolonës, me qëllim për të krijuar panik dhe huti. Sulmi i rrufeshëm nga të gjitha llojet e armatimit, kishte goditur pandërprerë me breshëri mitralozash të rëndë dhe me minahedhës kalibrash të ndryshëm.
“Shumë ushtarë të UÇK-së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin”, thotë Osman Musliu, nga Belinci, i cili së bashku me disa luftëtarë të tjerë ndihmon tërheqjen e të plagosurve. Disa të tjerë ishin ngrirë nga të ftohtët dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhjetëra prej tyre ranë trimërisht.
Naser Kelmendi në mesin e 35 të rënëve më 14 dhjetor të vitit 1998 është varrosur në varrezat e Dëshmorëve të fshatit Polac të Drenicës, më 22 dhjetor të po atij viti.
Naseri ka lënë prindërit, Shefkiun dhe Sevdijen dhe vëllezërit e motrat: Ymerin, Ymriun, Shpresën, Shyhreten dhe Nazmijen. Familja Kelmendi ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e dala nga lufta çlirimtare. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …