Brickos

Nuhi Lan Dvorani (15.7.1975 – 30.4.1999)

Nuhi Lan Dvorani (15.7.1975 – 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i komunës së Drenasit, që konsiderohet si fshati më i madh i trevës së Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë martirë e dëshmorë. Banorët e këtij fshati që në ditët e para iu kishin bashkuar luftës së UÇK-së të gatshëm për të luftuar, punuar e mbrojtur nga falangat vrastare serbe. Banorët e Qëndresës iu kishin bashkuar luftës çlirimtare që në kushtrimin kuptimplotë të luftës për liri të dhënë nga legjendari Adem Jashari dhe familja e tij heroike e Prekazit. Të frymëzuar nga heroizmi i familjes Jashari ata treguan gatishmëri dhe vendosmëri për të luftuar e për të qëndruar. duke qëndruar e luftuar kundër pushtuesit serb. Nga lagjja Gllareva e Verbocit u martirizuan 26, nga lagjja, Dvorani 14, nga lagjja Gashani 13 e kështu me radhë. E gjatë është lista e të rënëve dhe e të martirizuarve në këtë fshat, ashtu sikur edhe në fshatrat Prekaz, Izbicë, Rezallë, Abri, Paklek, Qikatovë etj. Vetëm në këto gjashtë fshatra të trevës së Drenicës, vrastarët serbë kanë vrarë e kanë masakruar rreth 500 shqiptarë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, burra të moshuar e gra plaka, vajza e nuse të reja, djem të rinj, të mitur e të rritur. Luftës së UÇK-së Qëndresa ia ka dhënë 66 dëshmorë e martirë.

Dëshmori Nuhi Dvorani u lind në fshatin Qëndresë të komunës së Drenasit, më 15 korrik të vitit 1975. Babai i tij, Lani dhe nëna, Sherifja lindën e rritën nëntë fëmijët e tyre: Lutfiun, Nuhiun, Ibushin, Violetën, Nerxhivanen, Zylën, Zepën, Pajtimen dhe Albanën. Nuhiu, shkollën fillore e kreu në fshatin Gllobar, ndërsa të mesmen, shkollën teknike “Fehmi Lladrovci” (ish-“Leonik Tomeu”) në Drenas. Pas kryerje së shkollës së mesme një kohë të caktuar punoi në Fabrikën e Feronikelit në Drenas. Në pranverë të vitit 1998, në fshatin Qëndresë ishte krijuar pika e parë luftarake e UÇK-së. Nuhiu iu kishte bashkuar radhëve të luftës duke vëzhguar terrenin dhe lëvizjet e forcave armike serbe. Së bashku me komandantin e pikës së UÇK-së në fshat, Nexhemdin Dvorani, pastaj me kushërinjtë, Imerin, Hysniun, Feratin e të tjerë, ishte kudo ku e kërkonte nevoja, qoftë në roje, qoftë në hapjen e istikameve e të transheve, qoftë duke ndihmuar popullatën civile, e cila ishte në shënjestër të forcave policore dhe ushtarake serbe.
Gjatë verës së vitit 1998, Nuhi Dvorani mori pjesë në luftimet kundër forcave serbe në disa fshatra të Drenicës. Një kohë ka qenë i sistemuar në pikën e UÇK-së në fshatin Duboc, pastaj në fshatin Marinë, në bazën e UÇK-së në Likoc e gjetkë.
Në luftën e UÇK-së, nga familja Dvorani kanë qenë të angazhuar Nuhi Dvorani, Ferat e Imeri Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe vëllezërit e tij, Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu, si dhe djem e burra të tjerë nga kjo lagje, e cila luftës së UÇK-së i dha 14 dëshmorë e martirë.
Duke folur për dhunën dhe barbarinë masive që kanë kryer forcat serbe kundër shqiptarëve, babai i dëshmorit Ferat Dvorani, Xhaferi, në shënimet e publikuara të poemës “Pranverë e përgjakur”, shkruan: “Më 30 prill 1999, ditë e premte, u bë rrethimi i trefishtë i Fortesës, ish-Verboc dhe i katundeve përreth. Kishte këtu mbi 15 mijë njerëz të zhvendosur nga pjesët më të rrezikuara. Shumë prej tyre ishin drejtuar për në këtë vend, meqë vetë serbët u kishin thënë: Shkoni në Verboc, sepse atje është zonë e lirë!… Po atë ditë, një ditë pas bombardimit të bazës serbe në Feronikel nga aeroplanët e NATO-s, u pa se grumbullimi i shumë shqiptarëve të paarmatosur (moshash dhe gjinish të ndryshme) ishte bërë me qëllim që këtu të kapen gjallë, të vriten e të pushkatohen. Kështu që për dy ditë u vranë dhe u masakruan mbi 300 shqiptarë, duarthatë dhe kryesisht të moshës rinore”.
Një pjesë e luftëtarëve të lirisë, i ishin bashkuar popullatës civile me qëllim për ta mbrojtur atë, por në kushtet e rrethimit të plotë ata ranë qoftë nga granatat e armikut, qoftë të pushkatuar pasivisht. Atë ditë nga lagja Dvorani e fshatit Qëndresë ranë dhe u martirizuan: Nuhi Lan Dvorani, Ferat Xhafer Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Hysni Idriz Dvorani dhe katër vëllezërit e tij, Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu, pastaj xhaxhai i tyre, Mehmeti, si dhe Hazir Lah Dvorani, Nuredin Dvorani e Nazmi Dvorani. Kohë më parë kishin rënë edhe Hetem Dvorani dhe Idriz Dvorani.
Dëshmori Nuhi Dvorani ka qenë i martuar dhe ka lënë vajzën Ganimeten, e cila po rritet krenare për babain e saj dëshmor i lirisë së Kosovës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …