Olivier Roy: E Djathta Evropiane, Islamofobia dhe Krishterimi

Abuzimi i sekularizmit nga partitë e djathta evropiane në mënyrë që me të të përjashtohen myslimanët është krejtësisht jodemokratike. Është një sulm jo vetëm mbi Islamin dhe gjithë fetë e tjera, por edhe mbi vetë lirinëLidhja jetëgjatë ndërmjet të djathtës politike dhe kishave të ndryshme të krishtera është duke u shpërbërë në të gjithë Evropën. Kjo vjen kryesisht si pasojë e faktit se e djathta, njësoj si pjesa më e madhe e shoqërisë evropiane, është bërë më shekullare. Sidoqoftë, kjo nuk shënon progres: e animuar nga ndjenja anti-islame, pozicioni i të djathtës është duke vënë në rrezik lirinë e fesë, si edhe vetë shekullarizmin dhe traditat themelore demokratike.

 

Deri në vitet pesëdhjetë, vlerat kulturore të përqafuara nga e krahu politik i djathtë në pjesën më të madhe të Evropës nuk ishin shumë të ndryshme nga vlerat tradicionale fetare të katolikëve apo protestantëve. Homoseksualiteti ishte i kriminalizuar në shumë vende. Fëmijët e lindur jashtë shtratit familjar kishin më pak të drejta se fëmijët ‘legjitim’. Në shumë vende ligji mbronte vlerat familjare, censuronte disa forma pornografie dhe dënonte atë që francezët e quajnë mauvaises moeurs (moralet e shthurura).

 

Më pas erdhën vitet gjashtëdhjetë. Revolucioni kulturor i ngulfati shoqëritë europiane me vlera të reja: liria seksuale (e cila nënkuptonte domosdoshmërisht dallimin e seksualitetit nga lindja e fëmijëve), të drejtat e grave (përfshi të drejtën për abort) dhe të drejtat e homoseksualëve (në kohët e fundit, të drejtën e tyre për martesë). Fillimisht këto pikëpamje shiheshin si kompetencë ekskluzive e të majtës, por në vitet në vazhdim ato janë bërë mainstrem.

 

Në ditët tona këto ide pranohen edhe nga partitë konservatore. Ndonëse votuesit konservatorë, veçanërisht në jug të Europës, mbeten gjerësisht homofobikë, sidoqoftë ata nuk e refuzojnë më feminizmin dhe disa të drejta të homoseksualëve. Anëtarë të shquar të Partisë Konservatore Britanike kanë përqafuar idenë e martesave të të njëjtit seks; Unioni Francës për një Lëvizje Popullor dhe Unioni Kristiano-Demokrat ende e refuzojnë një ide të tillë, por në mesin e përkrahësve të tyre mbështetja për të drejtat e homoseksualëve është rritur qartazi. Partitë qeverisëse në Itali, Gjermani, Angli dhe Poloni e kanë distancuar veten nga kishat kryesore të këtyre shteteve.

 

Edhe partitë populiste – të cilat shpesh i sfidojnë partitë mainstream konservatore në çështje si emigracioni dhe Bashkimi Europian – ndjekin të njëjtin trend. Partia e Progresit në Norvegji dhe Partia e Lirisë në Holandë mbrojnë në mënyrë eksplicite të drejtat e homseksualëve. Partia e Pavarësisë në Angli ka deklaruar se favorizon zgjerimin e partnershipit civil “duke i dhënë atij status të barabartë për martesë dhe duke i bërë të mundur që ajo të jetë e disponueshme për të gjithë.”

 

E gjithë kjo mund të duket si një marshim i përgjithshëm drejt liberalizmit, vetëm se këtu ka një kthesë: Ndonëse e djathta është larguar nga vlerat themelore të kishës katolike dhe asaj protestante, gjithsesi ajo trumpeton se Europa është në thelb e krishterë. Në vitin 2003 shumë anëtarë të Partisë së njerëzve evropian, koalicioni i qendrës së djathtë në Parlamentin Europian, loboi për ndryshimin e preambulës të Kushtetutës Evropiane, në mënyrë që ajo të shprehej se Europa është thelbësisht e krishterë. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, i është referuar qenësisë së krishterë të Europës. Në të njëjtën kohë kryeministri britanik, David Kameron, është shprehur se “Unë besoj se duhet të kemi më shumë besim në statusin tonë si një shtet i krishterë.” Në të njëjtën kohë ai ka mbështetur mbajtën e ceremonisë së martesës për çifte të të njëjtit seks në kisha.

 

Qëndrime të tilla duket se vënë në dukje një kontradiktë kurioze, por kjo vlen deri në momentin kur marrin në konsideratë qëllimin e këtyre partive: e djathta europiane po mbron një identitet të krishterë për Europën jo sepse dëshiron të promovojë krishterimin, por sepse ajo dëshiron të zbythë Islamin dhe integrimin e myslimanëve – apo atë çka Fronti Nacional e quan ‘Islamizimi i Europës’.

 

Hapësirat publike janë bërë një terren kryesor beteje. Në shkollat franceze ekziston ndalesë mbi ‘shaminë dhe simbole të tjera të përkatësisë fetare’, po ashtu në Francë dhe Belgjikë ekzistojnë ndalesa për përdorimin e nikab-it (mbulesës së fytyrës) në hapësirën publike. Në të gjithë Evropën ka pasur përpjekje për të ndaluar ndërtimin e xhamive ose thjesht të minareve (në Zvicër, ndërtimi i xhamive është i lejuar por pa minare, meqenëse kjo e fundit konsiderohet ‘shprehje e një kulture intolerante’). Përpjekja për të zbythur Islamin nga Evropa përfshin gjithashtu edhe trupin e personit, si p.sh. në rastin e fushatave të iniciuara në Norvegji për ndalimin e rrethprerjes (synetllëkut) dhe ushqimit hallall.

 

Në mënyrë të veçantë, këto masa nuk janë ndërmarrë në emër të mbrojtjes së Krishterimit, por të sekularizmit liberal. Thuhet se shamia thyen të drejtat e gruas, synetllëku ato të fëmijëve, mënyra islame e prerjes së kafshëve thyen të drejtat e kafshëve. Oriana Falaci dhe Ayaan Hirsi, dy zëdhënëse radikale për rezistencën feministe ndaj Islamit, u bënë shumë të dashur për të djathtën konservatore në Itali (Falaci), në Holandë dhe Amerikë (Hirsi Ali).

 

Retorika anti-islame po përhapet në mainstream. Koalicioni qeveritar në Holandë i kërkon emigrantëve të ardhshëm që të pranojnë vlerat progresive para se t‘u jepet viza e qëndrimit. Aplikantëve për vizë u kërkohet nëse tolerojnë, apo jo, përzierjen e vajzave dhe djemve në shkolla, barazinë gjinore, lakuriqësinë në publik dhe të drejtat e homoseksualëve. Ndonëse të gjithë emigrantët, jo vetëm myslimanët, janë të obliguar të kryejnë këtë test, gjithsesi duke pasur parasysh shqetësimet e shprehura në këto pyetje dhe demografinë e emigrimit në Evropë, nuk ka asnjë dyshim se këto teste janë të përcaktuara për të sfiduar myslimanët. Masa të tilla janë të padrejta ndaj myslimanëve dhe shkelin angazhimin e shpallur të shteteve evropiane ndaj multikulturalizmit dhe ndarjes së shtetit nga Kisha.

 

Mbi të gjitha, ndalesa si ato rreth synetllëkut dhe therjes rituale të kafshëve përbëjnë, gjithashtu, një sulm ndaj Judaizmit. Në Francë, Fronti Nacional i Marine le Pen-it ka bërë thirrje për ndalimin në publik të shamisë myslimane dhe kipa-së hebraike (por jo rasës së priftërinjve). Në këtë aspekt, mbrojtja e identitetit të krishterë të Europës është duke marrë një atribut veçanërisht të shëmtuar: Ajo pasqyron rregulloret antisemite të Gjermanisë naziste dhe shteteve të tjera evropianë në vitet ‘30. Vajtën me kaq edhe rrënjët judeo-krishtere të kulturës europiane; hebrenjtë e Europës janë bërë të ndjehen edhe njëherë si të huaj.

 

Kësisoj është krejtësisht logjike, ndonëse paradoksale, që grupet hebraike të ndërtonin koalicione me myslimanët. Në Gjermani, në vitin 2012, bashkësia hebraike u mblodh rreth rastit të një familjeje myslimane e cila u bë shkas që dështimi i synetllëkut të fëmijës së tyre të bëhej baza që një gjykatë lokale të deklaronte të paligjshëm çdo formë synetllëku. Muajin e kaluar kryetari i Shechitta-U.K. dhe zëvendës kryetari i përgjithshëm i Këshillit Mysliman të Britanisë nënshkruan një letër të hapur për The Daily Telegraph në mbrojtje të therjes rituale të kafshëve. Minoritete religjioze që përndryshe do të ishin dyshuese ndaj njëra-tjetrës, në këtë rast janë duke bashkuar forcat.

 

A do të bëjnë të njëjtën gjë kishat katolike ose ato protestante? Në fund të fundit, meqenëse sulmi kundër islamit manifeston veten më së shumti në një formë agresive të sekularizmit, kjo do të thotë se edhe kishat janë po ashtu viktima kolaterale. Ligji francez që ndalon shamitë, në mënyrë që të mos duket keqazi diskrimues vetëm ndaj myslimanëve, ka ndaluar për pasojë edhe të gjitha simbolet e ‘dukshme’ fetare. Në Britani, një ligj i shekullit të shtatëmbëdhjetë që penalizonte blasfeminë kundër krishterimit u shfuqizua në vitin 2008 pas një debati të nxehtë nëse duhej përdorur, apo jo, kundër Selman Rushdit, autorit të librit Vargjet Satanike.

 

Lëvizja e dyfishtë e të djathtës – d.m.th. pretendimi i mantelit të krishterimit, por jo i vlerave të tij – është një kërcënim sa radikal po aq indirekt ndaj krishterimin: ai rrezikon zhveshjen e fesë nga spiritualiteti i saj. Në vitin 2004 pas apeleve gjyqësore të tejzgjatura, të cilat kishin të bënin me të drejtën e një mësueseje myslimane për mbajtur shaminë gjatë punës në shkollë, qeveria e shtetit gjerman të Baden-Württemberg-ut miratoi një ligj që i ndalonte mësuesve të shfaqnin simbole fetare me përjashtim të ‘shfaqjes së vlerave ose traditave kulturore dhe edukative të krishterimit ose perëndimit’. I njëjti arsyetim gjendet edhe pas vendimit të Gjykatës Europian për të Drejtat e Njeriut për të lejuar autorizimin e shfaqjes së kryqit në shkollat italiane, me argumentimin se në Itali kryqi nëpër shkolla është një ‘simbol historik dhe kulturor’, më shumë se shprehje e një besimi specifik. Por të mbrosh një identitet të veçantë të krishterë do të thotë të sekularizosh vetë krishterimin.

 

Derimëtani, kishat e krishtera kanë kontribuar për problemin, duke dështuar në distancimin e qartë të tyre nga partitë kulturore ultranacionalistë të djathta, që kanë përvetësuar idenë e Europës së krishterë në mënyrë që të bllokojnë integrimin e myslimanëve, po duke vepruar kështu ato kanë bërë të mundur një sekularizim akoma më të madh, teksa në emër të ksenofobisë kanë lejuar tradhtinë e vlerave fetare.

 

Në vitin 2009 kardinali i Vjenës, Christoph Schönborn, ka kritikuar me të drejtë partinë austriake populiste Partia e Lirisë, për përdorimin e kryqit, nga ana e tyre, në posterët elektoralë. Ai argumentoi se kjo nënkuptonte përdorimin e simbolit të kryqit kundër feve të tjera, në vend se për të shprehur Feindesliebe, d.m.th. dashurinë për armikun. Njësoj si Mr. Schönborn, kishat në Evropë duhet të riafirmojnë vlerat themelore të fesë së tyre, ata duhet të përpiqen të ndërtojnë një koalicion të përbashkët me myslimanët dhe hebrenjtë për të promovuar ushtrimin e lirë të cdo feje.

 

Rasti i lirisë së besimit është vetëm një aspekt i rastit klasik për liri demokratike për të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë. Kësisoj, edhe sekularistët duhet t‘i bashkangjiten kësaj vlere. Abuzimi i sekularizmit nga partitë e djathta evropiane në mënyrë që me të të përjashtohen myslimanët është krejtësisht jodemokratike. Është një sulm jo vetëm mbi Islamin dhe gjithë fetë e tjera, por edhe mbi vetë lirinë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz TAFILAJ: Takimi i Madh i Prishtinës, 2024

Këtë javë u mbajt “Takimi i Madh i Prishtinës”, nën organizimin  e “Gazeta e Alpeve”, …