Një libër me rrëfime autentike për Golgotën e Tivarit

Libri dokumentar i Haxhi Birinxhikut, “Dëshmi për Tivarin”, është një vepër e arrirë dokumentare, ku trajtohet kjo Masakër ende e panjohur sa duhet. I lindur dhe i rritur në Drenicë, Haxhi Birinxhiku qysh fëmijë kishte dëgjuar sa e sa herë për tmerret që kishin përjetuar shqiptarët e Drenicës dhe të Kosovës në Golgotën e njohur shqiptare.

Më vonë, në kohën e pjekurisë, pasi kishte kryer studimet, ai iu kishte kthyer një punë me rëndësi për historinë, jo vetëm të Drenicës por edhe të kombit në përgjithësi. Në vitet 90, të shekullit të kaluar, autori i këtij libri  kishte vizituar shumë të mbijetuar të Masakrës së Tivarit dhe kishte incizuar rrëfimet e tyre, në magnetofon. Pastaj, kohë pas kohe i kishte hedhur në letër.

 Për hir të korrektësisë dhe autenticitetit të  rrëfimeve  ka ruajtur incizimet, në shirit magnetofoni, si dëshmi dokumentare për rrëfimet e të mbijetuarve. Në kohën e luftës së UÇK-së kur iu kishte përkeqësuar shëndeti dhe ishte detyruar të largohej nga vendi, shënimet i kishin mbetur në bibliotekën familjare, në Çubrel. Gjatë luftës, kur edhe ky fshat ashtu sikur krejt Drenica ishte përfshirë nga zjarri i forcave ushtarake e policore serbe, ai kërkon nga vëllezërit, luftëtarë të UÇK-së, që mundësisht, në mos më shumë,  të nxirrnin nga shtëpia materialet për Masakrën e Tivarit.

 Pa vonuar, duke ditur vlerën dokumentare dhe historike të këtyre dëshmive, vëllai i tij, Rexhep Birinxhiku me disa bashkëluftëtarë, marrin përsipër rrezikun,  meqë forcat armike serbe ishin shumë afër. Një natë të caktuar ata  futen në shtëpi dhe i marrin materialet me dëshmitë e të mbijetuarve të Tivarit.

 Rrëfimtarët, 21 prej tyre, në shumicë  janë nga Drenica por edhe nga vende të tjera të Kosovës. Ata janë shqiptarët që kanë përjetuar tmerret më të rënda në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa  krimet monstruoze të forcave komuniste jugosllave, janë faqja më e zezë dhe më e turpshme e historisë së tyre antinjerëzore, anti-qytetëruese.

 Rrëfimet e këtyre të mbijetuarve janë dramatike, secili rrëfim është dramë apo roman në vete, janë rrëfime të njerëzve të kapur rob, ndërkohë që Beogradi zyrtar  i trajtonte si forcë “ e të mobilizuarve”, që kishin filluar të marshonin në viset e Jugosllavisë, në ndjekje të forcave gjermane, në tërheqje, në mars e prill të vitit 1945. Realisht një segment i OZN-së, në lidhje me kreun ushtarak e politik të Beogradit në bashkëpunim me strukturat ushtarake në Kosovë kishte marrë vendim që në fushatën e mobilizimit, gjoja  për t’ i ndjekur forcat fashiste, të rekrutonin mijëra shqiptarë, të cilët do të vriteshin mizorisht gjatë marshimit të tyre në dy drejtimet e marshimit.

Formacioni i parë  gjoja me vullnetarë të mobilizuar  ishte nisur për në “Frontin e  Sremit”, në Vojvodinë, ndërsa formacioni tjetër, kishte marshuar në relacion: Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi-Dalmaci-Rijekë…

 Dëshmitarët e  mbijetuar të Masakrës së Tivarit, të prezantuar në këtë libër janë: Asllan Hamit Malaj, Zeqir Halil Hamza, Tahir Ajet Paliqi, Zekë Fazlija, Shaban Miftar Pajaziti, Ahmet Murat Suhogërlla, Istref Shaban Çitaku, Hetem Hajzer Kuçani, Halil Jonuz Gashi (Suhogërlla), Tafë Hamit Dobra, Hasan Hazir Gashi, Islam Sherif Selmani, Ramadan Hamit Selmani, Daut Ahmet Shabani, Sylë Feriz Hajrizi – Kotorri, Isuf Halil Hajrizi, Selman  Shaban Jakupi, Imer Sefer Spahiu, Haki Biçku, Sylë Rexhep Vatovci dhe Çerkin Muharrem Salihu – Çollaku. Ata kanë shpalosur kujtimet e shumta dhe të mundimshme, ashtu sikur i kanë përjetuar mbi kurrizin e tyre.

 Nga rrëfimet e këtyre shqiptarëve hetohet se mobilizimi ishte bërë me qëllim që ata të shfaroseshin në masë, dhe shfarosja të bëhej duke e mbajtur fshehtas nga opinioni. Pas shpartallimit të kryengritjes së Shaban Palluzhës, në dimrin e vitit 1945, OZN-a kishte marrë përsipër që sa më shumë shqiptarë liridashës t’i shfaroste në pretekst se kishin bashkëpunuar me kryengritësit. Prej vitit 1945 e deri në vitin 1950, regjimi jugosllav kishte vrarë, dëbuar nga vendi dhe internuar  dhjetëra mijëra shqiptarë. Krejt kjo bëhej me qëllim që numri i shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e ri-mbetura nën pushtim, të zvogëlohej sa më shumë që ishte e mundur dhe në të njëjtën kohë të trevat shqiptare të nguliteshin kolonë serbë e malazez. Pikërisht me këtë qëllim ata iu vërsulen shqiptarëve për t’ i shfarosur me të gjitha format e metodat e mundshme.

 Dëshmitarët, që kanë mbajtur  mbi kurriz “kryqin” në rrugën për në “Golgotën” e Tivarit, rrëfejnë se përcjellësit e tyre serbë e malazez  (tek-tuk ndonjë shqiptar trutharë), gjatë tërë rrugës i kishin keqtrajtuar, rrahur, por edhe i  kishin vrarë  shumë prej tyre, meqë i trajtonin si robër lufte. Gjatë rrugës atyre nuk iu kishin dhënë as ujë për të pirë, madje nuk i kishin lejuar të pinin ujë as në burimet që hasnin gjatë rrugës,  me qëllim që të revoltoheshin, sa për të pasur pak pretekst për likuidimin e tyre.

 Që të gjithë dëshmitarët, dëshmitë e të cilëve janë prezantuar në këtë libër, kanë veçuar faktin se përcjellësit e armatosur nuk i linin të pinin ujë, edhe pse ata marshonin nëpër lugina lumenjsh, natyrisht edhe nëpër monopate, ku në çdo vend kishte ujë. Atyre nuk iu lejohej të pinin ujë edhe kur kalonin afër lumenjve. Kishte mjaftuar që një i ri, apo i moshuar,  të ishte ndarë nga marshimi për të pirë ujë dhe ishte likuiduar prapa shpine.

Gjatë rrugëtimit i kishin pushkatuar edhe të sëmurët dhe ata që nuk mund të ecnin, ose ndonjërin,  që për një arsye apo tjetër kishte ngelur prapa. 25 të tjerë i kishin pushkatuar në shenjë hakmarrje, sepse një i ri nga Drenica, me qëllim për t’ u mbrojtur ia kishte rrëmbyer pushkën e kthyer drejt tij dhe e kishte vrarë përcjellësin serb, që kishte bërë përpjekje ta vriste.

 Rruga për në Golgotë kishte zgjatur afër dy javë, për disa të tjerë edhe një muaj e më shumë sepse shumica syresh ishin mbajtur nëpër kazerma deri në kohën e nisjes. Dy javë rrugë, pa bukë e pa ujë, të rrahur e të maltretuar, duke fjetur  në natyrë të hapur, apo në magazina të rrënuara, në stalla kuajsh.

 Grumbullin e parë të të përzgjedhurve për rrugëtimin e gjatë drejt vdekjes dhe torturave mizore  i kishin nisur nga Mitrovica, në drejtim të Vushtrrisë. Pastaj  kishin pritur në Lypjan deri sa kishin ardhur edhe shumë shqiptarë të tjerë nga Gjilani e Anamorava dhe të gjithë, këmbë i kishin nisur në drejtim të  Shtimes e prej andej drejt  Prizrenit, Morinës, Kukësit, Fushë-arrësit, Pukës, Vaut të Dejës dhe duke marshuar nëpër Shkodër, kishin arritur në Tivar.

 Në çdo vend ku kishin ndaluar, gjatë rrugëtimit  deri në Prizren, forcat e OZN-së marshuesve drejt Tivarit, iu kishin bashkuar edhe shqiptarë të tjerë, nga po thuajse të gjitha viset e Kosovës, përveç nga Gjakova me rrethinë, sepse komunistët projugosllavë: Xhavit Nimani dhe Fadil Hoxha ishin përkujdesur për të vetët. Ata e dinin se për ku i kishin nisur shqiptarët e përzgjedhur nga të gjitha viset e Kosovës, në mesin e tyre edhe shumë të rinj nën moshën 18-vjeçare.

 Në fund të këtij libri  dokumentar, autori, Haxhi Birinxhiku, ka prezantuar rrëfimet e të mbijetuarit,  Çerkin Muharrem Salihu, nga Dërvari i Vushtrrisë, i cili përveç se kishte përjetuar Golgotën e Tivarit, ai kishte përjetuar edhe vite të tëra, të tjera  të vuajtjeve deri në fund të jetës. Rrëfimi i të mbijetuarit, Çerkin Muharrem Salihu, është një dramë më vete, doemos se është drama më autentike e rrugëtimit të një njeriu, i cili  gjatë tërë jetës mbajti mbi supe vuajtjen dhe represionin sistematik të regjimit jugosllav, sidomos  prej vitit 1945, kur me rrobat e bëra shoshë nga plumbat i shpëtoi vdekjes, në Tivar dhe jetoi i arratisur për një kohë në Shqipëri, pastaj u kap dhe u kthye dhunshëm në Kosovën e okupuar nga Jugosllavia, ku ishte dënuar me burg shumëvjeçar.

 Ishte i përndjekuri i përhershëm i regjimit okupator, vazhdimisht i keqtrajtuar deri në prill të vitit  1999, kur vdiq në mesin e popullatës së zhvendosur,  në agun e lirisë së Kosovës. Qenia fizike dhe shpirtërore e Çerkin Muharrem Salihut, e rrëfyer në veten e parë, është shumë më tepër sesa një rrëfim, është një dramë njerëzore, është tipizim karakteristik i qëndresës shqiptare në këto troje, i fillimit dhe i fundit tragjik, por edhe i qëndrestarit  të  pa epur dhe të pa nënshtruar….

 Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …