Brickos

Në Ratkoc, u përkujtua dëshmori LULZIM SHAIP HOTI

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, në një postim të tij në facebook ka përkujtua dëshmorin LULZIM SHAIP HOTI. Kryetari Latifi në  facebook ka shkruar: LULZIM SHAIP HOTI herët e kishte nisur përpjekjen për liri. Në fund të viteve të ’80-ta, me bashkëmoshatarët e vet, në këto anë, shkroi parulla me përmbajtje dhe porosi liridashëse. Pra, qysh në moshën e re ishte përfshirë në veprimtari kundër pushtuesit serb, duke u rreshtuar në krahun e drejtë, atë të rezistencës legjitime kundër robërisë. Është fakt se LULI i takonte rinisë atdhetare të organizuar në LPRK, organizatë që ka vepruar aktivisht, edhe në këtë pjesë të Anadrinit. Na kujtohet, viti 1991 kur bashkë me shumë shokë të organizuar, fshehtë bënim roje me armë në fshatin Ratkoc. Tërë angazhimin atdhetar Luli e bënte pa përtesë, me vullnet plot, duke qenë besnik deri në fund. E dini se, në vitin 1993 u themelua LKÇK-ja, organizatë e fshehtë politike dhe ushtarake, e cila në boshtin e saj, kishte sqarimin, ndërgjegjësimin, përgatitjen dhe mobilizimin e popullit tonë të robëruar, për kryengritjen e përgjithshme të armatosur çlirimtare kundër pushtuesve serb, malazias dhe maqedonas. Kjo Lëvizje e pastër atdhetare që nga koha e themelimit, ishte e shtrirë dhe vepronte fuqishëm në Anadrini. Në mesin e djemve të zotë të LKÇK-së, ishte edhe Luli. Asnjëherë nuk mund t’i anashkalojmë angazhimet e tij gjatë shpërndarjes derë më derë, natën dhe fshehtë, të organit politiko- propagandistik të LËVIZJES, revistës së njohur tashmë për të gjithë, “ÇLIRIMI”. I bënin këto punë Luli me shokë, sepse ishin shqiptarë me virtyte të larta njerëzore, morale dhe kombëtare. E pra, LULI qe një djalë i përkushtuar dhe i gatshëm për t’i shërbyer pavarësisht çmimit, luftës për çlirimin e atdheut tonë. E kishim shok dhe bashkudhëtarë besnik, në çdo hap që hidhnim së bashku me rininë patriotike, në rrugën e pakthim drejt lirisë. Si veprimtar i guximshëm, ai shtëpinë e tij e bëri strehë për shokë dhe bazë për ruajtjen e materialeve luftarake, pushkëve dhe barotit. Pas daljes publike të UÇK-së me 26 prill 1998 në Drenoc të Zatriqit, Luli me një grup shokësh, të armatosur mirë, morën detyrë që të ngjiten në Drenoc, me qëllim të mbështetjes konkrete për njësitin e UÇK-së atje. Me 12 maj 1998, drejtpërdrejtë filluan luftimet e ashpra të çlirimtarëve me forcat pushtuese serbe në fshatrat Ratkoc, Malësi e Vogël dhe Bërtatin. Në këtë ditë, Luli u gjet në mesin e të parëve dhe mori plagë të rëndë në trup, gjatë ballafaqimit të armatosur me forcat e pritës serbe, mbi fshatin Bërtatin. Pas kësaj, Luli i plagosur rëndë i nënshtrohet një trajtimi të gjatë, pothuajse të pandërprerë shëndetësor. Vërtet është i pamohueshëm kontributi i mjekëve të luftës, që me ato pak mjete që kishin në dorë, bënë gjithë ç’ishte e mundshme për shërimin e Lulit. Por, shëndeti i Lulit nuk ishte i qëndrueshëm, sepse plagët e thella në trup, pothuajse asnjëherë nuk u mbyllën. Ato ishin burim i së keqes për shëndetin, për jetën e tij. Edhe pse me gjendje të dobët shëndetësore, Luli iu mbeti përherë besnik idealeve të lirisë, si gjithnjë ishte pranë shokëve dhe i rreshtuar siç duhej, në rrugën e drejtë të lirisë. Ai nuk u dorëzua as pas plagosjes dhe gjatë gjithë luftës, mbeti po Ai, i qeshur, i dashur, i sinqertë, pa fjalë dhe i ndershëm e krenar. Luli nuk do të arrijë t’i ikë vdekjes, ndarjes nga prindërit, fëmijët, shokët e tij të ditëve të vështira dhe me 9 nëntor 2005, do të kalojë në përjetësi. Lulzim Shaip Hoti është një emër që na bënë krenar të gjithëve. Ai është simbol i përkushtimit të pashoq, njeriut që për lirinë e popullit të tij, nuk kurseu as jetën. Ai mbetet një atdhetar dhe luftëtar i vërtetë, i cili nisi herët dhe nuk u ndalë deri në frymën e fundit, që ne dhe brezat që vijnë, të lindin, të rriten e të jetojnë të lirë në këto troje.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …