Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se organizata nuk mban asnjë qëndrim zyrtar lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke i konsideruar ato si çështje të brendshme të shtetit shqiptar. Syla u bëri thirrje veteranëve që marrin pjesë në këto tubime të mos paraqiten dhe të mos flasin në emër të organizatës, pasi OVL-UÇK nuk ka dhënë asnjë autorizim apo mbështetje institucionale për to. Ai theksoi se organizata nuk disponon informacione të mjaftueshme për organizatorët dhe qëllimet e protestave, prandaj ka vendosur të qëndrojë jashtë çdo përfshirjeje. Sipas tij, reagimi erdhi pas njoftimeve nga dega e OVL-UÇK-së në Tiranë se disa veteranë po tentonin të përfaqësonin organizatën në protestë. “Neve u kemi bërë thirrje sepse, në bazë të informacioneve që i kemi marrë nga dega jonë në Tiranë, kemi marrë informacione se ka tendenca që disa bashkëluftëtarë tanë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, shkojnë edhe të flasin e të kenë ndonjë qëndrim eventualisht në emër të organizatës së veteranëve të luftës në këtë protestë”, deklaroi Syla. Ai sqaroi se çdo veteran gëzon të drejtën individuale për të marrë pjesë në protesta, por nuk mund të përfaqësojë qëndrimin e OVL-UÇK-së pa një vendim të organeve drejtuese të organizatës. Syla u bëri thirrje veteranëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në çdo aktivitet publik ku marrin pjesë, duke respektuar faktin se OVL-UÇK nuk ka marrë asnjë qëndrim zyrtar për protestat në Shqipëri.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
