Nezir Myrtaj: Fundi i gënjeshtrave të grupeve hajdute e tradhtare

Tashmë Kosova po i afrohet ditës kur epilogu i procesit të deritashëm politik do ta vë në dyshim ëndrrën e pavarësisë, me të cilën jetuan shumë breza të tij dhe për të cilën derdhën gjakun e u sakrifikuan mijëra bijë e bija të Kosovës. Më 2 shkurt, plaku qehrerëndë, me njërën këmbë mbi dhe e me tjetrën nën dhe, ish-presidenti i Finlandës dhe ish-miku i përfolur i Milosheviqit, Marti Ahtisari, pritet ta shpallë në Prishtinë propozimin e përgatitur në bazë të interesave të fuqive të mëdha vendimmarrëse, lidhur me statusin e Kosovës. Tashmë, përmbajtja e këtij propozimi është bërë një sekret publik, për të cilin flitet e komentohet gjithandej qarqeve politike, diplomatike e gazetareske, pa ndonjë ngurrim. Sekretin dhe konfidencialitetin, me besnikëri vazhdojnë ta ruajnë para popullit shqiptar, vetëm vagabondët e grupeve që e patën shtruar çështjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
Ajo që është qartësuar deri tash dhe që do të zyrtarizohet më 2 shkurt, është fakti se Kosova nuk do të ketë pavarësi, prandaj as sovranitet shtetëror. Faktet e tjera, që në realitet nuk tejkalojnë elementet autonomiste të një autonomie speciale, do të jenë jorelevante përball ëndrrës dhe idealit çlirimtar të sublimuara me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, për shqiptarët nuk do të jetë kurrfarë privilegji, por përkundrazi, fakti se ata do të kenë të drejtën e dynështetësisë, pra edhe nënshtetësinë e Serbisë.

Sidoqoftë, 2 Shkurti pritet të ndërpresë terrorin psikologjik, të ushtruar tash e disa muaj lidhur me propozimin e Ahtisarit dhe afatin e paraqitjes së tij, duke dhënë garanci se ai do të jetë i tillë apo i atillë. Do të ndërpritet edhe terrorin psikologjik i ushtruar tash e disa vjet nga matrapazët e politikës, lidhur me pavarësinë, duke garantuar se atë do ta bëjnë këtë vit apo atë vit.
Dy shkurti do t’i ballafaqojë grupet kriminale të unitetit, me tradhtinë e tyre, ndërsa injorantëve që u besuan dhe i mbështetën ata, do t’ua mundësojë ta kuptojnë mashtrimin e tyre. Po ashtu, 2 Shkurti do t’i bindë të gjithë shqiptarët se për humbjen e lirisë së tyre nuk janë fajtorë faktorët e jashtëm dhe as Rusia e Serbia, por bastardët e vendit, uzurpatorët e skenës politike, mashtruesit dhe rrahagjoksët antikombëtarë të partive dhe grupet hajdute e tradhtare të negociatave, që për interesat e tyre personale e shitën si plaçkë tregu, për vite rresht, Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Pamja e tradhtarëve 

“Njeri i poshtër është tradhtari/Sy as faqe në vete s’ka” – thonë vargjet ontologjike të Çajupit. Këtë pamje, më shumë se kurrë më parë, sot mund ta shohim te ata që ia morën të ardhmen Kosovës, duke shkelur mbi gjakun e mijëra dëshmorëve të lirisë dhe mbi vuajtjet e sakrificat shekullore të popullit të Kosovës, ajkën e të cilëve e paraqet i ashtuquajturi grup i unitetit.
Këtij grupi vagabondësh e mashtruesish tradhtarë i ka ardhur veza te b…, prandaj ka ndryshuar edhe kursi i propagandës së anëtarëve të tij. Në vend se për pavarësinë, ata tashmë po flasin për njëfarë substance, për njëfarë materieje, e për do farë elementesh të pavarësisë. Kush mund ta di se deri në ç’përmasë do ta tkurrin ata, kuptimin e fjalës pavarësi, deri në fund të procesit, për të ngritur rëndësinë e autonomisë së projektuar të Kosovës, si një vend pa shtet e sovranitet.
Mashtruesit tanë, që në fushatat e mëparshme elektorale garantonin se do ta bënin Kosovën shtet me sovranitet të plotë, brenda aq muajsh e kaq vitesh, sot po flasin për do farë substancash e materiesh dhe për dofarë elementesh të shtetësisë e pavarësisë së Kosovës;
Mashtruesit tanë, që më parë garantonin se do ta anëtarësonin Kosovën e pavarur në NATO e në BE brenda kaq e aq vitesh, sot po flasin me paturpësi për të drejtën që do të ketë Kosova për të lidhur marrëveshje me organizata të ndryshme financiare e për të drejta të tjera margjinale;
Mashtruesit tanë, që patën premtuar se statusi i Kosovës do të përfundonte deri në fund të vitit 2006, tashmë e kanë harruar atë punë dhe po luten që çështja e statusit të mos shtyhet edhe pas zgjedhjeve të përfunduara serbe, e cila gjë do të ndodhte po të këmbëngulin Serbia dhe Ahtisari;
Mashtruesit tanë, që dje deklaronin me “kompetencë” se bisedimet e Vjenës ishin punë e kryer dhe se pas shpalljes së propozimit të Ahtisarit, nuk do të diskutohej me palën e Beogradit, sot po presin dofarë “konsultimesh” me këtë palë;
Mashtruesit tanë, që deri dje garantonin se e ashtuquajtura pako e Ahtisarit do të sillte zgjidhjen, që do të ishte në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, sot po paralajmërojnë se kjo zgjidhje edhe mund të mos jetë krejt e kënaqshme;
Mashtruesit tanë, që deri dje deklaronin se Kosova do të ketë ushtrinë e vet dhe ulësen në OKB, sot po heshtin si memecë xhungle;
Mashtruesit tanë, deri dje premtonin se në qoftë se KS nuk do të nxjerrë rezolutën për pavarësinë e Kosovës, kjo pavarësi do të vetëshpallej që të njihej nga shtetet në mënyrë individuale, mirëpo, sot po deklarojnë se me shpalljen e kësaj pavarësie Kosova nuk do të ndërmerrte veprime të njëanshme;
Dhe më në fund, në vend se të flisnin si deri dje për fitimin e sovranitetit nga Kosova, sot po flasin për humbjen e këtij sovraniteti nga Serbia, pa shpjeguar se i kujt do t’i ruhet dhe për sa kohë do t’i ruhet sovraniteti mbi Kosovën.

Për të gjitha këto mashtrime, të cilat kanë krijuar dhe krijojnë rrethana për pasoja të pariparueshme për të ardhmen e Kosovës, këta mashtrues do të duhej të përgjigjeshin, jo vetëm para gjyqit të historisë.


Kushtetuta lojë fjalësh 

Për të mjegulluar vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe rrezikun që po i kanoset Kosovës (ndërsa rrezik për Kosovën do të thotë mohimi i të drejtës së saj për të qenë shtet i pavarur), në kohën kur indikacionet e këqija për Kosovën po arrijnë gjithnjë e më të qarta, mashtruesit tanë, ka kohë që flasin gjithnjë e më zëshëm për dofarë angazhimesh shtesë, gjoja për hartimin e kushtetutës së “shtetit të ardhshëm të Kosovës”, për nxjerrjen e simboleve shtetërore etj.. Mirëpo, kush mund t’u besojë këtyre njerëzve të pa identitet, se do t’i nxjerrin e hartojnë aktet e tilla shtetërore, të cilat nuk i kishin nxjerrë e hartuar as që prej tetë vitesh, tash kur shenjat se ç’do të jetë Kosova janë të qarta dhe kur ata nuk kanë guxim të bëjnë gëk as mëk nga faktori i jashtëm! Shtirja sikur të preokupuar për simbolet dhe aktet “shtetërore”, janë vetëm bllofe të këtyre matrapazëve. 
Se sa ironike është loja e fjalëve lidhur me kushtetutën e Kosovës, tregon edhe fakti se është po ky soj mashtruesish, të cilët kanë refuzuar në vazhdimësi të shpallin pavarësinë e Kosovës, edhe atëherë kur është iniciuar një veprim i tillë, nga ndonjë zë i vetmuar në Kuvendin e Kosovës. Por, se sa sarkastike është loja e fjalëve lidhur me të ashtuquajturën kushtetutë e Kosovës, tregon edhe publikimi i parimeve të propozimit të Ahtisarit (nga “Zëri i Amerikës” i datës 23 janarit), sipas të cilave Kuvendi i Kosovës do të jetë një institucion legjislativ i paralizuar, i cili do të veprojë mbi baza etnike dhe për nxjerrjen e ligjeve e të akteve të tjera, fjalën vendimtare do ta ketë shumica e deputetëve serbë (2/3-tat)! 
Mbetet të shihet edhe nëse për serbët do të rezervohet një numër vendesh në Kuvendin e Kosovës, siç rezervoheshin me Kornizën Kushtetuese!

Emri i kuvendit nuk duhet harruar kurrë 

Më 26 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës sikur debatoi me tone të nxehta lidhur me shqetësimet që kanë krijuar indikacionet jo të mira të propozimit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, me ç’rast disa deputetë kërkuan që më 2 shkurt, me përmbajtjen e këtij dokumenti të njoftohet edhe Kuvendi. Pati edhe tone kundër të ashtuquajturit Grup i Unitetit, i cili vetëm disa ditë më parë ia vetëzgjati mandatin vetes për afat të pacaktuar. Mirëpo, ky ishte një reagim tepër i vonuar, që tingëllon si kofini pas të vjelash. Ky kuvend, i cili nuk e ka parandaluar, por e ka mbështetur në vazhdimësi procesin e degradimit të fryteve të luftës çlirimtare dhe të aspiratave të popullit të Kosovës për pavarësi, duke dhënë pëlqimin për t’i diskutuar këto aspirata me Serbinë, si dhe duke legjitimuar formimin e grupit bisedues, si mekanizëm mbiinstitucional për zbatimin e vendimeve të faktorit të jashtëm, më 26 janar do të duhej të shpërbëhej e t’i jepte fund ekzistencës së tij. Ky do të ishte veprimi më moral i tij, pas bërjes publike të elementeve të propozimit të Ahtisarit, të paraqitura Grupit të Kontaktit më 22 janar, e në të cilat ka kontribuar edhe grupi i unitetit i miratuar nga ky kuvend. Ky kuvend turpi do të shpartallohej dhe emri i tij i keq të mos harrohej.

Gjuha kërcënuese 

Në prag të kumtit të lig të Ahtisarit, faktorë të jashtëm kanë shtuar përpjekjen për të mbajtur paqen në Kosovë me rastin e shpalljes së këtij kumti. Ata, po vazhdojnë të marrin garanci edhe nga kuislingët e tyre në Kosovë, për ruajtjen e paqes e të qetësisë, çfarëdoqoftë propozimi i Ahtisarit. Populli i Kosovës, është kërcënuar nga këta faktorë edhe me përdorim force e dhune, duke paralajmëruar aksionin ushtarak-policor të koduar “Dhelpra e blinduar”, me qëllim të pacifikimit të popullatës së pakënaqur. 
Paralajmërimet e tilla janë indikacione të mundësisë që Kosova të shndërrohet në një arenë dhune e terrori ushtarako-policor, si pasojë e imponimit të zgjidhjeve të pafavorshme, që nuk janë në përputhje me idealin e popullit të Kosovës për të realizuar lirinë dhe pavarësinë e tij. Tashmë Lëvizja Vetëvendosje, si forca e vetme reale që ka kundërshtuar proceset antishqiptare të faktorëve të brendshëm e të jashtëm, duke përfshirë edhe Grupin e Unitetit, ka paralajmëruar demonstrimin e kundërshtimit të propozimit të Ahtisarit, më 10 shkurt. Zërin e tyre kundërshtues e kanë ngritur edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat kanë bërë me dije se asnjë zgjidhje që nuk do t’i përfillë sakrificat e popullit shqiptar të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, nuk do të jetë e pranueshme për këto shoqata.

Ditët dhe muajt që po vijnë do të dëshmojnë përgjegjësinë e atyre që po i japin vetes të drejtë të garantojnë paqen në kurriz të mohimit të së drejtës së popullit të Kosovës për të qenë i lirë e i pavarur. Matrapazët e politikës dhe grupet hajdute e tradhtare duhet ta marrin parasysh faktin se populli i Kosovës nuk ka derdhur gjak dhe nuk është vrarë e sakatosur para 8-9 vjetësh dhe gjatë një shekulli të tërë, për substancën, për materien, për elementet dhe as për konturat e pavarësisë së Kosovës, por kanë luftuar dhe sakrifikuar për vetë pavarësinë dhe lirinë e vetëvendosjes. Këta horra duhet ta dinë një herë e mirë se ata as e kishin hapur dhe as po e hapin shtegun, që çon te pavarësia e Kosovës, por përkundrazi e kanë mbyllur këtë shteg të cilin e kishte trasuar gjaku i djemve e vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …