mbpzhr 2018
MIT
Airport Adem Jashari
kek
Fillimi / Botimet / Nuhi Bytyçi: Dy fjalë për librin tim, “Libri i luftës”
Nuhi Bytyçi: Dy fjalë për librin tim, “Libri i luftës”

Nuhi Bytyçi: Dy fjalë për librin tim, “Libri i luftës”

Ka kohë që kam menduar t’i shkruaj dhe t’i publikoj këto kujtime. Përvojën profesionale të punës sime në gazetari kam menduar ta përmbledh në një libër, në këtë libër autobiografik, i cili, përpos mua dhe familjes sime, do t’i shërbejë edhe publikut për shumë ngjarje të hershme dhe të vonshme, të rëndësishme për Kosovën.

Veprimtarinë gazetareske e kam filluar para më shumë se katër dekadave. Duke e regjistruar në kujtesë dhe në letra, di që ka qenë e mbushur me sakrificë, guxim, përpjekje. Ka qenë njëfarë lloj lufte. Luftë për të vërtetën, për lirinë dhe pavarësinë e vendit tim; për demokracinë, emancipimin dhe zhvillimin e Kosovës. Libri që keni në duar ka brenda vetes përpjekjet, mbijetesën dhe sakrificën e vazhdueshme të popullit tim. Prandaj është i arsyeshëm titulli i tij: “Libri i luftës”.

Në libër kam shkruar, në disa etapa, sfidat e mia dhe të popullit tim.

Etapa e parë nis nga viti 1974 dhe vazhdon deri në vitin 1989. Në kuadër të kësaj etape kam prezantuar përvojën time gazetareske pas gjysmës së dytë të viteve tetëdhjetë, periudhë kjo kur unë si gazetar, bashkë me kolegun Muhamet Mjeku dhe disa të tjerë, arritëm t’i thyejmë klishetë e censurës totalitare. Lexuesi i këtij libri do ta ketë rastin të lexojë se si, bashkë me Mjekun, kemi arritur ta transmetojmë, në një emision special, tubimin e komunistëve serbë në Fushë-Kosovë (në prill të 1987-s), fjalimin e ish-udhëheqësit të Partisë Komuniste të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Në libër, po ashtu, do të prezantohen hollësi se si në emisionin e drejtpërdrejtë “Aktualitet”, në ekranin e TVP-së, me drejtuesit e atëhershëm politikë të Kosovës, në kohën kur censuroheshin pyetjet e shikuesve, kam arritur që nëpërmjet hartimit të pyetjeve të mia imagjinare, në emër të shikuesve imagjinarë, ta prezantoj interesimin e publikut për zhvillimet e atëhershme politike. Gjatë fundviteve tetëdhjetë nuk pata pranuar të më censurohet as raporti lidhur me vlerësimet politike në Komitetin Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës për demonstratat gjithëpopullore në Prishtinë në nëntor 1988 kundër politikës së Serbisë në Kosovë.

Përvoja ime gazetareske në këtë libër është prezantuar edhe nëpërmjet denoncimit publik të censurës së kryeredaktorit serb të Televizionit të Prishtinës, Boshko Drobnjak, lidhur me përpjekjet e tij arbitrare për t’i injoruar informatat që arrinin nga tubimet e shqiptarëve në mbarë Kosovën kundër politikës së Serbisë për suprimimin e autonomisë së atëhershme të Kosovës.

“Libri i luftës” prezanton edhe hollësi të tjera nga greva e njohur e minatorëve të Trepçës në shkurt 1989 kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës. Prezantohen edhe rrëfime autentike se si kryetari serb i Kuvendit të Kosovës, në qershor të vitit 1990, nuk lejonte që në mbledhjen e Kuvendit të paraqiten kërkesat e delegatëve shqiptarë për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, me ç’rast policia serbe ndërpreu rrymën në sallë, kurse ekipi i TVP-së, pjesë e të cilit isha edhe unë, nuk doli nga salla, por ndezi gjeneratorët e televizionit dhe me këtë veprim tonin mundësuam transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjes së Kuvendit.

Në këtë kontekst, do ta veçoja edhe raportimin tim nga takimi i kreut të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Rrahman Morinës, me qytetarët e Keçekollës. Me gjithë praninë e tij në zyrën e drejtorit të Televizionit të Prishtinës, unë nuk pata lejuar të më censurohet raporti nga ky tubim, ku Morina kishte përdorur disa shprehje vulgare dhe komprometuese. Me gjithë dënimet dhe suspendimet nga udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës dhe të TV të Prishtinës për punën time të guximshme prej gazetari, asnjëherë nuk jam zmbrapsur, por kam vazhduar ta informoj opinionin për zhvillimet në Kosovë.

Më 2 korrik të vitit 1990, kur delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, në prani të forcave policore serbe, miratuan Deklaratën Kushtetuese për Kosovën njësi të barabartë në federatën e atëhershme, unë isha pjesë e ekipit të gazetarëve të TVP-së. Me gjithë ndërprerjen me dhunë nga policët serbë të xhirimit të bisedave me delegatë dhe qytetarë në qendër të Prishtinës, nuk jam frikësuar dhe kam raportuar për këtë ngjarje të rëndësishme. Ditën kur Serbia suprimoi edhe autonominë e suprimuar dhe aplikoi masa të dhunshme edhe në media, edhe në TVP, në zyrën time u ballafaqova me komandantët e ardhur nga Beogradi dhe nuk pranova të punoj sipas diktateve të tyre dhe, bashkë me kolegë të tjerë, iu rezistuam me mos dëgjueshmëri dhe kështu u mbyll programi shqip në TVP.

Në libër prezantohet edhe vazhdimësia e angazhimit tim në gazetari edhe pas mbylljes së TV të Prishtinës. Puna ime vazhdon duke filluar angazhimin në kuadër të gazetës “Dielli” në Zagreb, në shtypin periodik në Prishtinë, si dhe në shtator 1990 në themelimin dhe botimin e gazetës “Demokracia” në Zvicër, e cila ishte bazë për fillimin e botimit të gazetës “Rilindja” në Zvicër, pasi ajo ishte ndaluar në Prishtinë, e deri te angazhimi në medien radiofonike për Kosovën, edicionin pesëminutësh në gjuhën shqipe të Radios Kroacia në Zagreb. Ishte shumë vështirë të raportohej në atë kohë, kur gjatë vitit 1991 shpërtheu lufta në Slloveni dhe Kroaci dhe ishin ndërprerë të gjitha lidhjet telefonike e të tjera me Zagrebin. Mirëpo, falë përkushtimit tim dhe nëpërmjet mikut tim, Sylejman Beqës, që kishte një zyrë përkthimesh në Arau të Zvicrës, lajmet për Radio Kroacinë lidhur me zhvillimet në Kosovë i kam përcjellë nëpërmjet tij dhe ato janë transmetuar çdo mbrëmje. Në nëntor dhe dhjetor 1991 kam shkuar në Zagreb dhe kam redaktuar dhe lexuar lajmet shqip në Radio Kroaci. Këtu, në rrethana lufte, kur aeroplanët ushtarakë serbë bombardonin Zagrebin dhe presidencën kroate, pata fituar një përvojë të çmuar, në mënyrë që t’i transmetoj lajmet edhe nga studio rezervë në bodrumin e Radio Kroacisë. Kjo ishte një përvojë e rëndësishme për mua, e cila më ka shërbyer për ta kryer punën me përgjegjësi prej gazetari gjatë luftës në Kosovë.

Etapë tjetër e veprimtarisë sime profesionale ishte ajo e realizimit të emisioneve të para televizive për Televizionin Shqiptar lidhur me funksionimin e institucioneve legjitime shqiptare në Kosovë, sidomos për punën e shkollave, Universitetit të Prishtinës, Këshillit Qendror të Financimit, këshillave komunale dhe emisioneve për diasporën tonë në Evropë, si dhe disa dokumentarë për eksodin shqiptar në Evropë dhe botë. E gjithë kjo punë me shumë sakrifica dhe shumë përgjegjësi është bërë pa marrë leje zyrtare nga organet e okupatorit serb.

Një ndër etapat kryesore të veprimtarisë sime e cila është prezantuar në këtë libër është epoka e lëvizjes së rezistencës studentore dhe luftës së armatosur të UÇK-së, epoka 1997-1999. Edhe pse s’isha zyrtarisht pjesë e ekipit të Kosovës në programin satelitor të Televizionit Shqiptar, që ishte e vetmja dritare televizive e informimit të shqiptarëve të Kosovës, si dhe me gjithë pengesat që vinin jo vetëm nga një pjesë e udhëheqjes politike të Kosovës në Prishtinë, kam arritur që, me kolegun dhe mikun tim Qani Mehmedi, ta realizojmë emisionin special sensibilizues me qëllim të thirrjes së hapur publike për dalje masive në demonstratat studentore dhe gjithë popullore, që planifikoheshin të mbaheshin më 1 tetor 1997. Pavarësisht përpjekjeve të udhëheqjes politike të subjektit kryesor politik të shqiptarëve të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila hezitonte t’i përkrahte demonstratat e lëvizjes studentore, emisioni ynë pat arritur ta sensibilizojë opinionin për dalje masive në këto demonstrata dhe me këtë u thyen klishetë që mbizotëronin në programin satelitor të Televizionit Shqiptar ndaj rezistencës aktive për liri dhe pavarësi.

Falë përkushtimit tim, të kolegut Abaz Zeka dhe mbështetjes së Migjen Kelmendit, edhe të bashkëveprimtarëve të mi nga Këshilli Qendror i Financimit dhe Këshilli i Emergjencës, të cilët ma siguronin transportin nga Prishtina nëpër rrugët rurale të fshatrave për t’u ikur kontrolleve të policisë dhe ushtrisë serbe, me ekipin tim televiziv kam depërtuar edhe në zonat e luftës që kontrolloheshin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duke pasur qëllimin e qartë dhe duke qenë i vendosur për ta dhënë kontributin tim në procesin e çlirimit të Kosovës, unë kam arritur që, me gjithë divergjencat dhe përçarjet e thella në mes të një pjese të skenës politike në Prishtinë, Qeverisë së Kosovës në ekzil, në njërën anë, në anën tjetër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ta siguroj mbështetjen për ekipin tim televiziv në zonat e luftës dhe të prezantoj pamje autentike në televizion të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftës së saj, në programin satelitor të TVSh-së dhe në mediet botërore.

Nëpërmjet punës së sinqertë dhe sakrificës sime, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit për luftën e UÇK-së, kam arritur të fitoj mbështetjen e ministrit të Informimit të Qeverisë në ekzil, Këshillit Qendror të Financimit dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, xhirimi dhe transmetimi i së cilës mu besua mua dhe ekipit tim nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, xhirimet e tjera për luftën e UÇK-së në mbarë Kosovën, mbijetesa e popullatës civile në zonat e luftës, u realizuan nga ekipi im, nga kameramani Abaz Zeka, me një kamerë të vogël digjitale, të cilën ma pat dhënë Xhafer Shatri, ministër i Informimit i Qeverisë së Kosovës, i drejtuar nga kryeministri Bujar Bukoshi. Dhe, në saje të komunikimit dhe qasjes sime profesionale, me kolegun Asllan Bajrami dhe me ministrin Xhafer Shatri dhe me mbështetjen e përgjegjësve të ShP të UÇK-së dhe gjatë komunikimit me kryeministrin Bukoshi, pavarësisht prej mospajtimeve në mes të ShP të UÇK-së dhe Qeverisë së Kosovës në ekzil, kemi arritur që për herë të parë ta transmetojmë, në programin satelitor të TV Shqiptar në Tiranë, emisionin e parë televiziv kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe një emision telereportazhi për territoret e lira të Kosovës. Duhet theksuar këtu se pa mbështetjen dhe sakrificën e vëllezërve Ergyn dhe Ekran Dobërçani, të cilët në shtëpinë e tyre kanë rrezikuar familjen dhe i kanë montuar të gjitha emisionet e kronikat nga zonat e luftës, nuk do të kishim mundur ta finalizonim punën tonë në terren. Kështu, me ekipin tim kam vazhduar ta informoj opinionin me të gjitha zhvillimet ushtarake dhe politike në Kosovë, veçmas dramën e popullatës civile në zonat e luftës, me dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova pas fillimit të bombardimeve ajrore të NATO-s mbi caqet militare serbe, arritjen e vullnetarëve nga vendet evropiane dhe Amerika, betejat përfundimtare për çlirimin e Kosovës etj.

Një etapë tjetër e punës sime që është prezantuar në libër është ajo e informimit të opinionit lidhur me zhvillimet politike e të tjera në Kosovën e lirë që nga 10 qershori i vitit 1999, për kthimin në Kosovë të refugjatëve pas kapitullimit të Serbisë dhe të hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë, për funksionimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, për vizitat e liderëve botërorë në Kosovën e re, për fillimin e funksionimit të institucioneve arsimore, shëndetësore dhe të tjera në Kosovë, për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Në këtë drejtim, ekipi im, i mbështetur nga ministri i Informimit, Bajram Kosumi, vazhdoi punën për Televizionin Shqiptar në rrethana të reja për të raportuar nga këto dhe zhvillime të tjera në vendin tonë të lirë.

Etapa tjetër e veprimtarisë sime profesionale ishte angazhimi në bazë të konkursit publik për gazetarë në Radiotelevizionin e Kosovës.

Edhe këtu, për shkak të përvojës sime për të raportuar në rrethana lufte, raportova nga lufta në Luginën e Preshevës pas daljes në skenë të UÇPMB-së dhe për luftën në Maqedoni pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtu kisha për t’i veçuar kronikat nga Dobrosini, Konçuli dhe Lluçani, si dhe raportimin për dramën e popullatës civile në Sllupçan të Kumanovës. E gjithë kjo punë ishte me rreziqe të mëdha, por me rëndësi ishte se ia kam arritur ta kryej me sukses misionin tim kombëtar. Edhe më vonë, kur u ngrehën aktakuzat, kinse për krime lufte të komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, më është shtruar si obligim të raportoj edhe për proceset gjyqësore në rastin Limaj dhe në rastin Haradinaj. Edhe këtu kisha detyrë të vështirë por, pavarësisht prej akuzave të rënda për krime lufte, arrita profesionalist ta paraqes të vërtetën për luftën çlirimtare dhe Kosovën.

Një kaptinë e posaçme e punës sime pas luftës, e cila është prezantuar në libër, është edhe përvoja ime e realizimit të më se 100 filmave dokumentarë, kryesisht kushtuar figurave kryesore të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, por edhe figurave të tjera që punuan dhe sakrifikuan shumë për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Ndër filmat e realizuar me më përkushtim ka qenë “Simboli i lirisë”, kushtuar jetës dhe veprës atdhetare të kolosit, simbolit të lëvizjes sonë për çlirim kombëtar, Adem Demaçit, pastaj dokumentari “Aty i ka rrënjët liria”, kushtuar epopesë së UÇK-së në Prekaz më 5, 6 e 7 mars 1998, dokumentari “Kështjella e qëndresës” kushtuar epopesë së UÇK-së në Dukagjin më 24 mars 1998 dhe familjes heroike Haradinaj, dokumentari kushtuar heronjve të kombit Agim Qelajt, Tahir Sinanit, Ismet Jasharit-“Kumanovës”, dokumentarët për heronjtë Luan Haradinaj, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, filmi dokumentar kushtuar dramës së popullatës civile gjatë luftës në Kosovës, me titull “Mbijetesa” dhe shumë projekte të tjera televizive.

“Libri i luftës” përmbyllet me raportimin nga ngjarja e shumëpritur, nga ajo për të cilën kisha punuar e sakrifikuar gjatë tërë karrierës sime profesionale – shpalljen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës më 17. 2. 2008. Për mua ishte mjaft emocionues raportimi nga ndërtesa e njëjtë e Kuvendit të Kosovës, ku kisha raportuar më 2 korrik 1990, me rastin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës. Bashkëpunimi me Jakup Krasniqin, i cili ishte kryetar i Kuvendit, po dhe insistimi im që të raportoj, bëri të jem gazetari i vetëm që kam raportuar mbledhjen e jashtëzakonshme të kryesisë së Kuvendit të Kosovës para dhe gjatë shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Bisedat me disa prej atyre që kishin punuar dhe rrezikuar për këtë ditë historike, në mesin e tyre me ish-komandant “Çelikun” (Fatmir Limajn), me ish të burgosurin e mirënjohur politik Bajram Kosumin dhe me deputetë të tjerë, ishin emocionuese për mua, për arsye se me këto personalitete kisha bashkëpunuar shumë në periudhën e luftës për lirinë e Kosovës.

Në fund të kësaj parathënie dua ta falënderoj botuesin Berat Dakaj, redaktorët e librit, Haqif Mulliqin dhe Muhamet Mavraj, recensentin Bajram Kosumi për sugjerimet dhe këshillat profesionale për begatimin e përmbajtjes së librit. Po ashtu, falënderoj Avni Selmanin për përgatitjen artistike, djalin tim Ariant Bytyçin i cili që nga vitet nëntëdhjeta më ka mbështetur në punën time të gazetarisë, duke më dhënë ide për emisionet dhe për paraqitjet e mia televizive, së fundmi duke më inkurajuar ta shkruaj dhe ta botoj këtë libër. (Epoka e Re)

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet Dibrani: Lirika eksplicite e Naim Fetahajt

Shefqet Dibrani: Lirika eksplicite e Naim Fetaj

(Naim Fetaj, “MË LANË EDHE PA KËNGË”, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, faqe ...