Nesër nis Festivali “I këndojmë lirisë”

Festivali tradicional “I këndojmë lirisë”, shënon ditëlindjen e komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi

Nesër në Çabiq të Klinës fillon festivali folklorik, “I këndojmë lirisë”, i cili tradicionalisht shënon  ditëlindjen e komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi. Hapja  bëhet në orën 11.00 në vendlindjen e Komandantit të UÇK-së, në fshatin Çabiq,  ndërsa  Festivali mbahet në qytezën e Klinës, për tri ditë rresht. Festivali “I këndojmë lirisë” mbahet nën patronatin e kryetarit të  komunës së Klinës, z.  Sokol Bashota.

Sërish Klina edhe sivjet si në çdo qershor që shtatëmbëdhjetë vjet me radhë bëhet vend tubim dhe vend takim i artdashësve të folklorit burimor shqiptarë te të gjitha trojeve etnike.

Ndërkaq, këtu vijnë qytetarë jo vetëm të lokaliteteve të Komunës së Klinës, por edhe nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Tetova, Presheva, Medvegja, Malësia, Ulqini, po edhe nga  trojet të tjera ku ka shqiptarë, e edhe nga diaspora. Për tri ditë me radhë, më 6, 7 e 8 qershor i këndohet, lirisë, pavarësisë, trimërisë heroike të luftëtarëve të UQK-së e Komandantit të shquar të saj Mujë Krasniqit- Kapuçit, që sivjet përkon me ditëlindjen e 50-të te Komndant Mujë Krasniqit-Kapuçit. Për përgatitjet, ecurinë dhe rrjedhat e Festivalit “I Këndojmë Lirisë” ,tregon zëdhënësi i Festivalit, Enver Maloku. “Kjo edhe dihet se pikërisht mbajtja e festivalit burimor folklorik përkon me ditëlindjen e Mujës. Kjo edhe për faktin se ky festival ka nisur në ditët e para të lirisë, kur akoma ndihej erë baroti, ndonëse lufta kishte përfunduar, liria kishte arritur me shumë pasoja, me gjakun e derdhur të bijave e të bijve më të mirë të kombit”, ka thënë Maloku.

Ndaj të gjithë të rënët për këtë tokë të shenjt sot përkujtohen në forma të ndryshme, siç është edhe ky Festival. Atyre u këndohet, për mos tu harruar brez pas brezi. Ata me pushkë e me këngë futnin tmerr në radhët e armikut. Ata vdisnin me këngë në gojë.

Njësoj armiku i frikësohej si pushkës po ashtu edhe këngës e çiftelisë. Muja e Beqa edhe në front ia thoshin këngës. Për ta vdekja për atdheishte njësoj si me le. “Kështu këndonte Muja e Beqa për Kosovë s’më dhimbset jeta”, është një varg i këngës i kënduar për herë të parë para disa vitesh në këtë Festival.

Kjo është edhe moto e bashkimit për çdo vit në këtë festival të këngëtarëve, valltarëve, rapsodëve e instrumentistëve më të mirë te të gjitha trojeve shqiptare. Në Klinë për tri ditë është e tërë gjeografia etnike. Edhe sivjet është kështu.

Drejtoria artistike seleksionimin dhe përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëmarrësve në festival e ka filluar para tre muajve, ndaj edhe për çdo vit vijë vlera të reja të folklorit tonë të pashtershëm.

Edhe sivjet është kështu. Ndërsa e veçanta e festivalit të sivjetshëm është se më 3 qershor hapjes së festivalit i parapriu marrshi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) të cilët pas homazheve te shtatorjaMujë Krasniqit u nisen drejt vendlindjes së Komandantit duke ecur deri të Kulla- muze në Çabiq.

Festivali nis në Qabiq, vendlindjen e Mujë Krasniqit, nga Kulla muze. Aty nis kënga dhe vallja për të vazhduar në mbrëmje në skenën e hapur. Drejtori I festivalit “I këndojmë Lirisë “, shkrimtari, publicisti dhe kritiku i mirë njohur Prend Bizhala, thotë se të gjitha përgatitje janë bërë me kohë. “Edhe sivjet kemi pjesëmarrës te të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera, e tradita kombëtare.

Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës”, thotë Sekretari organizativ i Festivalit Skënder Behrami. Ndërkaq, edhe sivjet Festivali “I këndojmë Lirisë mbahet nënë përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota. Për tri netë, këtu zhvillohen edhe aktivitete të tjera kulturore sportive. Festivali ka karakter garues, ndërsa çmimi kryesor është çmimi “Mujë Krasniqi”. Moderatore e Festivalit të sivjetmë është ikona e Televizionit Shqiptar, e mirënjohura, Silvana Braçe. Pra, Klina për tri ditë frymon me Festival.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …