Nexhmi Lajçi: Gjykata Speciale - Fytyra e zezë e Evropës plakë

Nexhmi Lajçi: Sa për ne të vdekurit të gjallë edhe varrin e Adem Jasharit do t’na çojnë në Hagë

Nuk duhet harruar kurrë se vuajtjet dhe mjerimin shqiptarëve pos dëbimeve masive, vrasjeve, masakrave, gjenocidit e spastrimit etnik nga trojet e tyre siç ndodhi më 1878 me shqiptarët e Sanxhakut të Nishit dhe rajonit të Toplicës më ç’rast Serbia përmes tokës së djegur ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik në mbi 700 vendbanime dhe dëboi mbi 300 000 shqiptarë, ia shtuan edhe vendimet e padrejta e të pamëshirshme të fuqive të mëdha në të gjitha kohërat, si në Paqën e Shen Stefanit, Kongresin e Berlinit, Konferencën e Londrës, të Parisit etj të cilat përkrahën, përligjën dhe vulosën zgjerimin e Greqisë, Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi në dëm të trojeve të lashta shqiptare.

Kjo padrejtësi ndaj kombit shqiptar, ndër më të vjetrit në Evropë dhe më i vjetri në Gadishullin Ilirik (Ballkani i sotëm) vazhduan edhe pas mizorive që ushtroi Aleanca Ballkanike në luftërat ballkanike me 1912-1913. Formimi i kësaj aleance (Greqi, Bullgari, Serbi dhe Mal i Zi) u bë me qellim të ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë në të mire të shovenistëve fqinj, ndërsa Traktati e fshehtë i Londrës mbahet me 26 prill 1915 në mes të fuqive të Antantës dhe qeverisë së Italisë për të plotësuar pretendimet e imperializmit Italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore në Konferencën e Paqës të mbajtur në Paris me 1919 dhe krijimin e Jugosllavisë së Versajës u hartuan projekte për të ardhmen politike të Shqiperisë në të cilat parashikohej copëtimi i shtetit shqiptar dhe zhdukja e tij nga faqja e dheut. Po në këtë vit Beogradi zyrtar solli Ligjin për Reformën Agrare dhe në vitin 1931 edhe Ligjin për Kolonizimin e Viseve Shqiptare të mbetura nën Jugosllavi. Në vitin 1938 midis Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave u nënshkrua konventa famëkeqe për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi e cila parashihte shpërnguljen e 40 000 familjeve me mbi 300 000 banorë. Edhe në mes të Greqisë dhe Turqisë më 30 janar 1923 në Lozanë të Zvicrrës ishte nënshkruar marrëveshja për shkëmbimin e popullsive nga e cila marrëveshje më së keqi e pësuan shqiptarët e sidomos ata të Çamërisë.

Pas Luftës së Dytë Botërore edhe përkundër faktit se shqiptarët ishin aktive në Luftën Antifashiste përkrah të të gjithë popujve tjerë liridashës, dy të tretat e territorit shqiptar mbetën nën Greqi dhe Jugosllavi ku përmes politikës së tokës së djegur edhe fillon spastrimi etnik i trojeve shqiptare. Pason marrëveshja e radhës për shpërnguljen e shqiptarëve tani në mes të Turqisë, Greqisë dhe Jugosllavisë në shkurt të vitit 1953 e njohur si Pakti Ballkanik, ku sipas statistikave të publikuara del se gjatë kësaj periudhe deri në vitin 1965 për në Turqi janë shpërngulur 452 371 shqiptarë.

Pos shpërnguljeve proceset për asimilimin e shqiptarëve ishin të pa ndërprera dhe më të pamëshirshme. Shqiptarët e besimit ortodoks për ti shpëtuar shpërnguljeve, vrasjeve e barbarive serbo-greke u asimiluan në serb e grek, ndërsa shqiptarët e besimit islam duke mos i mbijetuar dhunës serbo-malazeze u kthyen në boshnjak. Pjesa e mbetur e kombit shqiptarë vazhdoi luftën për mbijetesë, dhe rrezja e pare e shpresës së shqiptarëve nën Jugosllavi ishte Adem Demaçi i cili vuri themelet e organizatës patriotike Lëvizja Revolucionare për bashkimin e Shqiptarëve ku edhe korri fitoret e para kundër Jugosllavisë ; flamur e kushtetutë duke iu dhënë zemër shqiptarëve që të bashkuar ta vazhdojnë rrugën drejtë lirisë e bashkimit kombëtar.

Për ta përcaktuar fatin e kombit tani Adem Demaçit po i bashkëngjitej Adem Jashari i lindur me 28 nëntor 1955 i cili me një heroizëm të paparë e me gjakun e tij dhe pothuajse të të gjithë familjes i dha vulë lirisë së Kosovës. Po në këtë datë, me 28 nëntor 1997 pas një rrugëtimi disa vjeçar nëpër aksione e luftëra kundër makinerisë vrastare ushtarako-policore serbe, del në skenë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila u mbijetoi sulmeve, shantazheve, etiketimeve, tradhtive etj, si nga Serbia, politika shqiptare si në Kosovë e Shqipëri aq më shumë nga politika Evropiane e cila tenton pamëshirshëm e pa të drejtë edhe ta fus në listën e organizatave terroriste e islamike, siç ndodhi edhe më të ngarkuarin amerikan për Ballkanin Richard Gelbart, etiketimin e të cilit Serbia e mori si dritë jeshile nga përendemi për ti vazhduar masakrat mbi shqiptarët ku edhe pse në atë kohë në Kosovë kishte misione vëzhguese ndërkombetare në praninë e tyre Serbia vrau rreth 15 mijë shqiptarë.

Përkundër gjithë kësaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bartësit e saj ishin të vendosur në kauzën e tyre dhe pavarësisht rrezikut para maqinerisë vrastare serbo-sllave, linçimeve nga faktori i brendshëm dhe kërcënimeve euroatlantike u rritën u forcuan dhe vazhduan luftën për liri. Kjo vendosmëri më vonë i detyroi Evropë e Amerikë që Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ta pranojnë si ushtri që lufton për lirinë dhe ekzistencën e popullit të vet duke i dal në krah me aleancën më të fuqishme ushtarake në botë NATO-n deri në fitoren përfundimtare kundër Serbisë.

Përvoja historike na ka mësuar se vetëm vendosmëria jonë deri në rrezikshmëri na i sjell fitoret e merituara, prandaj a nuk ka ardh ora që skenarit të Serbisë të luajtur me përpikëri përmes aktorëve evropian ti dalim përballë apo dalzotësit e atdheut tash e njëzet vjet po prehen në amshim e ne të vdekurit të gjallë po presim kur edhe varrin e Adem Jasharit t’na e çojnë në Hagë e prapë të fshihemi pas njëri tjetrit duke u zgërdhirë me frikë se shpëtuam edhe kësaj radhe.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …