OAK adresoi tek Policia e Kosovës problemet e mëdha që po hasin bizneset me transaksionet bankare

OAK adresoi tek Policia e Kosovës problemet e mëdha që po hasin bizneset me transaksionet bankare

Problemet e bizneseve që kanë të bëjnë me vjedhjet, grabitjet, vjedhjet kibernetike gjatë transferave ndërkombëtare çoftë me pagesën e faturave dhe mos liferimin e mallit apo ndërrimi i kontove nga hakerët, ishin arsyeja e takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me Drejtorin e Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës Riza Shillova. Gjatë këtij takimi, kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi theksoi se janë evidentuar shumë probleme që po i hasin bizneset gjatë operimit të tyre dhe vjedhjet e kohëve të fundit janë bërë një shqetësim i madh që po demtojnë rendë bizneset. Me këtë rast bizneset kërkojnë nga policia e Kosvës që të rritin gatishmërinë dhe efikasitetin, me qëllim që të parandalohen dhe minimizohen rastet e tilla.

Gjithashtu Krasniqi shtoi se është shumë i rëndësishëm krijimi i departamentit për mbrojtjen e bizneseve që e kanë edhe shtetet e tjera, pasi që çdo rrezikim i biznesit është rrezikim i të ardhmes, ku më këtë rast jo vetëm që shkatërrohet biznesi por edhe shteti krijon humbje. Sa i përket aspektit kibernetik gjatë transfereve ndërkombëtare, Krasniqi tha se po ndodhin dy forma të mashtrimeve me të cilat po përballen bizneset: e para ka të bëjë me pagesën e faturave nga ana e biznesit dhe pastaj mos liferimin e mallit nga kompania përkatëse ku biznesi nuk po gëzon përkrahje nga shteti, dhe çështja tjetër është ndërrimi i kontove nga ana e hakerëve, ku bizneset nuk kanë një sistem të mirë të mbrojtjes dhe sigurisë, duke u bërë kështu pre e këtyre mashtrimeve.

Sekretari i bordit Diamant Elshani theksoi se krimet kibernetike janë një dukuri shumë e theksuar tek bizneset dhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar ato mund të zgjidhen. Elshani theksoi se OAK ka dosjet e bizneseve të cilat kanë adresuar shqetësimet e tyre sa i përket mashtirmeve që i janë bërë bizneseve në raport me transaksionet ndërkombëtare, andaj bashkëpunimi drejt hetimit të këtyre rasteve dhe zgjidhjes së tyre është esencial. Anëtari i bordit Hysni Zogaj u shpreh i shqetësuar për grabitjet e kohëve të fundit, të cilat po ndikojnë negativisht jo vetëm tek bizneset por edhe tek publiku. Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që të ketë kontrolla më të mëdha nga ana e Policisë, e sidomos tek makinat e ndërmarrjeve pasiqë aksidentet e kohëve të fundit e sidomos rasti që ndodhi në Gjilan janë shumë shqetësuese. Gjithashtu Zogaj theksoi çështjen e autoshkollave të cilat duhet të kenë poligonin e tyre, në mënyrë që të mos rrezikojnë komunikacionin.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës Riza Shillova, falënderoi OAK-në për takimin dhe ngritjen e këtyre çështjeve duke theksuar që këto janë edhe probleme dhe shqetësime të Policisë. Shillova theksoi se janë të hapur për bashkëpunim, pasiqë shqetësimet e bizneseve janë edhe shqetësime tona. Ai shtoi se rritja e partneritetit Publiko-Privat është pikësynim i Policisë, andaj sa më shumë që të kemi bashkëpunim aq më efikas do të jemi edhe në punën e tonë.

Në fund të këtij takimi të dy palët u dakorduan për organizimin e një workshopi të përbashkët me qëllim që bizneset të informohen më detajisht për mundësinë e mbrojtjes dhe bashkarisht të punojnë drejt eleminimit të këtyre problemeve. Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, Sekretari i bordit Diamant Elshani, anëtari i bordit Hysni Zogaj, koordinatorja Qendresa Ibrahimi dhe zyrtarja Mirjeta Shala. Ndërsa nga Departamenti i Hetimeve në Policinë e Kosovës të pranishëm ishin: Drejtori Riza Shillova, Fehmi Hoti dhe Fadil Avdyli.

Kontrolloni gjithashtu

Olaf Scholz

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bërë thirrje Kosovës e Serbisë të angazhohen më shumë në normalizimin e marrëdhënieve

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më shumë …