Një dokument nga Arkivat Osmane zbulon se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912, u bë me pëlqimin e Stambollit

Dokumenti i rrallë nga arkivat osmane: ‘A duhet ta ndalojë  Ismail Qemalin?’ Përgjigja për komandantin e Janinës zbulon se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë kishte mbështetjen e vetë Stambollit. Një dokument nga Arkivat Osmane zbulon se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të 1912-ës u bë me pëlqimin dhe miratimin e qeverisë osmane.

Në një punim të përgatitur nga Mehmet Tütüncü, Mithat Aydin dhe anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, historiani Ardian Muhaj, zbulohet një dokument i rëndësishëm nga Arkivat Osmane në Stamboll sipas të cilit, Kongresi i Vlorës dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor të 1912-ës u kryen në dijeni dhe me aprovimim e Kabinetit të Ministrave të Perandorisë Osmane. Dokumenti mban datën 27 nëntor 1912 dhe është një vendim i nënshkruar nga anëtarët e këtij kabineti. Ai është një përgjigje mbi disa sqarime të kërkuara nga komandanti osman i zonës së Shqipërisë së Jugut dhe Çamërisë me qendër në Janinë, kryekomandanti i vilajetit të Janinës, Esat Pashë Janina. Ai kërkon nga qeveria e Stambollit një udhëzim se çfarë duhet të bëjë me Ismail Qemalin dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët kishin lënë Durrësin dhe priteshin të mbërrinin në Vlorë për të mbajtur një kuvend mbi çështjen e Shqipërisë. Përgjigja e Stambollit zyrtar është e qartë dhe e prerë që të mos pengohej në asnjë mënyrë mbajtja e atij kuvendi, pasi Ismail Qemali kishte aprovimin e qeverisë osmane për veprimet që po kryente dhe i kishte njoftuar rregullisht për lëvizjet e tij.

Dokumenti nga arkivat osmane

 

 

 

Pjesë nga dokumenti i përkthyer:

27 nëntor 1912. Komandanti i Janinës ka dërguar një telegraf të koduar dhe ka shtruar disa pyetje për qeverinë. Ismail Qemali me 14 bashkëpunëtorë si dhe disa nënshtetas të huaj do të mbajë një kuvend mbi situatën politike në Shqipëri. Është qëndrimi i qeverisë sonë për t’i akorduar autonominë më të lartë të gjithë territoreve shqiptare. Ky është edhe qëllimi i këtij kuvendi dhe për këtë arsye është me shumë rëndësi që të mos pengohet mbajtja e tij. Të vihet në dijeni komandanti i vilajetit të Janinës si edhe Ministria e Luftës dhe Ministria e Punëve të Jashtme mbi këtë çështje.

MV., 171/53, 17.12.1330 (27 nëntor 1912).

Dokumenti u publikua në shqip në fillim të vitit të kaluar. Historiani Muhaj thotë se dokumenti i gjetur në arkivat osmane “është autentik dhe ka rëndësinë  e vet”, por shton se ai “nuk ndryshon asgjë në narrativën historike”. Muhaj thotë se është i vështirë kontekstualizimi i këtij dokumenti. Pa vënien e tij në kontekstin kohor edhe domethënia mbetet e paqartë, sipas historianit që saktëson se “është dokument i rëndësishëm, por kështu i shkëputur nuk thotë shumë”. “Ky fakt, – vijon historiani, – nuk i heq asgjë patriotizmit të figurave që kontribuuan në procesin e Pavarësisë. Përkundrazi dëshmon aftësinë e urtinë e tyre për të  shfrytëzuar rrethanat e ndërlikuara ndërkombëtarisht për të nxjerrë  në  dritë  çështjen  shqiptare”.

 

Dokumenti i shpalljes së pavarësisë (kopja e Nosit)

 

Shpallja e Pavarësisë, 28 nëntor 1912. Firmat e nënshkruesve:

Dhimitër Beratti, Elmaz efendi Boce, Hajredin bey Cakrani, Pandeli Cale, Shefqet Daiu, Ymer bey Deliallisi, Vehbi efendi Dibra Abaz efendi Dilaveri [Çelkupa], Qemal bey Elbasani [Biçaku], Thanas V. Floqi, Mid’hat bey Frashëri, Luigj Gurakuqi, Salih Gjuka, Veli Harçi, Spiro T. Ilo, Qazim Kokoshi, Mustafa Asim Kruja, Jani Minga, Rexhep bej Mitrovica, Qemal bey Mullaj, Dr. H. Myrtezai, Lef Nosi, Zuhdi bey Ohriti, Bedri bey Pejani, Aristidh Ruçi, Nebil efendi Sefa Lushnja, Nuri efendi Sojliu, Abdi bey Toptani, Murat bey Toptani, Dhimitraq N. Tutulani, Abdyl Aziz Vehbi, Dom Nikollë Kaçorri, Zihni Abaz efendi Kanina, Jorgji Karbunara, Xhelal bey Koprencka, Dhimitër Zografi, Ismail Kemal bey Vlora, Ferit bey Vokopola, Iljaz bey Vrioni, Xhemalyddin Bey […]

 

http://www.gazetadita.al/dokumenti-i-rralle-ta-ndaloj-apo-jo-ismail-qemalin-pergjigja-per-komandantin-e-janines-nga-arkivat-osmane-zbulon-se-shpallja-e-pavaresise-se-shqiperise-kishte-mbeshtetjen-e-vete-stambollit/ (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Nasip Naçi: Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi bënë qëllim të jetës arsimimin e vashave

Të frymëzuara nga ëndra e vëllait të tyre , Gjerasimit, që predikoi ungjillin në shqip …