Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka ngritur dyshime për ekzistencën e një varri masiv të mundshëm në zonën ushtarake “Livadhe me fasule” në Serbi, duke rikthyer në vëmendje pretendime të hershme të lidhura me luftën në Kosovë. Kandiq ka bërë të ditur se kjo çështje ishte diskutuar edhe në vitin 2008 gjatë një takimi me ish-ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac. Sipas saj, ajo kishte informuar ministrin për një dëshmi të një personi që pretendonte se kishte qenë shofer i një kamioni frigoriferik, me të cilin, sipas pretendimeve, trupat e viktimave nga Kosova ishin transportuar drejt kësaj baze ushtarake. “Varri masiv i mundshëm në Livadhe me fasule ishte temë e takimit tim me ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Dragan Shutanovac, në vitin 2008. E njoftova se kisha biseduar me një person që pretendonte se kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik me të cilin trupat ishin transportuar nga Kosova në bazën ushtarake Livadhe me fasule”, ka shkruar Kandiq. Ajo shton se personi në fjalë kishte kërkuar para në këmbim të informacioneve shtesë, por më pas nuk ishte paraqitur më, duke e lënë çështjen të papërfunduar dhe pa verifikim të mëtejshëm. Kandiq thekson gjithashtu se pas njoftimit që i kishte bërë ministrit të atëhershëm, nuk kishte marrë përgjigje zyrtare lidhur me pretendimet e ngritura.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
