Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Të flasim e ta shprehim saktë mendimin logjik

Sot, më 7 mars 2019 në një gazetë të shkruar lexova, mbase kështu shkruan edhe në portale:”Familja Jashari u shua që të ringjallet populli i Kosovës”. Në këtë fjali kemi dy gabime të mëdha logjike dhe jo vetëm logjike.

Pse?

Së pari, familja Jashari nuk është shuar, por dy të tretat e saj janë flijuar për liri dhe atdhe. Kanë mbijetuar dhjetë anëtarë të Jasharëve dhe sot familja Jashari është shtuar me shumë anëtarë të rinj dhe është më e fortë se kurrë. Ndërsa pjesa e dytë e fjalisë: “Familja Jashari u shua që të ringjallet populli i Kosovës”, më konkretisht, “Të ringjallet populli i Kosovës”, pjesë kjo që nuk ka madje as kuptimin elementar logjik.

Pse?

Sepse, për t’u ringjallur duhet të kesh qenë i vdekur e populli i Kosovës ishte i gjallë, se vetëm të gjallët mund të luftojnë e të çlirohen!

Në raste të tilla, do të duhej të thuhet: Jasharët e Prekazit të Poshtëm, një pjesë e madhe e tyre u flijuan që populli i Kosovës të ishte i lirë, i pavarur dhe sovran. Por, nëse dëshirojmë çështjen ta reduktojmë në familjen e Adem Jasharit – Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë duhet thënë: Dy të tretat e familjes Jashari u flijuan që populli i Kosovës të jetë i lirë në atdheun e vet – Kosovën!

Në raste të tilla është mirë të përpiqemi të themi fjalë sa më të zgjedhura, por fjalët e zgjedhura duhet të kenë logjikë dhe kuptim të saktë! Mediet duhet të jenë ato që e mbrojnë saktësinë logjike dhe saktësinë gjuhësore!

Kjo, mbase na obligon si shoqëri e institucione që gjuhën e bukur shqipe ta bëjmë gjuhë të kompjuterit, që së paku gjenerata e re e shqiptarëve ta shkruajë  drejt gjuhën shqipe, me qëllim që të mos vazhdojë degradimi i saj.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …