Zëdhënësi i çlirimtarëve mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë

Dje në Tribunalin e Hagës, në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliut, para Trupit gjykues të këtij Trbunali, në cilësi të dëshmitarit të detyrueshëm është marrë në pyetje, ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotëriu, Jakup Krasniqi.
Vajtja e z. Krasniqi në Hagë është interpretuar në mënyra të ndryshme nga qarqet politike vendore dhe ndërkombëtare. Pavarësisht nga hezitimi i zotëriut Krasniqi për të mos shkuar në Hagë, tani kur ka filluar marrja në pyetje dhe shqyrtimi i politik i këtij procesi, po bëhet fare e qartë, se, prezenca e ish zëdhënësit të UÇK-së në Hagë, mbase paskësh qenë e domosdoshme, me qëllim të sqarimit të shumë të dhënave dhe argumenteve, për të cilat Tribunali nuk ka pasur ose ka fare pak dijeni.
Pozicioni i ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqi, para Trupit Gjykues të Tribunalit, është pozicion i fortë, realist dhe i palëkundshëm sa i përket shqiptimit, dhe prezantimit të së vërtetës rreth organizimit të UÇK-së dhe strukturave ushtarake e politike të saj.
I pyetur lidhur me përmbajtjen e komunikatave të Shtabit të Përgjithshëm, z. Krasniqi ka dhënë hollësi deri në detaje lidhur me përmbajtjen e këtyre komunikatave, të cilat përveç karakterit informativ dhe afirmativ të luftës çlirimtare, ato kanë pasur edhe elemente të luftës propaganduese, me qëllim të nxitjes së shtresave atdhetare militante, për t`u inkuadruar në luftë të armatosur kundër regjimit kriminal të Beogradit.
Mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së në Hagë nga ish zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, komentimi realist i ngjarjeve që çuan në luftë të armatosur, lufta e vendosur dhe vendimtare e UÇK-së për ta çliruar Kosovën nga gjenocidi dhe spastrimi etnik, dhe më në fund intervenimi i NATO-s kundër makinerisë së krimit serb, janë ngjarje të lidhura, të kushtëzuara si shkak pasojë e veprimeve të koordinuara politike dhe ushtarake, të cilat kanë ndodhur para dhe gjatë kohës së luftës në Kosovë. 
Ballafaqimi i tribunalistëve të Hagës, në rrafshin komunikues shqyrtues me ish-zëdhënësin e UÇK-së, z Jakup Krasniqi, hap një kapitull të ri në këtë proces gjyqësor politik kundër çlirimtarëve, dhe, kjo shënon një ngjarje tjetër me rëndësi në këtë proces, pas paraqitjes së mbrojtjes nga Fatmir Limajt në kohën e fillimit të gjykimit. 
Prokurorët, hetuesit, gjykatësit dhe avokatët e të akuzuarve, tanimë kanë rast të shohin dhe të binden se strukturat politike dhe operative të UÇK-së janë udhëhequr nga kuadro të aftë politikisht, nga kuadro me arsimin superior, dhe nga shtresat përparimtare të rinisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk ishte pajtuar me robërinë, por as me politikën e neveritshme të nënshtrimit dhe të skllavërimit, të cilën e ka udhëhequr klasa pacifiste e vendit tonë.
Demonstrimi i së vërtetës për luftën e shenjtë të UÇK-së në Hagë ka qenë më se i domosdoshëm, sidomos pas marrjes në pyetje, gjatë ditëve të fundit, të disa ish luftëtarëve të lirisë nga Tribunali në cilësi të dëshmitarëve të prokurorisë.
Fjala e Jakup Krasniqit, para Trupit Gjykues në Hagë, ka peshë të veçantë, dhe, si duket, anëtarët e këtij trupi, pastaj prokurorët e analistët e këtij procesi gjyqësor, tanimë po binden në faktin se sa të nevojshme janë informatat e vërteta burimore, në krahasim me deponimet kuturu dhe lajthitjet e disa dëshmitarëve të mëparshëm, të cilët, në mungesë të dijes dhe aftësisë intelektuale, u treguan të paaftë për ta mbrojtur çështjen, luftën e drejtë për liri, pavarësisht nga pasojat e mundshme për vetë ata apo për cilindo qoftë.
Ish, dhe aktualisht zëdhënësi moral dhe meritor i UÇK-së, z. Jakup Krasniqi, para Tribunalit të Hagës, ka dëshmuar me gjuhën e fakteve e të argumenteve të shumta, se, e drejta e natyrshme e një populli për të mos jetuar nën tirani dhe robëri, është e drejtë e patjetërsueshme, e drejtë demokratike, e drejtë njerëzore. Dhe pikërisht për këtë, gjykimi që po iu bëhet në Hagë: Fatimir Limajt Haradin Balajt dhe Isak Musliut, është gjykim i padrejtë, sepse është e panatyrshme dhe e panjerëzishme të gjykohen liribërësit e Kosovës për shkak të luftës së tyre të drejtë kundër okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. A.Q.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …