Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se Serbia mund të përgatisë skenarë destabilizues në Kosovë në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Duke folur në emisionin “Kosova Today”, Haradinaj ka thënë se paralajmërimet e ambasadave ndërkombëtare për protesta të mundshme mund të jenë tregues për zhvillime më të gjera dhe ka ngritur dyshime se tensionet mund të nxiten përmes komunitetit serb në Kosovë. Sipas tij, Serbia mund të tentojë të inskenojë situata të ngjashme me trazirat e marsit të vitit 2004. “Ka me pas skenare edhe më të rrezikshme… skenar që do t’i bëjë Serbia, që do t’i inskenojë si në vitin 2004-2005”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka vlerësuar se situata duhet të përcillet me kujdes, duke marrë parasysh edhe angazhimin e partnerëve evropianë në këtë periudhë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
