Mbi qytetarinë aktive, interesin publik dhe kulturën politike
Parregullsitë, keqpërdorimet dhe përvetësimet e pronës publike e të përbashkët në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë nuk kanë filluar dje dhe as nuk do të përfundojnë nesër.
Ato kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin prej dekadash, në nivele të ndryshme: nga fshati e lagjja, te bashkia, qyteti dhe institucionet qendrore.
Jo rrallë, zyrtarë dhe mandatmbajtës që paguhen nga taksat e qytetarëve nuk e ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjësi, ndërgjegje dhe ndershmëri, por e shohin pozitën, mandatin apo pushtetin si mundësi për përfitim personal, privilegj apo përvetësim.
Prandaj problemi nuk mund të reduktohet te një apo dy politikanë.
Edhe sikur nesër të dorëhiqeshin apo të burgoseshin disa figura të njohura politike, kjo nuk do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e grumbulluara ndër vite.
Madje, në periudha krizash dhe përplasjesh politike, shpesh ndodh që shumë keqpërdorime të kalojnë edhe më lehtë pa u vënë re, sepse vëmendja publike përqendrohet diku tjetër.
Për këtë arsye nuk besoj se ndryshimi vjen vetëm nga ndërrimi i pushtetarëve.
Ndryshimi kërkon qytetari aktive, të përditshme dhe të qëndrueshme.
Ai fillon te pallati ku banojmë, te rruga ku ecim, te lagjja ku jetojmë, te bashkia ku paguajmë taksa, te qyteti dhe te shteti.
Kërkon organizim, transparencë, kontroll qytetar, media të lira, sindikata funksionale, organizata qytetare dhe pjesëmarrje reale në vendimmarrje, përfshirë referendumet për çështje me interes të gjerë publik.
Nëse Kosova i lejon vetes luksin që brenda 16 muajve të organizojë katër palë zgjedhje, pse të mos jetë e mundur të organizohen edhe referendume për tema konkrete, si paga e deputetëve, subvencionimi i partive politike apo çështje të tjera me interes publik?
Për natyrën po protestohet sot.
Me të drejtë.
Por ku kemi qenë për dekada kur janë betonizuar hapësirat publike, janë dëmtuar brigjet, janë humbur tokat pjellore, janë shkatërruar trotuaret, kanalizimet dhe infrastruktura bazike?
Qytetaria aktive nuk duhet të zgjohet vetëm për një rast.
Ajo duhet të jetë e përditshme.
Pa një qytetari të organizuar, të fuqizuar dhe të faktorizuar, nuk ka garanci që ndryshimi demokratik të ndodhë dhe të zgjasë.
Sepse shpesh ndërrohen emrat e pushtetarëve, por jo mënyra e ushtrimit të pushtetit.
Sfida jonë nuk është vetëm të ndryshojmë qeveritë.
Sfida jonë është të ndryshojmë kulturën politike dhe marrëdhënien e shoqërisë me interesin publik.
Demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve apo në ditën e protestës.
Ajo mbrohet çdo ditë me pjesëmarrje, përgjegjësi dhe qytetari aktive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
