Brickos

Në shumë vende të Kosovës u përkujtuan dëshmorët e martirët në 18-vjetorin e rënies

Në shumë vende të Kosovës u përkujtuan dëshmorët e martirët në 18-vjetorin e rënies

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Kaçanik, kanë nderuar martirët në këtë komunë, me rastin e 18-vjetorit të rënies së tyre për liri. Të pranishëm ishin edhe familjarët e të rënëve për liri, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të komunës së Kaçanikut. Koloneli Hajrush Kurtaj ka thënë se sot 18 vite më parë, në ditën e Bajramit, hordhitë serbe terrorizuan dhe vranë dhjetëra civilë të Kaçanikut. “Martirët janë vet liria dhe rrugëtimi ynë për të ndërtuar vendin ka bazament gjakun e derdhur për çlirim, prosperitet e bashkim kombëtar”, ka theksuar Kurtaj.

 U mbushen 18 vjet qëkur forca të shumta paramilitare serbe, të ndihmuara edhe nga serbët lokalë iu vërsulën popullatës së pambrojtur shqiptare të fshatit Leshan. Atë ditë, kriminelët serbë u futën shtëpi më shtëpi të banorëve shqiptar të fshatit duke i grumbulluar të gjithë banorët në shkollën e fshatit për t’i dëbuar më pas në Shqipëri. Çdo gjë që nuk lëvizte e dogjën, njerëzit i dëbuan, bagëtitë i vranë, ata të cilët u bënë kurban për tokën mëmë ishin 18 shqiptarët e këtij fshati dhe disa të strehuar që kishin ikur nga shtëpitë e tyre. Sot familjet e martirëve dhe mbarë fshati mburren për të rënët duke i përkujtuar në përvjetorë dhe duke vendosur kurora me lule të freskëta mbi varret dhe lapidaret e tyre.

 Në kompleksin memorial të fshati Beleg u bënë  homazhe dhe u  vendosen kurora lulesh për 49 shqiptarët e masakruar 18-vjet më parë nga forcat ushtarake e policore serbe. Në kuadër të kësaj dite u promovua  libri i dytë “Rrëfime për Masakrën e Belegut” i autorit Endrit  Binakaj. Kjo  është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer nga forcat serbe, të cilët më 1999, filluan një ofensivë të egër ndaj popullatës së Irzniqit dhe të Belegut. Kjo hakmarrje mbi popullatën civile ndodhi pasi një ditë më parë policia e ushtria  serbe kishin pësuar humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 Në fshatin Shishman të Bokës, komuna e Gjakovës, është shënuar 18-vjetori i rënies së 14 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata kanë rënë në betejën e 29 marsit të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve të luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …