Nexhmedin Gerguri: Veton Surroi nuk u çlirua nga Serbia, sepse nuk ishte i pushtuar

Veton Surroi në surrogat – veprën e tij „Këmbët e Gjarprit », të nxjerrë nga shtypi pikërisht më 8 qershor 2014, datën e fillimit të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës, merret jo vetëm me portretizimin e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, por edhe me diskualifikimin e luftës  çlirimtare të UÇK-së duke e quajtur UÇK-në si të paqenë dhe rrjedhimisht edhe luftën e saj si të tillë dhe si joçlirimtare! Konstatimet për UÇK-në si „terroriste“, „“fundmemtaliste“, „trafikante narkotikësh dhe organesh“ i kemi hasur në shtypin serb, rus e prorus të perëndimit si dhe në raportin tashmë të deplasuar të Marty-t, por për UÇK-në si një improvizim nuk i kemi hasur ende! Ky është origjinaliteti i vetëm që sjell Surroi në surrogat – veprën e tij „Këmbët e Gjarprit“ pas gjumit të tij të detyrueshëm politik në të cilin e kishte detyruar vota e popullit. I ngutur ta nxjerrë në dritë krijesën e tij para zgjedhjeve, Surroi i kishte vënë në siklet edhe mamitë e pjellës së tij  Flaka Surroin, Lumir Abdixhikun dhe  Enver Robellin, që si të gjitha mamitë e tjera s’kishin mundur të shmangnin të gjitha vështirësitë e një lindjeje të parakohshme. Periudhat e gjata me disa fjali të nënrenditura jo vetëm se nuk krijonin efektet e duhura stilistike, por shkaktonin edhe shpërndarje të theksit kuptimor dhe rrjedhimisht i bënin këto periudha edhe të palogjikshme. Starti fliste për një fytyrë të shëmtuar të pjellës surroiane. Përsëritja e vazhdueshme e pseudonimit “Gajrpri” të Hashim Thaçit  lëre që nuk krijonte efektet e duhura stilistike, por nuk i shkonte fare as konteksteve të veprimeve somnabuleske politike të këtij të vetëquajturi “Gjarpri”. Gjarpërimi politik i “Gjarprit”është më shumë një ecje instiktive prej somnabuli sesa një finokëri e të menduarit e dinakëri e të vepruarit me efekte kafshim- gjarpri. “Gjarpri”doli në skenën politike sepse gjarpërinjtë e vërtetë të poltikës kosovare, në mesin e të cilëve përkah rreshtimi që kishte zaptuar, do të duhej të bënte pjesë edhe vetë Veton Surroi, na dolën të ishin gjarpërinj pa gjuhë helmuese për armikun e gjarpërinj cirku për popullin, të ciln e venin ende në gjumë me përdredhime demokratike nën tingujt e këngës “Nga Vardari deri në Trigllav jeto e lumtur e në liri … Jugosllavi, Jugosllavi”.

 

Dëmet e rënda si ekonomike, ashtu edhe politike që i shkaktoi  vendit “Gajrpri”dhe klika e tij, e të cilat nuk e kishte të vështirë t’i konstatonte sado përciptazi edhe vetë V. Surroi, nuk janë arsye për nxjerrjen e pohimit të rrejshëm se UÇK-ja qenka një improvizim dhe se ajo nuk bëri luftë çlirimtare. Ajo nuk ishte çlirimtare për aq sa Surroi nuk ishte i pushtuar nga Serbia dhe i tillë – si bir i nomenklaturës titiste të Kosovës, ai vërtet nuk ishte. Si një nostalgjik i rikrijimit të Jugosllavisë atij i rridhin fondet nga burime të ndryshme që shpresonin në krijimin e një Jugosllavie të re me Surroin si një prej titullarëve. Jugosllavia e padrejtë u zhbë, u bë Kosova vend i pavarur, por pa Surroin ministrin e saj të jashtëm. Pikërisht kjo i dhemb Surroit dhe pikërisht aty i shkon gjuha që në fillimin e “Këmbët e Gjarprit”- në dështimin e politikës së jashtme të Kosovës, e cila na qenka edhe një ndër dështimet e rënda të “Gjarprit”.

 

Surroi nuk nguron ta prekë edhe kultin e Adem Jasharit, për të cilin ai nuk qenka as “komandant”, sepse ai nuk paska bërë shkollë më shumë se një kurs bazik ushtarak në Shqipëri, dhe as “legjendar”, sepse ja që i tillë do të duhej të na ishte ungji i tij ungjillor Fadil Hoxha, “mbrojtësi i substancës kombëtare të Kosovës”. Se akti i vetëflijimit të  Adem Jasharit ishte flamur lufte për çlirimin e Kosovës është një e vërtetë e padiskutueshme, të cilën me pietet  nuk nguroi ta  theksonte edhe vetë diplomati francez,  Benard Kouchner, por ja që këtë e ka të vështirë ta nxjerrë nga gryka  e tij Veton Surroi, sepse për të pieteti i “komandantit legjendar” i takon Fadil Hoxhës – atij që demonstruesit e 81-it i kërcënonte me bira minjësh 300  groshëshe!

 

Surroi me Fadil Hoxhën politikisht do të ishte  shumë më shumë seç është, e me kultin e tij shumë më gjatë seç mund të jetë duke e goditur gjarprin për bishti. Por kultin e Hoxhës rinia e Kosovës e varrosi përgjithmonë më 1981! Amen!

 

14 gusht 2014

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …